E mërkurë, 4 Mars, 2026

Seancë e jashtëzakonshme për buxhetin 2026 në Prishtinë: Sa e ku shkojnë parat?

Ndaj

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupia, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për të premten, ku në rend të ditës është miratimi i buxhetit për vitin 2026. Seanca është thirrur për në orën 10:00. Por, ku do të shkojnë paratë. Kujdestari.info sjellë detaje…

Investimet kapitale, kryesisht kopje nga viti i kaluar, janë parashikuar në buxhetin e ardhshëm. Prishtina pret të ketë një buxhet prej 151,533,449 euro për vitin 2026. Për krahasim, në vitin 2025 Komuna e Prishtinës kishte një buxhet të miratuar në vlerë prej 128,100,224 euro.

Buxheti pritet të dërgohet në Kuvend nga legjislatura e re, tash kur nw anwn e krytarit rama është shumica parlamentare, përfshirë PDK-AAK, NISMA e Lista për Prishtinën.

Por çfarë parashikon draft-buxheti për vitin 2026, të përgatitur nga ekzekutivi i kryesuar nga Përparim Rama? Kujdestari.info sjell detajet:

Shpenzimet kapitale në këtë draft-buxhet janë parashikuar në vlerë prej 53,276,992 euro. Ajo që bie në sy është se e gjithë kategoria e shpenzimeve kapitale është përsëritur në masë të madhe për projektet e njëjta të vitit 2025.

Psh, disa nga projktet e njëta janë:

Vazhdimi i ndërtimit të kolektorit në Kalabri

Ndërtimi i rrugës “Abedin Dino” në Kolovicë / Sofali-Kolovicë faza II

Ndërtimi i rrugëve në lagjen “Arbëria e Re”

Ndërtimi i rrugëve në Siqevë, Sharban dhe zgjerimi i rrjetit të kanalizimit

Ndërtimi i rrugëve në lagjen “Hajvalia”

Ndërtimi i rrugëve në lagjen “Kodra e Trimave”

Ndërtimi i rrugëve në fshatin Mramor

Ndërtimi i krahëve të rrugës “Muharrem Fejza”

Rruga “A”, kolektori dhe rruga

Zgjerimi dhe rregullimi i trasesë rrugore, faza 1, Llukar – Makovc

Ndërtimi i rrugëve në lagjen “Taslixhe”: rr. “Rexhep Shema” dhe “Naser Hajrizi”

Ndërtimi i rrugës “Smajl Hajdari”-Bërnicë -Milec

Ndërtimi i rrugëve te Vreshtat, që lidhet me rrugën “Xhavit Ahmeti”

Ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush”

Ndërtimi i rrethojave të varrezave të komunës së Prishtinës

Ridizajnimi dhe ndërtimi i fontanave

Ndërtimi i parkut në Hajvali

Ndërtimi i parkut Bregu i Diellit

Ndërtimi i parkut në lagjen “Kalabria”, faza IV

Ndërtimi i parkut në rrugën “Muharrem Fejza”

Ndërtimi i parkut sportiv dhe këndeve të lodrave në lagjen V Prugoc

Ndërtimi i sallës koncertale

Ndërtimi i thertores publike dhe Tregu i kafshëve në Prishtinë

Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës

Ndërtimi i Liceut Artistik, etj.

Shpenzimet kapitale dhe sektoriale tregojnë se prioritet kryesor mbetet investimi në infrastrukturë, shëndetësi, arsimin dhe zhvillimin e hapësirave publike.

Shpenzimet kapitale për vitin 2026 arrijnë në mbi 53 milionë euro, ku pjesa më e madhe shkon për Drejtorinë e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave (rreth 29 milionë euro). Projekti më i madh është ndërtimi i rrugëve dhe shesheve kryesore, si sheshi “Xhorxh Bush”, ishulli urban Arbëri-Pallati i Rinisë, rrugët lidhëse si “Abedin Dino” faza II, kolektorët e kanalizimeve dhe rrjeti i ujësjellësit. Po ashtu, vazhdon ndërtimi i rrugës “A” dhe depërtimi i saj bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Sigurisë e Emergjençës kanë planifikuar investime në ndriçim publik, semaforë, rrethojat e varrezave, fasada ndërtesash, pajisje për pastrimin e qytetit dhe zgjerimin e rrjetit të kamerave në qytet, me një buxhet prej rreth 8,4 milionë eurosh të kombinuara. Parqet dhe hapësirat gjelbëruese mbulojnë 3,18 milionë euro, duke përfshirë ndërtimin e parkut në Kodrën e Trimave, Hajvali, lagjen “Kalabria” dhe zona të tjera strategjike.

Në sektorin e shëndetësisë, buxheti total është 16,47 milionë euro, ku pjesa më e madhe (10,7 milionë euro) dedikohet për paga dhe mëditje të stafit shëndetësor. Një pjesë e konsiderueshme shkon për furnizime mjekësore, barna, renovime dhe ndërtimin e Spitalit të Prishtinës.

Arsimi ka një buxhet prej mbi 41 milionë euro. Paga dhe mëditje për mësuesit dhe stafin arsimor përbëjnë 29,3 milionë euro, ndërsa rreth 6 milionë euro dedikohen për ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe çerdheve, furnizim me inventar shkollor, digjitalizim të proceseve edukative, pajisje laboratorike, dhe zhvillimin e hapësirave sportive.

Për kulturën, sportin dhe rinisë, janë planifikuar mbi 13 milionë euro investime, përfshirë Muzeun e Shtëpive-Shkolla, sallën koncertale, memorialin e Dr. Ibrahim Rugovës, fushat sportive, tribunat e stadiumeve dhe kënde lodrash.

Një pjesë tjetër e buxhetit prej 5,5 milionë eurosh është dedikuar për subvencione dhe transfere, duke përfshirë administratën, kulturën, sportin, bujqësinë dhe shërbimet sociale. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera