E martë, 16 Dhjetor, 2025

RTK e sjell Bundesligën në ekran përmes kontratës së negociuar me TRING-un

Ndaj

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka realizuar një kontratë me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë, për blerjen e të drejtave të transmetimit të ndeshjeve të Bundesligës gjermane për tri sezone – 2025/26, 2026/27 dhe 2027/28, shkruan Kujdestari.info.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën e prokurimit publik, kontrata do të lidhet me kompaninë TRING TV sh.a. nga Shqipëria, ndërsa vlera totale e marrëveshjes arrin në 240 mijë euro.

Kjo kontratë parasheh që RTK të sigurojë të drejtat e transmetimit të kampionatit gjerman të futbollit përmes platformës së saj televizive TV-Vala, që funksionon si pjesë e ofertës së shërbimeve IPTV të transmetuesit publik.

Në njoftim thuhet se me anë të kësaj procedure, “synohet furnizimi me përmbajtje (kontent) televizive për shërbimet e IPTV TV-Vala, duke përfshirë të drejtat ekskluzive për transmetimin e Bundesligës në territorin e Kosovës”.

RTK ka përdorur procedurën me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë, një formë që lejon lidhjen e marrëveshjeve në raste specifike, kur konsiderohet se vetëm një operator ekonomik mund të ofrojë shërbimin në fjalë në këtë rast, TRING TV, që mban të drejtat rajonale për transmetimin e Bundesligës.

Nëse marrëveshja zbatohet siç parashihet, nga sezoni i ardhshëm futbollistik Bundesliga gjermane do të rikthehet në ekranin e RTK-së, pas disa vitesh mungese. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera