E diel, 15 Mars, 2026

Raporti i OSHP-së nxjerr në pah shkelje serioze në tenderin e KEK-ut për vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës

Ndaj

Një raport i detajuar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka vënë në pah një sërë shkeljesh procedurale dhe substanciale në aktivitetin e prokurimit të inicuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), që kishte për qëllim “Vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës”, me vlerë të parashikuar mbi 600 mijë euro.

Gjetjet e ekspertes shqyrtuese sugjerojnë se procesi i vlerësimit të ofertave nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurim Publik, duke ngritur dyshime mbi ligjshmërinë, transparencën dhe trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.

Raporti, i përgatitur nga ekspertja shqyrtuese Blerina Huruglica, rekomandon anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës dhe kthimin e lëndës në rivlerësim, pas vlerësimit se ankesa e operatorit ekonomik “N.N. Bli TERM” është pjesërisht e bazuar.

Si nisi rasti

Më 26 dhjetor 2025, operatori ekonomik “N.N. Bli TERM” nga Prishtina parashtroi ankesë pranë OSHP-së kundër njoftimit për dhënie të kontratës, me të cilin KEK kishte rekomanduar për kontratë Grupin e Operatorëve Ekonomik “NMA SHPK & Ozone Space SHPK”. Aktiviteti i prokurimit ishte zhvilluar përmes procedurës së hapur dhe kishte të bënte me një shërbim profesional të natyrës intelektuale, konkretisht vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës në Divizionin për Prodhimin e Qymyrit të KEK-ut.

Sipas dokumentacionit, në këtë aktivitet kanë ofertuar vetëm dy operatorë ekonomikë. Ofertuesi i rekomanduar ka ofruar çmim rreth 603 mijë euro, ndërsa operatori ankues ka ofruar rreth 330 mijë euro, që përfaqëson një dallim prej afërsisht 50 për qind.

Arsyet e eliminimit dhe kundërshtimi i tyre

Autoriteti Kontraktues kishte eliminuar operatorin ankues duke u mbështetur në disa arsye, përfshirë mungesën e certifikatave të caktuara për ekspertë të biologjisë, mungesë të disa licencave profesionale, mosplotësim të kërkesave për numrin e ekspertëve në fusha të caktuara, mungesë të diplomës master për një inxhinier, si dhe mospërfshirjen e një parametri specifik në certifikatën e akreditimit të laboratorit testues.

Megjithatë, ekspertja shqyrtuese, pas analizimit të shkresave të lëndës dhe dokumentacionit të tenderit, ka konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e këtyre arsyeve të eliminimit nuk qëndrojnë plotësisht në aspektin ligjor dhe procedural.

Gjetjet kryesore të raportit të ekspertit

Sa i përket ekspertëve të biologjisë, raporti vlerëson se kërkesa e dosjes së tenderit, sipas së cilës njëri ekspert duhej të ishte i certifikuar për siguri dhe shëndet në punë, ndërsa tjetri për vlerësim të ndikimit në mjedis, rezulton të jetë e përmbushur, çka e bën të bazuar pretendimin e operatorit ankues për këtë pikë.

Në lidhje me pretendimet për pozitat e auditorëve ISO, ekspertja sqaron se certifikimet ISO 9001, ISO 14001 dhe ISO 45001 mund të mbulohen edhe nga i njëjti person, pasi këto certifikime lejojnë auditime të integruara. Duke qenë se bëhet fjalë për një shërbim profesional dhe jo për ndarje fizike të punëve, vlerësohet se Autoriteti Kontraktues nuk ka pasur bazë të mjaftueshme për eliminim mbi këtë arsye.

Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me diplomën master për inxhinierin e elektroteknikës. Raporti thekson se diploma master ka ekzistuar para hapjes së ofertave dhe është e dëshmuar në CV dhe dokumente të tjera, çka do të thotë se Autoriteti Kontraktues ka pasur mundësi ligjore të kërkojë sqarime sipas nenit 72 të Ligjit për Prokurim Publik, në vend që të aplikojë eliminim të drejtpërdrejtë.

Sa i përket kërkesës për dy ekspertë të certifikuar për mbrojtje nga zjarri, ekspertja konstaton se ekzistojnë dy persona me certifikata valide nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, por njëra dëshmi nuk ishte bashkëngjitur në mënyrë të plotë. Ky pretendim vlerësohet si pjesërisht i bazuar dhe i sqarueshëm në fazën e rivlerësimit.

Në lidhje me laboratorin testues të akredituar dhe mungesën e parametrave për shqyrtimin e rrufepritësit, raporti evidenton se operatori ankues posedon autorizime shtesë nga AME për testimin e rezistencës së tokëzimit në instalimet rrufepritëse, duke rekomanduar që kjo çështje të sqarohet me organet kompetente gjatë rivlerësimit.

Një nga gjetjet më serioze të raportit ka të bëjë me tejkalimin e afateve ligjore për vlerësimin e ofertave. Sipas ekspertit, procesi i vlerësimit ka zgjatur mbi 100 ditë, ndonëse Rregullorja për Prokurim Publik parasheh një afat maksimal prej 30 ditësh, me mundësi zgjatjeje deri në 20 ditë vetëm në raste të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, ky pretendim i operatorit ankues vlerësohet si i bazuar.

Raporti gjithashtu thekson se operatorit ankues nuk i është ofruar qasje e pastruar në ofertën e operatorit të rekomanduar për kontratë, çka ka pamundësuar parashtrimin e pretendimeve të plota ankimore. Ekspertja rikujton obligimin e Autoritetit Kontraktues për të respektuar parimet e transparencës dhe trajtimit të barabartë, duke rekomanduar ofrimin e qasjes në përputhje me nenet 6, 7, 10 dhe 11 të Ligjit për Prokurim Publik.

Në përfundim, ekspertja shqyrtuese konkludon se, duke marrë parasysh natyrën e shërbimit, rëndësinë e kualifikimit profesional dhe kriterin e çmimit më të ulët të përgjegjshëm, ankesa e operatorit ekonomik “N.N. Bli TERM” duhet të aprovohet pjesërisht. Si rrjedhojë, rekomandohet anulimi i njoftimit për dhënie të kontratës dhe kthimi i lëndës në rivlerësim, me kërkesë që Autoriteti Kontraktues të aplikojë sqarime dhe verifikime në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik.

Lexo më shumë

Të tjera