Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se do të mbyllen të gjitha vendpunishtet në kryeqytet. Vendimi ka ardhur pas shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”.
Në një postim në Facebook, Rama ka thënë se në mëngjes ka ftuar drejtorët e kryeqytetit dhe ka marrë vendim për krijimin e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishteve në territorin e komunës së Prishtinës”.
“Ky komision, i përbërë nga ekspertë të fushës së urbanizmit, inxhinierë të licencuar, përfaqësues të emergjencave, do të fillojë menjëherë inspektimet në të gjitha vendpunishtet aktive në Kryeqytet”, ka shkruar ai.
Tutje ka deklaruar se pas pranimit të këtij raporti të gjitha vendpunishtet ku evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllen menjëherë.
“Ato do t’i nënshtrohen një analize të detajuar institucionale, e cila mund të rezultojë deri në revokim të lejes së ndërtimit! Çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar çfarëdo parregullsie në terren do të mbahet përgjegjës. Ftoj të gjitha subjektet ndërtimore që të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet dhe të respektojnë ligjin”, ka shkruar ai.
Sot gjatë ditës Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime ndaj zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Prishtinës, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Këto hetime lidhen me shembjen e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë, për çka është iniciuar rasti me qëllimin e verifikimit nëse veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve komunalë përbëjnë elemente të veprës penale.
Pas shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë, ekipet e KOSTT dhe kompanisë së ujësjellësit rajonal KRU Prishtina, kanë dal në vendin e ngjarjes. Ata të KOSTT-it kanë nisur punimet për rikthimin e energjisë elektrike. /Kujdestari.info/