Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tremujorin e tretë të vitit 2025, çmimet e pronave për banim kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tregu i patundshmërive në Kosovë po vazhdon me ritmin e rritjes, pavarësisht luhatjeve sezonale.
Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) është rritur për 2,4 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2025 (TM3), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Në anën tjetër, krahasuar me tremujorin paraprak (TM2 2025), çmimet kanë pësuar një rënie prej 2,1 për qind, duke treguar një ftohje të lehtë të tregut pas muajve të verës.
Në rajonin e Prishtinës, çmimet e banesave janë rritur për 1,3 për qind krahasuar me TM3 2024. Kjo rritje më e ngadalshme tregon një stabilizim të tregut të kryeqytetit, i cili mbetet megjithatë më i shtrenjtë në nivel vendi.

Në rajonet tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit kanë shënuar një rritje më të lartë – 4,3 për qind, duke reflektuar interesin gjithnjë në rritje për blerje jashtë Prishtinës, ku çmimet janë më të përballueshme.
Nga analiza e periudhës TM1 2019 – TM3 2025, vihet re se çmimet e pronave kanë ruajtur një trend të qëndrueshëm rritës, ndonëse me dallime mes rajoneve dhe tremujorëve./Kujdestari.info/.