E premte, 13 Mars, 2026

Rrezik serioz në rrugën Pejë-Kuqishtë, Besnik Lajqi alarmon për gjendjen e segmentit në Rugovë

Ndaj

Gjendja e rrugës Pejë- Kuqishtë në Rugovë po cilësohet si alarmante dhe me rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe vizitorëve, shkruan Kujdestari.info.

Aktivisti rugovian, Besnik Lajqi, përmes një reagimi publik në Facebook ka ngritur shqetësimin për segmentin e dëmtuar të kësaj rruge, duke theksuar se ajo është e mbushur me gropa të mëdha dhe pjesë të rrezikshme që po shkaktojnë dëme të vazhdueshme.

Sipas tij, vetëm mbrëmjen e fundit një familje nga Tirana, e cila kishte ardhur për pushim në Rugovë, ka pësuar dëmtime të rënda në automjet pasi ka rënë në një gropë, duke iu plasur dy goma. Ai thekson se ky nuk është rast i izoluar, por situatë që po përsëritet pothuajse çdo ditë.

Lajqi paralajmëron se përveç rrezikut në trafik dhe dëmeve materiale, kjo gjendje po dëmton edhe imazhin turistik të Rugovës, duke pasur parasysh se turizmi përbën burim kryesor të jetesës për zonën.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se nëse deri ditën e mërkurë nuk fillon ndërhyrja për mbylljen e gropave, do të organizojë një aksion qytetar për sinjalizim dhe mbulim të përkohshëm të tyre, me qëllim parandalimin e aksidenteve, duke kërkuar bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet përkatëse.

Lajqi ka ftuar të gjithë banorët e Rugovës dhe qytetarët që dëshirojnë të kontribuojnë, të bashkohen në këtë iniciativë qytetare. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera