E shtunë, 14 Mars, 2026

Shpërputhjet në deklarimin e pasurisë së Dukagjin Lekës: “Avullimi” i tokave dhe rekordet me mëditje e rimbursime

Ndaj

Brenda një viti, gjashtë parcela toke me sipërfaqe të përbashkët prej 58 ari dhe vlerë 5,800 euro janë “avulluar” nga deklarimi i pasurisë së Dukagjin Lekës, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.

Tokat, të blera në periudhën 2018 dhe 2022 dhe të deklaruara në vitin 2024 (për 2023), nuk figurojnë më në formularin e vitit 2025 (për 2024), pa një shpjegim publik se kur dhe sa janë shitur dhe ku kanë mbetur të hyrat nga shitja e tokave.

Përveç paqartësisë për 6 parcela tokë, në deklarimin e pasurisë së Dukagjin Lekës figuron një shumë prej 156 mijë euro që sipas shpjegimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit është borxh i deklaruesit.

Bazuar në deklarimet e Dukagjin Lekës, të hyrat e tij nga Universiteti “Kadri Zeka” (2023 – 62,623 euro; 2024 – 71,501 euro) rezultojnë se janë më të larta se sa të hyrat e Guvernatorit të Republikës së Kosovës (2023 – 49,208 euro; 2024 – 59,600 euro) apo drejtorit të Fondit të Kursimeve Pensionale (2023 – 55,049 euro; 2024 – 56,823 euro). Pjesa dërmuese e këtyre të hyrave vijnë nga puna jashtë orarit, ribursimet dhe meditjet nga Universiteti.  

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për këto shpërputhje në deklarimin e pasurisë në 2024 dhe 2025, ndryshime në kursime dhe paqartësi rreth të hyrave vjetore.

APK përveç përgjigjeve në disa pika, kanë thënë se bazuar në pyetjet e KALLXO.com kanë bërë një analizë të deklarimit të Lekës dhe ka marrë vendim që të bëjnë verifikimin e plotë të pasurisë së prorektorit Dukagjin Leka.

“Bazuar në informacionet e pranuara nga ana juaj dhe analizat e brendshme, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ju informon se e ka përfshirë z. Leka në procesin e verifikimit të plotë të pasurisë”- thuhet në përgjigjen e Agjencisë për KALLXO.com, të datës 31.10.2025.

Gjatë këtij procesi, Agjencia ka thënë se do të shqyrtojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme të gjitha të dhënat dhe provat e disponueshme, duke përfshirë edhe ato për të cilat ka kërkuar informacion KALLXO.com, duke kërkuar shpjegime shtesë nga prorektori Dukagjin Leka.

Vetë prorektori Leka ka refuzuar të japë sqarime për KALLXO.com në lidhje me këtë çështje, duke sygjeruar t’i referohemi deklarimeve të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Shpërputhja e deklarimit të pasurisë në 2024 dhe 2025

Për dallim nga viti paraprak, në vitin 2025 prorektori Leka ka deklaruar gati gjysmë milioni euro pasuri të paluajtshme, më saktësisht 453,800 eurove.

KALLXO.com ka gjetur se në deklarimet e pasurisë të viteve 2025 (për 2024) dhe 2024 (për 2023) të prorektorit Dukagjin Leka ka shpërputhje tek pasuritë e paluajtshme.

Gjashtë tokat në vlerë totale prej 56,800 euro të deklaruara në vitin 2024, nuk janë në deklarimin e vitit 2025.

Vlera totale e gjashtë tokave (1563 m2=9,800 euro, 880 m2=9,800 euro, 500 m2=8,800 euro, 1563 m2=9,800 euro, 880 m2=9,800 euro, 500 m2=8,800 euro), tri të parat në emër të tij, dhe tri të tjerat në emër të bashkëshortes, është deklaruar 56,800 euro.

Pasuritë e paluajtshme të deklaruara në vitin 2024

Siç shihet në deklarimin e pasurisë, në tri raste përputhet sipërfaqja e tokës dhe vlera e saj. Bazuar në formularin e deklarimit të pasurisë të plotësuar nga Leka, nuk është e qartë nëse tokat e njëjta janë të deklaruar gabimisht dy herë: një herë në emër të prorektorit Leka dhe një herë në emër të bashkëshortes apo bëhet fjalë për toka të ndryshme.

Prandaj, për të sqaruar këto dyshime, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Leka nëse këto toka janë deklaruar gabimisht apo vërtetë janë 6 parcela të tokës që janë në pronësi të Lekës dhe bashkëshortës së tij.

