E shtunë, 14 Mars, 2026

Remitancat mbi 1.28 miliardë euro deri në nëntor 2025: Diaspora vazhdon të mbajë peshën kryesore të ekonomisë

Ndaj

Remitancat e dërguara nga diaspora vazhdojnë të jenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, duke luajtur rol kyç në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe në mbështetjen e konsumit të brendshëm, shkruan Kujdestari.info.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), remitancat deri në fund të tetorit 2025 kanë arritur vlerën prej 1.17 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 48.51 milionë euro apo 4.32 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

“Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore”, thuhet në raportin e BQK-së, duke nënvizuar rolin e tyre vendimtar në strukturën e Bilancit të Pagesave.

Ndërkohë, sipas vlerësimeve preliminare, remitancat vetëm për muajin nëntor 2025 kanë qenë rreth 104.85 milionë euro, duke e çuar vlerën kumulative të tyre në 1.28 miliardë euro deri në fund të nëntorit 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej 4.20 për qind krahasuar me periudhën paraprake.

BQK sqaron se edhe gjatë muajit nëntor, prurjet më të mëdha të remitancave janë realizuar përmes institucioneve financiare jobanka (IFJB), të cilat përbëjnë 56.06 për qind të totalit. Ndërkohë, 16.88 për qind e remitancave kanë ardhur përmes bankave komerciale, ndërsa 27.06 për qind përmes kanaleve të tjera.

Remitancat janë pjesë përbërëse e të ardhurave dytësore, të cilat sipas BQK-së, deri në tetor 2025 kanë shënuar bilanc pozitiv prej 1.73 miliardë euro, apo 4.23 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pikërisht këto të ardhura, ku remitancat zënë peshën kryesore, kanë ndihmuar në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse, i cili deri në tetor 2025 ka arritur në 734.04 milionë euro.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se rritja e vazhdueshme e remitancave reflekton jo vetëm lidhjen e fortë të diasporës me Kosovën, por edhe varësinë strukturore të ekonomisë nga këto prurje financiare, sidomos në kushtet e deficitit të lartë tregtar dhe rritjes së importeve.

Në këtë kontekst, të dhënat e fundit të BQK-së konfirmojnë se, edhe në vitin 2025, remitancat mbeten një nga burimet më të qëndrueshme të financimit të ekonomisë së Kosovës dhe një faktor kyç për stabilitetin makroekonomik të vendit. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera