E shtunë, 14 Mars, 2026

Shahini thotë se nga Pavarësia u mbyllën mbi 2 mijë biznese në vit, kërkon veprime nga Qeveria e re

Ndaj

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka komentuar situatën e çregjistrimit të bizneseve në Kosovë, duke e cilësuar si një lajm shqetësues për ekonominë dhe tregun e punës.

Sipas Shahinit, mesatarisht që nga shpallja e pavarësisë, mbi 2 mijë kompani janë mbyllur çdo vit, ndërsa mbi 10 mijë kompani të reja janë hapur. Ai thekson se kjo nuk do të thotë se mbylljet janë më të vogla se hapjet.

 

“Mesatarisht në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e këndej janë mbyllur mbi 2 mijë kompani në vit dhe po ashtu janë hapur mbi 10 mijë kompani në vit, por kjo nuk do të thotë se mbyllja ka qenë më e vogël se hapja dhe kjo i mbulon ato kompani kanë pasur të punësuar, kanë pasur aktivitet, kanë paguar tatime dhe sot kur flasim për kompanitë që kanë bërë kërkesa për çregjistrim, konsiderojmë se këto kanë pasur më shumë se 3 të regjistruar dhe fati i atyre punëtorëve që kanë mbetur jashtë sistemit të punës nuk dihet. Shifra e bizneseve të hapura e mbulon pjesërisht realitetin, sepse kompanitë që janë mbyllur kishin të punësuar, numër fiskal dhe kontribute. Shumë nga ato kërkesa për çregjistrim përfshijnë kompani me më shumë se tre të punësuar, dhe fatin e këtyre bizneseve dhe punëtorëve nuk e di askush”, deklaroi Shahini për FrontOnline.

Ai ka bërë thirrje që Qeveria e re të marrë një mesazh të qartë dhe të reagojë ndaj këtij fenomeni.

“Qeveria e re duhet të marrë mesazh të qartë se pse po mbyllen bizneset, pse procedurat burokratike janë kaq të ndërlikuara, pse nuk po vijnë investitorët dhe pse qytetarët po largohen nga vendi”, tha Shahini.

Ai thekson se për të frenuar këtë trend negativ, është e nevojshme krijimi i një mjedisi më të favorshëm për biznes, thjeshtimi i procedurave dhe mbështetja e investimeve për të ruajtur vendet ekzistuese të punës dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Lexo më shumë

Të tjera