Në formularin e deklarimit të pasurisë i cili është publik në APK te rubrika “të dhënat e tjera” arsyetimi nuk është i dukshëm por është me asteriks.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit i ka thënë KALLXO.com se prorektori Leka, në formularin e deklarimit të pasurisë të dorëzuar më 27.03.2025, te rubrika “të dhënat e tjera” e ka sqaruar se 140 mijë eurove i ka pranuar nga shitja e një toke në Makresh (fshat i Novobërdës).

“Subjekti deklarues, z. Dukagjin Leka, në formularin e deklarimit të pasurisë të dorëzuar më 27.03.2025, te rubrika “Të dhënat tjera”, ka bërë këtë sqarim: Shuma e pranuar… në vlerë prej 140,000.00 euro është deklaruar këtu, e cila shumë ka ardhur nga shitja e tokës në Makresh”- thuhet në përgjigjen e APK-së për KALLXO.com më 31.10.2025.

Në deklarimin e vitit 2025 nuk është e qartë nëse është shitur vetëm njëra nga gjashtë tokat apo të gjitha tokat së bashku, edhe pse sipas APK-së, vetë Leka ka thënë se shumën prej 140 mijë euro e ka pranuar për shitjen e një toke.

Pasuritë e paluajtshme të deklaruara në vitin 2025

Për t’i sqaruar këto shpërputhje në deklarimin e pasurisë së Dukagjin Lekës, KALLXO.com ka dërguar disa herë pyetje në adresë të tij. Fillimisht ka dërguar pyetje më 10.11.2025 dhe më 12.11.2025.

Më 12.11.2025, KALLXO.com e ka pranuar një email nga Leka, i cili nuk ka dhënë asnjë përgjigje në pyetjet specifike të dërguara.

“Lidhur me pyetjet e tua nuk është se kam diçka për të komentuar, perveç asaj që mund të them se për Deklarimin e Pasurisë mund t’i referoheni deklarimit tim që e keni në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, apo për çfarëdo sqarimi tjetër që mund të keni nevojë”- ka thënë Leka përmes emailit për ekipin e KALLXO.com më 12.11.2025.

Tutje, më 03.12.2025, ekipi KALLXO.com ka shkuar edhe në UKZ për ta takuar prorektorin Leka për të marrë përgjigje për të hyrat dhe shpërputhjet, por i njëjti nuk ka pranuar të takohet.

Më 05.12.2025, KALLXO.com ka dërguar pyetje shtesë në adresë të tij, por përsëri nuk ka pranuar përgjigje në lidhje me to.

Pas pyetjeve të KALLXO.com për shpërputhje të pasurive të paluajtshme të Lekës, APK nuk ka dhënë sqarime për këto toka, por ka nisur verifikimin e plotë të pasurisë së prorektorit Dukagjin Leka.

KALLXO.com ka evidentuar shpërputhje edhe tek deklarimi i parave të gatshme dhe borxheve të deklaruara nga Leka.

Në vitin 2024, Leka i kishte deklaruar 15 mijë euro para të gatshme, kurse në vitin 2025 i kishte deklaruar rreth 14 mijë euro, kursim të tij dhe familjarëve.

Megjithatë, Leka tek të hyrat prej 140 mijë eurove nga shitja e një toke i ka deklaruar tek rubrika “Të hyrat tjera” dhe jo tek rubika për “Para të gatshme në llogari rrjedhëse, në depozita dhe në huadhënie në euro ose në valuta tjera të huaja”.

Kurse, tek rubrika “të drejtat dhe detyrimet financiare ndaj personave juridik dhe fizik”, Leka i ka deklaruar dy “huadhënie” një në vlerë 136 mijë euro dhe tjetrën në vlerë 20 mijë euro.

Por, në këtë deklarim, nuk kuptohet nëse Leka i ka marrë borxh këto 156 mijë euro, apo ia ka dhënë dikujt hua. Në njërën anë, Leka e ka shkruajtur “huadhënie” e në të njëjtën linjë ka shkruajtur se detyrimet prej 156 mijë euro janë të deklaruesit, pra të tij.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe për këto shpërputhje dhe paqartësi, por Leka nuk ka dërguar asnjë përgjigje. Në ndërkohë, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga APK dhe ata në një përgjigje me shkrim kanë thënë se shuma prej 156 mijë euro  (136 mijë + 20 mijë) janë detyrime/borxhe që Leka ka deklaruar se ia ka personave fizikë.

