Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen graduale të pagës minimale në vitin 2026 do të ndikojë drejtpërdrejt mbi 131 mijë të punësuar me orar të plotë, apo rreth 36 për qind të fuqisë punëtore në vend, vlerëson Instituti GAP në analizën e tij më të fundit.
Sipas raportit, paga minimale bruto do të rritet fillimisht nga 350 euro në 425 euro në periudhën janar–qershor 2026, për të arritur më pas në rreth 500 euro nga muaji korrik. Vetëm faza e parë e kësaj rritjeje pritet të prekë rreth 93 mijë punëtorë, ndërsa faza e dytë e zgjeron ndikimin edhe tek ata që aktualisht marrin paga deri në 500 euro bruto.
Megjithatë, analiza e GAP-it thekson se e gjithë kostoja financiare e kësaj mase, mbi 85 milionë euro në vit, do të bartet nga sektori privat. Kjo shumë përfaqëson rreth 2 për qind të faturës totale të pagave në ekonomi, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e bizneseve të vogla dhe të mesme, veçanërisht në sektorë me marzhe të ulëta fitimi.
Sektorët më të prekur nga rritja e pagës minimale pritet të jenë industria e ushqimit dhe pijeve, tregtia me pakicë, ndërtimtaria dhe shërbimet personale si sallonet e bukurisë dhe shërbimet e pastrimit, ku dominon puna me paga minimale.
Instituti GAP vlerëson se, ndonëse rritja synon përmirësimin e kushteve të jetesës për punëtorët, mënyra dhe koha e marrjes së vendimit vetëm dy muaj para përfundimit të vitit ka krijuar vështirësi serioze për planifikimin financiar të bizneseve.
Rritja e pagës minimale në Kosovë nuk ka prodhuar deri më tani dëshmi të qarta për humbje masive të vendeve të punës, por rreziku për punësimin e të rinjve dhe punëtorëve me më pak shkathtësi mbetet real, vlerëson Instituti GAP në analizën e tij mbi efektet ekonomike të kësaj politike.
Duke analizuar rritjet e mëparshme të pagës minimale nga 264 euro në vitin 2023 dhe në 350 euro në vitin 2024 -GAP ka përdorur modelin empirik “Difference-in-Differences” për të krahasuar sektorët më të ekspozuar ndaj pagës minimale me ata më pak të ekspozuar. Rezultatet nuk tregojnë efekte statistikisht të rëndësishme negative në punësim pas këtyre rritjeve.
Sipas analizës, edhe nëse supozohet një ndikim negativ në punësim, ai do të ishte relativisht i vogël – rreth 0.3 për qind, apo afërsisht 1,200 vende pune në nivel vendi – një shifër që nuk konsiderohet alarmante në raport me përfitimin për mbi 130 mijë punëtorë.
Megjithatë, GAP paralajmëron se rritja e pagës minimale mund të rrisë barrierat e hyrjes në tregun e punës, veçanërisht për të rinjtë dhe personat me kualifikime më të ulëta, pasi punëdhënësit bëhen më selektivë në kushtet e kostove më të larta të punës.
Raporti gjithashtu ngre shqetësimin për rritjen e mundshme të informalitetit, nëse zbatimi i pagës së re nuk shoqërohet me mbikëqyrje të shtuar nga Inspektorati i Punës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Në përfundim, Instituti GAP rekomandon që vendimet për rritje të mëtejshme të pagës minimale të bazohen në analiza më të thelluara dhe konsultime të gjera me sektorin privat, për të shmangur efekte anësore që mund të dëmtojnë punësimin dhe stabilitetin ekonomik. /Kujdestari.info/