Institucionet e Kosovës rrezikojnë të bien në përgjegjësi penale nëse vazhdojnë të shpërfillin vendimin e Gjykatës Supreme për heqjen e obligimit të pensionistëve që të lajmërohen çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë, ka vlerësuar Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Duke folur në “Interaktiv” të KTV-së, Shala ka theksuar se praktika aktuale e lajmërimit të pensionistëve përbën shkelje të dinjitetit të tyre dhe tashmë është konstatuar si e tillë edhe nga Avokati i Popullit.
“Shteti aktualisht nuk ka Udhëzim Administrativ të vlefshëm që mund ta zbatojë, sepse këto dispozita janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Supreme. Duhet të miratohet një Udhëzim Administrativ i ri që obligon institucionet publike ta verifikojnë në mënyrë proaktive statusin jetësor të pensionistëve”, ka deklaruar Shala.
Gjykata Supreme para më shumë se një muaji liroi nga obligimi i lajmërimit çdo gjashtë muaj në Zyrat Pensionale përfituesit e pensionit kontributpagues të moshës, pensionit invalidor, pensionit të paaftësisë së përhershme dhe pensionit familjar. Gjykata rekomandoi që institucionet të gjejnë mënyra për të vërtetuar nëse një pensionist është gjallë.