Shpërputhja te të hyrat – Ndryshe të deklaruara, ndryshe të dhënat e UKZ-së

Përveç shpërputhjeve të deklarimit të pasurisë për tokat, e detyrimet financiare, KALLXO.com ka analizuar edhe të hyrat e prorektorit Leka nga Universiteti ”Kadri Zeka” në Gjilan aty ku shërben nga korriku i vitit 2020 në pozitën aktuale.

Dallime ka edhe te të hyrat e deklaruara nga prorektori Leka në APK dhe të dhënat që KALLXO.com i ka siguruar nga UKZ për të hyrat e tij nga ky universitet.

Në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, deklarimi i pasurisë bëhet për vitin paraprak.

Në deklarimin e bërë në vitin 2024 në APK, prorektori Leka kishte deklaruar se në vitin 2023 të hyra nga Universiteti “Kadri Zeka” kishte në total 62,623 euro. Prej tyre, 22,270 euro pagë vjetore; 9,055 euro meditje për udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe 31,298 euro pagesë për punë jashtë orarit nga UKZ.

Bazuar në deklarimin e tij për vitin 2023, Leka ka marrë 9 mijë euro më shumë për punën jashtë orarit (31,298 euro) se sa që e kishte pagën bazë nga Universiteti (22,270 euro).

Kjo mëditje e deklaruar si e hyrë në vitin 2023 është më e lartë se mëditja e deklaruar nga presidentja Vjosa Osmani (8,092 euro) dhe ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca (3,589 euro).

Ndërsa në përgjigjen e Universitetit “Kadri Zeka”, kjo shumë për vitin 2023 është shumë më e vogël në krahasim me atë që është deklaruar në APK. Në bazë të përgjigjes së dërguar nga zyrtarja financiare e UKZ-së, Hydajete Jashari-Latifi, të hyrat totale të prorektorit Leka në vitin 2023 nga UKZ kanë qenë 24,427.29 euro.

“Paga bazë 14,669.67 euro + kompensime për pune jashtë orarit, shtesat funksionale, shtesat transitore dhe mbi normat 9,757.62 euro”- thuhet në përgjigjen e datës 06.01.2026.

Edhe në deklarimin e bërë në vitin 2025, Leka ka deklaruar se gjatë vitit 2024 më shumë kishte të hyra nga mëditjet dhe udhëtimet se sa paga e tij.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2025 (për vitin 2024), prorektori Leka ka deklaruar 71,501 euro të hyra nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, prej të cilave: 18,766 euro pagë vjetore; 2 mijë euro për një punim shkencor; 16,409 euro për rimburësim për udhëtime jashtë vendit nga projektet Erasmus+ dhe nga UKZ; si dhe 34,324 euro të tjera për punë për projektet e Komisionit Evropian me programin Erasmus+ për periudha nga vitet paraprake.

Në vitin 2025 (për vitin 2024), Leka ka deklaruar rimbursim për udhëtimet jashtë vendit dhe pagesë për punë për projektet e Komisionit Europian (Erasmus +) në vlerë 50,733 euro, 2.7 herë apo 31,967 më shumë se paga e deklaruar vjetore, e cila është 18,766 euro.

Por, këto të hyra të deklaruara nga Leka kanë dallim me të dhënat e siguruara nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan.

Ndërsa në përgjigjen e rektorit të UKZ-së, Artan Dërmaku, thuhet se prorektori Leka në vitin 2024 ka marrë pagë vjetore në vlerë 20,032 euro. Nga kjo shumë, 17,160 euro ka qenë paga bazë dhe 2,872 euro kanë qenë kompensimet për punë shtesë.

Dërmaku nuk e ka komentuar deklarimin e pasurisë nga Leka, por ka thënë se sqarimet e dhëna për të hyrat e tij janë të dokumentuara.

“Sa i përket pagave dhe mëditjeve të cilat procedohen nga Thesari i Ministrisë së Financave, ju njoftojmë se të gjitha pagesat janë të justifikuara dhe të dokumentuara konform kontratës së punës, orarit të punës dhe rregulloreve përkatëse. Të gjitha këto pagesa, si mjete të tatimpaguesve të Republikës së Kosovës, kalojnë përmes procedurave të rrepta të verifikimit dhe janë në përputhje të plotë me ligjin”- ka thënë Dërmaku në një përgjigje për KALLXO.com.

Leka është pyetur nga KALLXO.com për shpërputhjen e të hyrave të deklurara nga ana e tij dhe përgjigjen e UPZ-së për të hyrat e tij – por ai nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet specifike për të hyrat e tij.

