E enjte, 5 Mars, 2026

Raporti i KE-së: Kosova me ngadalësimin më të theksuar ekonomik në Ballkan

Ndaj

Ekonomia e Kosovës ka shënuar ngadalësimin më të fortë të rritjes ekonomike në mesin e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, vlerëson raporti i fundit tremujor i Komisionit Europian, shkruan Kujdestari.info

Sipas raportit, ndonëse aktiviteti ekonomik në rajon ka vijuar të zgjerohet, Kosova është dalluar për një rënie më të theksuar të ritmit të rritjes krahasuar me tremujorët paraardhës, në një mjedis të karakterizuar nga presione të jashtme, rritje të dobët të tregtisë dhe pasiguri globale.

Rritja ekonomike në Kosovë, ashtu si në pjesën më të madhe të rajonit, është mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, veçanërisht konsumi privat. Megjithatë, raporti thekson se dinamika e këtij konsumi ka shfaqur shenja zbutjeje, duke reflektuar kushtet më të shtrënguara financiare dhe ndikimin e inflacionit të akumuluar në fuqinë blerëse të familjeve.

Ndryshe nga disa vende të rajonit ku investimet janë përshpejtuar, raporti sugjeron se kontributi i investimeve në rritjen ekonomike të Kosovës ka mbetur i kufizuar dhe i ndjeshëm ndaj pasigurisë ekonomike, normave të interesit dhe zhvillimeve gjeopolitike. Kjo ka ndikuar në dobësimin e mëtejshëm të vrullit të zgjerimit ekonomik.

Në planin e jashtëm, Komisioni Europian vëren se edhe për Kosovën, ashtu si për ekonomitë e tjera të rajonit, rritja e importeve ka tejkaluar rritjen e eksporteve, duke rezultuar në një kontribut negativ të tregtisë ndërkombëtare në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe duke ushtruar presion mbi bilancin tregtar.

Tregu i punës në Kosovë paraqet një tablo të përzier. Edhe pse normat e papunësisë kanë shënuar rënie në nivel rajonal, raporti sinjalizon se rritja e punësimit po humb vrull, ndërsa pjesëmarrja në fuqinë punëtore ka vijuar të rritet vetëm në disa ekonomi. Këto zhvillime sugjerojnë se përmirësimet në tregun e punës mbeten të brishta dhe të ekspozuara ndaj ngadalësimit ekonomik.

Raporti thekson se, pavarësisht zbutjes graduale të inflacionit, ekonomia e Kosovës përballet me sfida strukturore të ngjashme me ato të rajonit, përfshirë produktivitetin e ulët, varësinë nga kërkesa e brendshme dhe ndjeshmërinë ndaj goditjeve të jashtme.

Komisioni Europian vlerëson se rritja ekonomike në Kosovë mbetet e brishtë dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve, duke nënvizuar nevojën për reforma strukturore më të thella, përmirësimin e klimës së biznesit dhe forcimin e bazës prodhuese, në mënyrë që rritja ekonomike të bëhet më e qëndrueshme dhe më pak e varur nga konsumi.

Sipas raportit të fundit tremujor të Komisionit Europian për vendet kandidate, rritja ekonomike në Rajon u mbështet kryesisht nga konsumi i brendshëm, ndërsa kontributi i tregtisë së jashtme mbeti i dobët. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) real i rajonit u rrit me 2.6% në baza vjetore, i njëjti ritëm si në tremujorin paraardhës.

Normat e rritjes ekonomike varionin nga 2% në Serbi deri në 3.8% në Maqedoninë e Veriut. Serbia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, tre ekonomitë më të mëdha të rajonit, ruajtën në përgjithësi të njëjtin ritëm zgjerimi ekonomik si në tremujorin paraardhës. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera