E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Rivendoset masa mbrojtëse për çmimet e naftës, kufizohen marzhat e fitimit

Ndaj

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në tregun vendor.

Hajdari në një postim në Facebook ka shkruar se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien.

Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale është përcaktuar si vijon: Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër; Shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër.

Rozeta Hajdari shkruan po ashtu se përmes këtij vendimi të sotëm, që hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, çdo herë, me punë e veprime të guximshme për të mbrojtur konsumatorët dhe për të promovuar konkurrencën e drejtë në tregun e Republikës së Kosovës”, shkruan ajo.

Masat e parafundit nga MINT, ishin vendosur më 7 prill 2025 për rregullimin e çmimeve të naftës në tregun vendor, duke vendosur, masa mbrojtëse për konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme. Edhe atëherë, vendimi përcaktoi se marzha maksimale e fitimit për shitjen me shumicë të naftës do të jetë 2 centë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë, marzha maksimale do të jetë 12 centë për litër. Megjithatë, masa të para mbrojtëse dhe kufizime të marzhave ishin vendosur në vitin 2022.

Lexo më shumë

Të tjera