Më shumë mëditje, pagesë jashtë orarit e rimbursim për udhëtim se paga 

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga prorektori Leka në lidhje me rimbursimet për udhëtimet jashtë vendit nga projektet Erasmus+, për punën jashtë orarit por i njëjti nuk ka dhënë asnjë sqarim duke i sugjeruar ekipit që të bazohet në deklarimin të cilin e ka dorëzuar në APK.

Sa i përket mjeteve të marra nga projektet Erasmus+, rektori i UKZ-së, Artan Dërmaku, ka thënë se kompensimet bazohen ekskluzivisht në oraret e punës sipas marrëveshjeve të projektit e rregullativave të Komisionit Evropian. Po ashtu, ai ka thënë se kryhen gjithmonë jashtë orarit të rregullt të punës ose gjatë ditëve të festave, kur punonjësit angazhohen për detyra shtesë brenda projekteve.

“Të gjitha këto kompensime dokumentohen me raporte të punës të cilat dorëzohen dhe pranohen nga vet Komisioni Evropian, i cili deri më sot nuk ka pasur asnjë vërejtje të çfarëdo natyre, as nga auditimet e tyre, as nga agjencitë e tjera vendore ose ndërkombëtare monitoruese”- thuhet në përgjigjen e Dërmakut.

Dërmaku i ka thënë KALLXO.com se gjatë viteve 2024-2025 janë shfrytëzuar edhe mjetet e dedikuara për bashkëfinancim, të cilat lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe mobilitet.

Ai ka përmendur shumën totale mbi 39 mijë euro e cila sipas tij është faturuar në emër të prorektorit Leka por që shpenzimet nuk i takojnë vetëm atij por edhe  shpenzimet e bashkëpjesëmarrësve të tjerë.

“Gjatë këtyre viteve janë shfrytëzuar edhe mjetet e dedikuara për kofinancim, të cilat janë obligim i marrëveshjeve ndërkombëtare për mobilitet. Për vitet 2024 dhe 2025, deri në momentin e raportimit, shuma e shpenzuar është 39,668.41 euro. Megjithatë, theksojmë se jo të gjitha këto shpenzime i takojnë personit në fjalë; shpeshherë ato përfshijnë shpenzimet e bashkëpjesëmarrësve të tjerë (naftë, transport, parkingje, etj.), të cilat për arsye procedurale janë faturuar tek Prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, pasi nuk është e mundur të fakturohen individualisht për secilin pjesëmarrës”- thuhet në përgjigjen e rektorit Dërmaku.

Mëditje e rimburësime shumëfish më shumë se prorektorët e universiteteve të tjera

Rimburësimi për udhëtim jashtë vendit në deklarimin e vitit 2025 (për 2024) dhe mëditja e deklaruar në formularin e vitit 2024 (për 2023) janë shumë herë më të mëdha se të prorektorëve që mbajnë pozita të ngjashme në gjashtë universitetet e tjera publike në Kosovë.

Rozafa Basha, prorektore për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik në Universitetin e Prishtinës ka deklaruar 636 euro mëditje në vitin 2025 (për 2024) ndërsa në vitin 2024 (2023), ajo nuk ka deklaruar mëditje.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Edmond Beqiri, në vitin 2025 (për 2024) ka deklaruar 241 euro mëditje dhe 1,900 euro rimbursim për udhëtimin zyrtar nga fondet e projektit Erasmus+. Kurse në vitin 2024 (për 2023), i njëjti ka deklaruar mëditje në vlerë 1,953 euro, rimbursim për projektin NAWA 2,358 euro.

Ndërsa Serdan Kervan, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në vitin 2025 (për 2024) ka deklaruar mëditje 3,582 euro për udhëtim jashtë vendit. Ndërsa në vitin 2024 (për 2023), ajo ka deklaruar 631 euro mëditje për udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Kushtrim Cukaj, Prorektor i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Sigurimit të Cilësisë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në vitin 2025 (për 2024), ai ka deklaruar mëditje 842 euro. I njëjti është emëruar më 01.10.2024 në këtë pozitë.

Prorektorja për Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë dhe Prorektore për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, Kaltrina Kusari, si e vetmja prorektore që figuron në faqen e këtij universiteti, në vitin 2025 (për 2024) nuk ka deklaruar mëditje, vetëm shtesa dhe kompensime të tjera në vlerë 823 euro. Ajo është emëruar në këtë pozitë më 01.10.2024.

