E mërkurë, 4 Mars, 2026

KRPP sqaron rregullat e prokurimit pas kontratës së Komunës së Ferizajt me kompani të shuar në ARBK

Ndaj

Komuna e Ferizajt, që udhëhiqet nga kryetari Agim Aliu, ka lidhur kontratë me një kompani e cila, sipas të dhënave zyrtare, nuk ka qenë aktive në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), pasi rezulton të jetë e shuar që nga viti 2021, shkruan Kujdestari.info.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), institucioni përgjegjës për interpretimin dhe zbatimin e Ligjit për Prokurimin Publik, ka sqaruar detyrimet ligjore të operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve kontraktuese pas rastit të kontratës së lidhur nga Komuna e Ferizajt me një kompani që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) figuron e shuar.

Bëhet fjalë për kontratën “Furnizimi dhe mirëmbajtja e teknologjisë informative në shkollat e Komunës së Ferizajt”, me vlerë 148,346.60 euro, e nënshkruar më 3 nëntor 2025, ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe kompanisë “Comtrade Computers O.K”, e cila sipas të dhënave zyrtare të ARBK-së rezulton e shuar që nga 25 qershori 2021.

Pas publikimit të këtij rasti, Kujdestari.info ka kërkuar sqarim zyrtar nga KRPP lidhur me lejueshmërinë ligjore që një operator ekonomik të aplikojë, të vlerësohet dhe të lidhë kontratë publike me një emër juridik që figuron i shuar, duke pretenduar vazhdimësi të biznesit pas ndryshimit të formës juridike.

Përgjigjja e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) jep interpretim të përgjithshëm të dispozitave ligjore dhe rregulloreve në fuqi për prokurimin publik dhe nuk i referohet një rasti konkret apo një autoriteti të veçantë kontraktues. Sqarimi është kërkuar nga Kujdestari.info në kontekst të kontratës së publikuar më herët nga Komuna e Ferizajt.

Çfarë thotë KRPP?

Në përgjigjen e saj zyrtare, KRPP ka sqaruar se Ligji i Prokurimit Publik është ligj procedural, i cili rregullon procesin e prokurimit nga inicimi deri në nënshkrimin e kontratës, dhe se roli i këtij institucioni është të ofrojë ndihmë teknike dhe interpretim të dispozitave ligjore për autoritetet kontraktuese dhe operatorët ekonomikë.

KRPP ka theksuar se përdorimi i sistemit të prokurimit elektronik rregullohet me Rregulloren Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, e plotësuar dhe ndryshuar me Rregulloren Nr. 002/2024, ku përcaktohen qartë obligimet për regjistrim dhe përditësim të të dhënave të operatorëve ekonomikë.

Sipas nenit 3.16 të kësaj rregulloreje, të gjithë operatorët ekonomikë që janë të regjistruar dhe aktiv në platformën e prokurimit elektronik janë të obliguar që menjëherë të përditësojnë të dhënat e tyre në rast të çdo ndryshimi në ARBK ose ATK, përfshirë ndryshimin e emrit, formës juridike, numrit fiskal, statutit të biznesit apo edhe shuarjen e tij.

KRPP sqaron se përditësimi i këtyre të dhënave është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e operatorit ekonomik dhe duhet të bëhet sipas udhëzimeve të publikuara në platformën e prokurimit elektronik.

Mospërputhjet në rastin konkret

Në rastin e Komunës së Ferizajt, kontrata është lidhur me një subjekt juridik që në ARBK figuron i shuar, ndërkohë që dokumentacioni i ofertës, përfshirë certifikatën e regjistrimit dhe referencat, i përkasin një subjekti tjetër  “Comtrade Computers SH.P.K”.

Komuna ka sqaruar më herët se sipas saj bëhet fjalë për vazhdimësi të biznesit dhe se operatori ka mbetur i regjistruar me emrin e vjetër në platformën e e-prokurimit. Megjithatë, sqarimi i KRPP-së thekson se çdo ndryshim i statusit juridik duhet të reflektohet menjëherë në sistem, duke mos lënë hapësirë për përdorimin e të dhënave të papërditësuara gjatë procedurës së prokurimit.

Në këtë kontekst, mospërputhja ndërmjet emrit të operatorit në platformën e e-prokurimit, emrit në kontratë dhe certifikatës së biznesit ngre dyshime serioze mbi rregullsinë procedurale të procesit të prokurimit dhe përmbushjen e obligimeve ligjore nga operatori ekonomik.

Edhe pse KRPP nuk konstatoi shkelje konkrete në këtë rast, sqarimi i saj përcakton qartë standardin ligjor që duhet të zbatohet në raste të tilla. Sipas këtij standardi, aplikimi me të dhëna të papërditësuara dhe lidhja e kontratës me një subjekt juridik që figuron i shuar nuk është në përputhje me rregulloren e prokurimit publik.

Po ashtu, autoritetet kontraktuese kanë obligim ligjor të verifikojnë statusin juridik aktual të operatorëve ekonomikë para nënshkrimit të kontratës, në mënyrë që të sigurohet ligjshmëria dhe vlefshmëria e procesit të prokurimit.

Rasti i Komunës së Ferizajt mbetet një shembull i mospërputhjes ndërmjet praktikës administrative dhe kërkesave ligjore të prokurimit publik, ndërsa sqarimi i KRPP-së vendos një bazë të qartë për vlerësimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. /Kujdestari.info/

Lexo edhe:

Komuna e Ferizajt lidh kontratë rreth 150 mijë euro me kompani që në ARBK figuron e shuar

Lexo më shumë

Të tjera