E diel, 15 Mars, 2026

Rritja e çmimit të rrymës ua rrezikon funksionimin kompanive prodhuese e shërbyese

Ndaj

Përfaqësues të bizneseve kanë thënë se shumë kompani prodhuese dhe start-up që kanë dalë në treg të lirë të energjisë dhe që i shesin produktet e tyre jashtë vendit rrezikojnë të mos e përballojnë koston e energjisë dhe të humbin tregjet

Me uljen e temperaturave ka filluar që të rritet konsumi i energjisë e bashkë me të edhe çmimet e rrymës që po importohet. Një megavat për orë e energjisë të martën është importuar me çmim mesatar prej 370 eurosh.

Kushtrim Ahmeti, drejtor i Dhomës së Tregtisë, ka thënë se rritja e çmimeve e rrezikon funksionimin e bizneseve të dala në treg të hapur të energjisë, e sidomos kompanitë prodhuese.

“Rreziku është se si do të qëndrojnë deri në fundvit dhe rreziku tjetër është se ato rrezikojnë ta humbin edhe tregun për shkak se ato nuk do të mund të rrisin çmimin se janë të pafavorshme në tregjet botërore”, ka theksuar ai.

Eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka thënë se me rënien e temperaturave rritet kërkesa për ngrohje dhe kjo reflektohet drejtpërsëdrejti në rritje të çmimeve të rrymës në tregjet evropiane.

“Meqenëse bizneset e mëdha janë pjesë e tregut të hapur nga 1 qershori i këtij viti dhe furnitorët e përdorin energjinë elektrike nga shtetet e bashkimit evropian, atëherë kjo rritje e çmimeve në Bashkimin Evropian si rezultat i rënies së temperaturave reflekton drejtpërsëdrejti edhe në rritjen e kostos së furnizimit të këtyre ndërmarrjeve”, ka theksuar Haxhimusa.

Lexo më shumë

Të tjera