Kurse Edita Bekteshi, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë të Jugut, në vitin 2025 (për 2024) ka deklaruar mëditje në vlerë 1,175 euro. Ndërsa në vitin 2024 (për 2023) nuk ka deklaruar mëditje por shtesa dhe kompensime të tjera në vlerë prej 123 euro. E njëjta është emëruar në këtë pozitë më 14.05.2024.

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Artan Dërmaku, ka deklaruar se nga zyra e udhëhequr nga prorektori Leka janë fituar dhe/ose janë në implementim mbi 16 projekte ndërkombëtare Erasmus+ CBHE (15 projekte si partnere dhe 1 projekt si grantmbajtës – koordinator).

Sipas tij, deri më tani, këto projekte kanë përfshirë partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, kryesisht europianë, me një vlerë totale rreth 1,851,141.00 euro, “pa përfshirë projektet e reja të cilat pritet të fillojnë implementimin këtë vit”.

“Duke pasur parasysh se z.Leka është Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe udhëheq të gjitha proceset që lidhen me bashkëpunimin dhe projektet, ai është edhe gjeneratori kryesor i aktiviteteve në këtë fushë, siç parashihet me Statutin e UKZ-së (nenet 34–38). Ai është përgjegjës për ecurinë dhe implementimin e bashkëpunimit institucional dhe projekteve vendore dhe ndërkombëtare në të cilat UKZ është partner”- thuhet në përgjigjen e rektorit Dërmaku të datës 04.12.2025.

Si funksionon verifikimi i deklarimit të pasurisë që do t’i nënshkrohet Dukagjin Leka?

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konfirmuar se do të bëj verifikimin e plotë të pasurisë së prorektorit të UKZ-së, Dukagjin Leka pas informacioneve të pranuara nga KALLXO.com dhe analizave të brendshme.

APK në bazë të mandatit të tyre tashmë bëjnë edhe verifikimin e pasurisë dhe kjo është e përcaktuar edhe me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave e gjithashtu edhe Rregulloren për kontrollin e plotë të pasurisë që është miratuar nga ana e APK-së.

Në bazë të një përgjigje që i ka dhënë ekipit të KALLXO.com, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka dy forma që zbaton verifikimin e pasurisë.

“Në bazë të shortit vjetor, përzgjedhje e rastësishme e subjekteve deklaruese, që siguron trajtim të barabartë dhe të paanshëm të të gjithë zyrtarëve publikë dhe në bazë të informacioneve të jashtme ose indikacioneve të besueshme, të pranuara nga qytetarët, sinjalizuesit, mediat apo institucionet publike, të cilat mund të ngrenë dyshime për pasuri të pajustifikuar ose deklarim të pasaktë”- thuhet në përgjigjet e APK-së në kërkesat e KALLXO.com.

E ky verifikim ka edhe një afat ligjor se sa mund të zgjas.

“Sipas nenit 25 të Ligjit Nr. 08/L-108 dhe dispozitave të Rregullores për Kontrollin e Plotë, procesi i verifikimit të plotë të pasurisë për një subjekt deklarues mund të zgjasë deri në 6 muaj nga dita e fillimit të procedurës”- thotë APK.

Të njëjtit thonë se nëse gjatë verifikimit kërkohet kohë shtesë për mbledhjen e dokumentacionit plotësues, verifikimin e të dhënave nga institucione të tjera apo për marrjen e deklaratave sqaruese, afati mund të zgjatet edhe për një muaj shtesë, me vendim të arsyetuar.

Për hapat që ndërmerr Agjencia nëse zyrtari nuk arrin të arsyetojë pasurinë e tij, APK thotë se varen nga korniza ligjore.

Agjencia parashtron kallëzim penal në prokurorinë kompetente, kur ekziston dyshim i bazuar për vepër penale; Apo njofton institucionet tjera kompetente si Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana e Kosovës ose organet mbikëqyrëse përkatëse, nëse identifikohen elemente që bien në fushën e tyre të veprimit ligjor”- thotë tutje APK.

Kur përfundon verifikimi APK nuk publikon rezultatet individuale për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit dhe të drejtat e subjekteve gjatë procesurës ndonëse të dhënat bëhen përmes publikimit të raporteve periodike të punës.

E në këto të dhëna që bëhen publike në raporte të punës hyjnë edhe numri i rasteve që janë kontrolluar, rastet e mbyllura, kallëzimet penale të dorëzuara si dhe veprimet institucionale të ndërmarra në zbatim me ligjin.

https://kallxo.com/gjate/shperputhjet-ne-deklarimin-e-pasurise-se-dukagjin-lekes-avullimi-i-tokave-dhe-rekordet-me-meditje-e-rimbursime/

Lexo më shumë

Të tjera