Banorët e lagjes “Lugina e Doktorëve” në Mitrovicën e Veriut i janë drejtuar institucioneve lokale dhe qendrore me një kërkesë zyrtare për mbrojtje nga kërcënimet dhe veprimet e kundërligjshme të shoqërisë “Elektroserver”, e cila, sipas banorëve, ka paralajmëruar çkyçje masive nga rrjeti elektrik për ata që nuk paguajnë një shumë prej 1000 eurosh për familje, pavarësisht mungesës së njehësorëve individualë.
Shkresa i është drejtuar kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ministrit për Komunitete dhe Kthim, Elbert Krasniqi, mediave vendore e qendrore.
Banorët listojnë një sërë kërkesash konkrete, ndër të cilat të anulohet kërcënimi për çkyçje si i jashtëligjshëm, të ndalohet pagesa paushalle dhe të kërkohet pagesë vetëm në bazë të njehësorëve individualë për çdo familje, çdo familje të ketë qasje të drejtpërdrejtë në leximin e njehsorit të saj, faturat e energjisë të dorëzohen në zarfa të veçantë, për çdo shtëpi, adresa të jetë në gjuhën shqipe: “Lagjja Lugina e Doktorëve – Mitrovicë e Veriut”, jo “Kosovke devojke – Severna Mitrovica”, të respektohet dygjuhësia në çdo institucion shtetëror e privat, të krijohet një komision komunal mbrojtës për qytetarët nga keqpërdorimet institucionale dhe private.
Sipas banorëve, letra e “Elektroserver”-it nuk përmbante as numër protokolli, as vulë, as emër të nënshkruesit – dhe është shpërndarë nga persona të panjohur, duke i frikësuar qytetarët me çkyçje nga rrjeti elektrik.
“Kërkohet një shumë enorme prej afro 1000 eurosh për familje – edhe për ata që nuk banojnë aktualisht në lagje. Banorët raportojnë për sjellje përbuzëse dhe joprofesionale nga stafi i “Elektroserver”, pa përkthim në gjuhën shqipe, me simbolet e shtetit serb në zyrë, dhe refuzim për dialog. Ata kujtojnë se në të kaluarën janë përballur me diskriminim energjetik, veçanërisht në vitin 2011, kur kanë pasur vetëm 2 orë rrymë në ditë, ndërkohë që lagjet serbe kanë pasur furnizim të rregullt e të pandërprerë. Bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar në shkurt 2024, deri në maj 2025 ishte paraparë që të vendosen njehsorët elektrikë, ndërkohë që qytetarët do të paguanin përkohësisht një paushall prej 21.6 euro në muaj. Por, vendosja e njehsorëve nuk ka ndodhur, ndërsa tani banorëve po u kërkohen 54 euro në muaj, shifër që, sipas tyre, është vendosur në mënyrë arbitrare nga “Elektroserver”. Banorët apelojnë tek institucionet që të ndërhyjnë sa më parë për të ndalur padrejtësitë, për të siguruar furnizim të rregullt e të barabartë me energji elektrike, dhe për të garantuar barazi gjuhësore, administrative dhe ligjore për të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Veriut, pavarësisht përkatësisë etnike”, thuhet në reagim.