E premte, 13 Mars, 2026

Rama: Përjashtimi i buxhetit të Prishtinës, cenim kushtetues dhe rrezik për projektet

Ndaj

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në konferencë për media ka folur lidhur me mos-përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në Buxhetin e Kosovës. Ai tha se kjo nuk ishte neglizhencë por cenim i rendit kushtetues, raporton Ekonomia Online.

Rama gjithashtu përmendi pasojat nga mospërfshirja e Prishtinës në projektligjin për buxhetin.

“Më 6 shkurt të vitit 2026, Kuvendi i Kryeqytetit e ka miratuar buxhetin e komunës së Prishtinës për vitin 2026. Po atë ditë, brenda afateve ligjore, ky buxhet i miratuar është dërguar brenda afatave ligjore ne Ministrinë e administrimit publik lokal dhe Ministrinë e Financave, por nuk është përfshirë në projektligjin për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës, i cili tashmë ndodhet në procedurë parlamentare.

Këtë e kanë bërë pa asnjë arsyetim dhe pa asnjë bazë ligjore. Kjo nuk është neglizhencë administrative, por cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues. Buxheti i komunës së Prishtinës është i vetmi dokument financiar që i jep Kryeqytetit fuqinë për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese dhe çdo ndërhyrje apo përjashtim arbitrar është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe e ligjeve për financat publike.

Këto pasoja nuk janë vetëm teorike, por edhe reale e të menjëhershme. Si rezultat, bllokohen shërbimet publike për qytetarët, ndalen projektet kapitale dhe paralizohet funksionimi institucional i Kryeqytetit. Askush nuk ka të drejtë ta marrë peng Kryeqytetin”, tha ai.

Lexo më shumë

Të tjera