E martë, 19 Gusht, 2025

Shihet rrugëve të Prishtinës, i arrestuar për drogë, ish-asamblisti VV-së Besnik Mujeci

Ndaj

Ish-asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci, i cili dy vjet më parë ishte arrestuar nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkotike, është parë rrugëve të Prishtinës, duke u shetitur i lirë, shkruan Kujdestari.info.

Mujeci ishte në mesin e disa të arrestuarve në Tiranë, pasi të dyshuarit u kapën me një dërgesë të dyshuar narkotike prej 11,300 tabletash të llojit “ekstazi MDMA”, me peshë 5.093 kilogramë, vlera e të cilave në treg aso kohe vlerësohej rreth 400 mijë euro.

Mujeci ishte zgjedhur asamblist i Vetëvendosjes dy mandate, në zgjedhjet e vitit 2017 ai kishte fituar ulëse pasi kishte marrë 616 vota, ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2021, ai kishte marrë 608 vota për ta siguruar sërish një ulëse në Kuvendin Komunal të Kryeqytetit.

Po atë ditë, Sekretari Organizativ i VV-së, Alim Rama, kishte konfirmuar se komisioni disiplinor i kësaj partie ka përjashtuar nga të gjitha funksionet në parti, Mujecin.

“Si rrjedhojë Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE”, kishte thënë Rama.

Kujdestari.info, ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën e Lartë të Tiranës për të pyetur rreth kësaj çështje dhe është në pritje të përgjigjës se si është liruar Mujeci. /Kujdestari.info/.

Lexo më shumë

Të tjera