Qeveria e Kosovës nuk arriti t’i shpenzojë gati 120 milionë euro nga buxheti i vitit 2024. Përderisa shpenzimet për kategori të ndryshme kanë pësuar rritje, për investime kapitale kanë mbetur të pashpenzuara rreth 200 milionë euro të planifikuara, ndërkohë që për të tjerat, si për transfere sociale, mallra, subvencione, dhe paga, shpenzimet kanë qenë më të mëdha krahasuar me vitin e kaluar. Derisa analistët kritikojnë mënyrën e shpenzimit të buxhetit 2024, raporton KosovaPress.
Sipas Institutit GAP, referuar raportit zyrtar të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve mbi 3.195 miliardë euro u shpenzuan gjithsej pagesa në vitin e kaluar nga mbi 3.314 miliardë sa ishte miratuar buxheti.
Ky raport thotë se në janar të vitit 2024 janë shpenzuar mbi 140 milionë euro, pasuar nga muajt e tjerë me mbi 210 milionë euro, përveç dhjetorit ku u shpenzuan mbi 580 milionë euro.
Sipas GAP-it, mbi 650 milionë euro kanë shkuar për shpenzime kapitale. Ndërsa, për subvencione mbi 1 miliard e 114 milionë euro.
Ata thonë se krahasuar me vitin 2022 dhe 2023, ka një dinamikë të përshpejtuar të shpenzimit të buxhetit.
Drejtori ekzekutiv në Institutin GAP, Blendi Hasaj në një pronocim për KosovaPress thotë se krahasuar me dy vitet e kaluara, në 2024-ën ka pasur shpenzim më të lartë për investime kapitale.
Sa i përket buxhetit total në realizim, në vitin 2023, Qeveria e Kosovës nuk arriti t’i shpenzojë mbi 286 milionë euro, në vitin 2022, mos shpenzimi i buxhetit ishte mbi 123 milionë euro.
Ndërkaq, lidhur me atë se shpenzimi i buxhetit të vitit 2024 kishte marrë hov më shumë muajt e fundit, sipas Hasajt kjo mund të ndodhë për shkak se bizneset i realizojnë punët më shumë në pjesën e dytë të vitit.
Për këtë dinamikë të shpenzimit të buxhetit, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se duhet të rritet llogaridhënia dhe të ketë përgjegjësi.
Ai shprehet se buxheti i Kosovës është i politizuar, e që sipas tij në këtë rast Kosova dëmtohet në vend se të zhvillohet.
Eksperti i ekonomisë, thotë se orientimi i investimeve është më shumë i ngjyrosur politikisht siç potencon ai sesa që ka projekte konkrete.
Sipas tij, mungesa e investimeve të mjaftueshme në projekte kapitale po e ngulfat zhvillimin ekonomik dhe po e pengon fuqizimin e sektorit privat.
Në vitin 2023 për investime kapitale u shpenzuan afro 561 milionë euro, derisa në vitin 2022 kjo shifër ishte mbi 422 milionë euro.
Njëjtë potencon edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, për çka thotë se shkak i mungesës së investimeve kapitale, është rritur importi.