Kosova renditet si vendi me nivelin më të ulët të borxhit publik në Ballkan, sipas të dhënave më të fundit tremujore të Komisionit Europian, duke reflektuar një qëndrueshmëri të lartë fiskale në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Në tremujorin e tretë të vitit 2025, borxhi publik i Kosovës u vlerësua në vetëm 16% të PBB-së, niveli më i ulët në rajon. Pas Kosovës renditet Bosnja dhe Hercegovina me një borxh publik prej 26.4% të PBB-së, ndërsa Serbia, pavarësisht madhësisë më të madhe të ekonomisë së saj, regjistroi një nivel borxhi prej 43% të PBB-së.
Maqedonia e Veriut shënoi një borxh publik në nivelin e 50.3% të PBB-së, ndërsa Shqipëria, pavarësisht një tendence rënëse gjatë viteve të fundit, vazhdon të mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, borxhi publik i Shqipërisë arriti në 53.5% të PBB-së, duke e renditur vendin në vendin e dytë në Ballkanin Perëndimor.
Në krye të listës për nivelin më të lartë të borxhit publik qëndron Mali i Zi, ku ky tregues arriti në 58.6% të PBB-së.
Raporti i Komisionit Europian thekson se borxhi publik mbetet një nga treguesit kryesorë të qëndrueshmërisë makroekonomike, pasi pasqyron performancën fiskale të shteteve dhe kapacitetin e tyre për të menaxhuar shpenzimet publike, veçanërisht në periudha sfiduese ekonomike.
Sipas analizës së KE-së, nivelet e borxhit publik janë ndikuar nga një kombinim faktorësh, përfshirë masat fiskale të ndërmarra gjatë fazave të rimëkëmbjes ekonomike pas krizave, si dhe nevojën për financimin e shërbimeve publike dhe investimeve kapitale.
Ndërkohë, Komisioni Europian vë në dukje se për vendet kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, menaxhimi i kujdesshëm i borxhit publik dhe forcimi i strukturave fiskale janë thelbësore për garantimin e stabilitetit makroekonomik afatgjatë.