E shtunë, 14 Mars, 2026

Refuzimi i kontratës me KQZ-në i kushton shtrenjtë Europrint Group: OSHP e përjashton nga prokurimet për 6 muaj

Ndaj

Një proces i rëndësishëm i prokurimit publik, i lidhur drejtpërdrejt me përgatitjet për Zgjedhjet Lokale 2025, ka përfunduar me masa ndëshkuese ndaj një operatori ekonomik.  Sipas dokumentit zyrtar, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka konstatuar se kompania Europrint Group Sh.p.k. nuk ka respektuar kushtet e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe ka dështuar të nënshkruajë kontratën me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky veprim, i vlerësuar si shkelje e Ligjit për Prokurim Publik, ka çuar në diskualifikimin e kompanisë nga pjesëmarrja në prokurime publike për një periudhë gjashtëmujore.

EUROPRINT GROUP SH.P.K është një kompani mjaft aktive në tenderët publikë. Ajo është e shtrirë edhe në Shqipëri nëpërmjet një dege të saj të regjistruar atje.Por, bazuar në dokumentin zyrtar, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë një vendim me peshë lidhur me një aktivitet të ndjeshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që kishte të bënte me furnizimin me jelekë për Zgjedhjet Lokale 2025. Vendimi hedh dritë mbi një proces të kontestuar prokurimi, ku në qendër ndodhet raporti ndërmjet autoritetit kontraktues dhe një operatori ekonomik, si dhe interpretimi strikt i Ligjit për Prokurim Publik.

Në një vendim të datës 19 janar 2026, Paneli Shqyrtues i Prokurimit, ka aprovuar kërkesën e KQZ-së për diskualifikimin e operatorit ekonomik Europrint Group Sh.p.k nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë gjashtëmujore. Ky vendim është marrë në bazë të nenit 99 paragrafi 2 të Ligjit për Prokurim Publik, i cili parasheh masa ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomikë që paraqesin të dhëna të rreme ose që dështojnë të përmbushin obligimet e tyre kontraktuale.

Sipas dokumentit, KQZ kishte rekomanduar Europrint Group Sh.p.k për dhënie të kontratës më 6 shtator 2025, në kuadër të aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizim me jelekë për Zgjedhjet Lokale 2025”. Megjithatë, pas shpalljes së fituesit, procesi nuk ka përfunduar me nënshkrimin e kontratës. Autoriteti kontraktues pretendon se operatori ekonomik ka refuzuar nënshkrimin, duke u arsyetuar me pamundësinë për të furnizuar jelekët sipas ngjyrave dhe afateve të kërkuara, çka sipas KQZ-së ka shkaktuar dëm institucional dhe ka çuar në anulimin e tërësishëm të tenderit.

Nga ana tjetër, Europrint Group Sh.p.k, në përgjigjen e saj drejtuar OSHP-së, ka kundërshtuar këto pretendime, duke argumentuar se gjatë fazës së dorëzimit të mostrës nuk ishte specifikuar qartë ngjyra e jelekut, por vetëm dimensionet teknike. Sipas operatorit, mostra e dorëzuar kishte qenë në ngjyrë të gjelbër dhe vetëm pas shpalljes së fituesit ishte kërkuar furnizimi me ngjyra të tjera, konkretisht të kaltër dhe hiri, çka sipas tyre përbënte ndryshim të kushteve pas përfundimit të vlerësimit të ofertave. Europrint ka pretenduar gjithashtu se nëse ngjyra do të kishte qenë kriter eliminues, oferta e tyre do të duhej të ishte refuzuar në fazën e vlerësimit dhe jo në momentin e nënshkrimit të kontratës.

Megjithatë, pas shqyrtimit të plotë të dokumentacionit, përfshirë dosjen e tenderit të publikuar më 16 gusht 2025, OSHP ka konstatuar se specifikimet teknike kanë qenë të qarta që në fillim. Në dokumentin zyrtar të tenderit ishin përcaktuar qartë ngjyrat e jelekëve për kategori të ndryshme të stafit zgjedhor, ku për QNR ishte kërkuar ngjyra e kaltër, ndërsa për QKN ngjyra hiri. Paneli ka vlerësuar se operatori ekonomik, përkundër këtyre specifikimeve, ka dorëzuar edhe një deklaratë me shkrim ku është zotuar se do t’u përmbahej kushteve, specifikave teknike dhe afateve të liferimit, ashtu siç ishin përcaktuar në dosjen e tenderit.

Në këtë kontekst, OSHP ka arritur në përfundimin se kërkesa për ndryshim të ngjyrës së produktit nuk mund të konsiderohej si negociatë e re, por si zbatim i kushteve ekzistuese të tenderit, të cilat operatori i kishte pranuar me shkrim. Mosnënshkrimi i kontratës, sipas vlerësimit të panelit, përbën bazë ligjore për marrjen e masave ndëshkuese, pasi cenon integritetin dhe funksionalitetin e procesit të prokurimit publik.

Për rrjedhojë, OSHP ka vendosur që Europrint Group Sh.p.k të diskualifikohet nga pjesëmarrja në të gjitha procedurat e prokurimit publik për një periudhë prej gjashtë muajsh, nga 14 janari deri më 14 korrik 2026. Vendimi është përfundimtar në rrugë administrative, ndërsa palës së pakënaqur i mbetet e drejta që brenda 30 ditësh t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesëpadi për anulim të vendimit.

Lexo më shumë

Të tjera