Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar sërish për mospërfshirjen e buxhetit të kryqytetit në projektligjin për buxhetin e vitit 2026 nga Qeveria e Kosovës, raporton Kujdestari.info.
Ai ka thënë mospërfshirja e buxhetit nga ekzekutivi, është vendim politik, e jo vonesë administrtive.
Reagimi i plotë:
Nëse Qeveria nuk e përfshin Buxhetin e Kryeqytetit në Buxhetin e vitit 2026, kjo nuk është thjesht vonesë administrative, është vendim politik!
Buxheti i Kryeqytetit është miratuar në Asamblenë e Kryeqytetit, me të gjitha specifikat teknike dhe ligjore, dhe është dorëzuar sipas procedurave. Çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë kur dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin.
Prandaj shtrohet pyetja:
Pse nuk po përfshihet në Buxhetin e vitit 2026?
A është kjo hakmarrje politike?
A është tentativë për ta bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit?
A po përdoret buxheti si mjet presioni ndaj qytetarëve të Prishtinës?
Qeveria ka obligim kushtetues dhe ligjor të trajtojë buxhetin e Kryeqytetit pa diskriminim politik. Çdo veprim ndryshe është shkelje e parimit të barazisë institucionale dhe goditje direkte ndaj qytetarëve.
Prishtina nuk është pronë e askujt. Është Kryeqyteti i Republikës dhe meriton trajtim institucional, jo kalkulime partiake.
Nëse Qeveria zgjedh ta mbajë peng buxhetin e 2026-tës, atëherë le ta thotë hapur: QYTETARË TË KRYEQYTETIT PO JU NDËSHKOJMË SEPSE NUK NA VOTUAT NEVE!!!
Qytetarët e Prishtinës meritojnë përgjigje!