E mërkurë, 8 Prill, 2026

Shahini: Mijëra biznese në Kosovë ndalojnë aktivitetin, por raportohen si aktive

Ndaj

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka folur për situatën reale të bizneseve në vend, duke vënë në dukje se statistikat e Qeverisë shpesh nuk pasqyrojnë gjendjen e vërtetë.

“Nga viti 2000 deri në 2020 janë hapur rreth 8 mijë biznese dhe janë mbyllur rreth 2 mijë. Që nga viti 2020 e këtej, janë hapur rreth 11 mijë biznese, ndërsa janë mbyllur rreth 2 mijë,” tha Shahini.

Ai shtoi se shumë biznese që kanë ndaluar aktivitetin nuk regjistrohen si të mbyllura zyrtarisht për shkak të procedurave të komplikuara në Kosovë. “Realiteti është se rreth 4,500 deri 5,000 biznese e kanë ndalur aktivitetin ose kanë falimentuar, por Qeveria vazhdon t’i konsiderojë si biznese aktive,” u shpreh Shahini.

Shahini theksoi se, edhe pse këto biznese nuk kontribuojnë më për familjet dhe shtetin, Aleanca i konsideron të mbyllura për të pasqyruar gjendjen reale të tregut dhe sfidat e sektorit privat.

“Këto biznese i konsiderojmë të mbyllura kurse Qeveria i raporton si aktive. Procedurat për mbyllje janë të rënda dhe shumë biznese heqin dorë nga mbyllja zyrtare, pushojnë aktivitetin, dhe nuk kontribuojnë as për vete, as për familje, as për shtet,” tha Shahini.

Agim Shahini, ka deklaruar se të hyrat nga taksat në sektorin e derivateve nuk janë në rënie, pavarësisht luhatjeve të çmimeve në treg.

“Nuk bie mbledhja e taksave. Buxheti për vitin 2026 është paraparë me çmim rreth 1.20 euro, ndërsa tani çmimi është rreth 1.80 euro. TVSH-ja dhe akciza mbeten të njëjta,” theksoi Shahini.

Ai kritikoi Qeverinë për mungesë guximi për të ndërhyrë në këtë situatë, duke theksuar se ndryshimi i akcizës dhe TVSH-së konsiderohet një hap i madh, por i domosdoshëm.

“Qeveria nuk ka guxim të ndërhyjë në këtë transaksion të ri, sepse prekja e akcizës dhe TVSH-së shihet si diçka revolucionare. Megjithatë, kjo duhet të bëhet,” u shpreh ai.

Lexo më shumë

Të tjera