E martë, 19 Gusht, 2025

SHSKUK me tender emergjent për dializë: U hap të premten në ora 13:00, mbyllet sot në ora 12:00

Ndaj

SHSKUK ka iniciuar një tender emergjent për furnizimin e dializës. Ky institucion iu ka dhënë operatorëve kohë shumë të shkurtë për t’u përgatitur për oferta. Kjo ka ngritur dyshimet se tenderi me vlerë mbi 450 mijë Euro do ta kufizojë konkurrencën.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës të premten më 11 korrik në ora 13:00 i ka njoftuar operatorët ekonomik për tenderin emergjent për furnizimin e shërbimit të hemodializës.

Në dosjen e tenderit, SHSKUK ka njoftuar se afati i ofertave është vetëm deri sot në ora 12:00 më 14 korrik. Praktikisht operatorët ekonomik kanë afat vetëm disa orë në ditë pune për t’u përgatitur për këtë tender.

Kjo ka ngritur dyshimet se koha e shkurtër e ofertimit do ta kufizoj konkurrencën. SHSKUK gjithashtu ka vendosur afat prej vetëm pesë ditë për të bërë furnizimin, nga dita e urdhër blerjes. Edhe ky kriter gjithashtu do të ndikojë në limitimin e ofertave dhe konkurrencës.

Tenderi është me vlerë mbi 455 mijë Euro me kohëzgjatje prej vetëm dy muaj.

Gazeta i ka dërguar pyetje SHSKUK-së për këtë çështje, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje deri në këto momente.

SHSKUK ditë më parë ka mohuar se ka mungesë të materialeve në shërbimin e hemodializës në njësitë e saj. Sipas SHSKUK-së, furnizimi ishte i rregullt dhe shërbimi funksiononte normalisht.

Por vetëm 5 ditë më vonë ka hapur këtë tender duke mos sqaruar pse ka nevojë tani për këtë procedurë emergjente.

Kontrata e fundit për furnizim me koncentrat të bikarbonateve ka përfunduar në fund të vitit të kaluar. Kontratën e re, SHSKUK e ka iniciuar në fillim të muajit qershor të këtij viti. Ky tender është pezulluar për shkak të një ankese të operatorit ekonomik “Trimi Med”.

Ky operator ka qenë fitues i tenderit të vitit të kaluar për dializator dhe gjilpëra për fistulë për hemodializë bashkë me kompaninë “Medi Health” si grup i operatorëve. Te dy këto kompani SHSKUK i kishte shpërblyer me tender me vlerë mbi 2.2 milionë Euro. Kompania e tretë ishte “Pharma Leader” me dy lote afër 200 mijë Euro.

Të dy operatorët, “Medi Health” dhe “Trimi Med” tani kanë ushtruar ankesa për tenderin e hapur të bikarbonateve dhe SHSKUK ua ka miratuar pjesërisht, derisa “Trimi Med” e ka çuar ankesën edhe në OSHP duke e bllokuar kështu procesin.

Gazeta ka informacione se menaxhmenti i SHSKUK-së është njoftuar me kohë me planifikimin për furnizimin e hemodializës, shërbim ky jetik i cili nuk guxon të mbetet pa material për shkak të gjendjes së pacientëve. Megjithatë procesi i furnizimit është vonuar, për çka nuk dihen arsyet.

Dializa është një procedurë mjekësore që zëvendëson funksionin e veshkëve kur ato nuk punojnë si duhet. Ajo ndihmon në pastrimin e gjakut nga mbetjet dhe lëngjet e tepërta dhe ndihmon në balancimin e elektroliteve në trup. Dializa bëhet tre herë në javë. Çdo seancë zgjat rreth 3 deri në 5 orë, në varësi të gjendjes së pacientit dhe nivelit të funksionit të veshkëve. /Gazeta Shneta

Lexo më shumë

Të tjera