Ismajl Rushiti nga Departamenti i Rregullave i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) ka thënë se numri i kontratave njëburimore përgjatë vitit 2024, ka rënë.
Në emisionin “Kallxo Përnime” ai tha se procedura e negociuar për të nënshkruar një kontratë është krejtësisht ligjore, por që sipas tij, duhet të plotësihen disa kushte.
“Në vitin 2024 në raport me vitet paraprake ka një ulje të përdorimit të procedurës, sidomos për nga vlera, për nga përqindja, në raport me kontratat e nënshkruara. Nëse lëshohemi në përqindje 5.67% përdorimi i procedurave të negociuara për vitin 2024. Një ndër arsyet kryesore ose faktorët kryesorë kanë të bëjnë që KRPP në bashkëpunim me donatorët, ka hartuar edhe metodologjinë e monitorimit ku gjithashtu ka organizuar edhe trajnime të ndryshme sa i përket përdorimit”– ka thënë Rushiti.
Ai ka bërë të ditur se KRPP-ja gjatë vitit 2024 ka monitoruar 170 kontrata të tilla, që janë të procedurës së negociuar.
“Kurdo që një autoritet kontraktues vendos me e përdorë një procedurë të negociuar, kushtet duhet të respektohen sipas nenit 35 të Ligjit të Prokurimit. KRPP-ja jo domosdoshëmrisht, sepse nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për me monitoru secilin procedurë, sepse në vitin 2024 janë publikuar 270 procedura njëburimore, ku 170 prej tyre janë të monitoruara, kurse rreth 38 opinione janë lëshuar për procedurat e monitoruara”– tha Rushiti.