Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2025, duke raportuar një rritje prej 1.2 për qind të indeksit të përgjithshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, shkruan Kujdestari.info.
Sipas ASK-së, rritja e përgjithshme është shtyrë kryesisht nga prodhimet blegtorale, çmimet e të cilave shënojnë rritje prej 4.9 për qind, ndërsa prodhimet bimore kanë pësuar rënie prej 0.8 për qind. Kjo ndarje tregon për një mospërputhje të qartë mes sektorëve, por raporti nuk ofron shpjegime të mjaftueshme për arsyet strukturore të këtyre lëvizjeve.
Nga ana tjetër, rritja e çmimeve në blegtori, përfshirë kafshët e gjalla, qumështin, vezët dhe mjaltin, paraqitet si zhvillim pozitiv në statistika, por pa sqarime nëse kjo rritje përkthehet në përfitim për prodhuesit apo thjesht në çmime më të larta për konsumatorët.
Raporti thekson se të dhënat janë mbledhur në tregje, ferma dhe pika të tjera grumbullimi.
Në fund, edhe pse ASK ofron shifra krahasuese dhe indekse standarde, raporti mbetet më shumë një pasqyrë numerike sesa një analizë që ndihmon politikëbërjen, fermerët apo publikun të kuptojnë se çfarë po ndodh realisht me çmimet dhe prodhimin bujqësor në vend. /Kujdestari.info/

