E martë, 27 Janar, 2026

Ragip Mustafa i LDK-së rikthehet në Qeveri përmes kompanisë së tij për furnizim me ushqim

Ndaj

Kompania e një biznesmeni të afërt me LDK-në, pronar i “Beni Dona”-s, ka gjetur sërish terren në Qeverinë e Kosovës, përkundër pakënaqësive të shprehura më herët nga eksponentë të Vetëvendosjes. Tash, kjo kompani pritet të futet në ndërtesat qeveritare përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, të udhëhequr nga Xhelal Sveçla, për furnizim me ushqim për tri vite.

Tenderi ishte iniciuar në shtator të vitit të kaluar, por kishte hasur në ankesa. “Shërbime hoteliere – bufe për objektin qeveritar ish Rilindje (MPB, MD, MAPL, MMPHI)”, quhet tenderi që pritet të shndërrohet në kontratë pas dy ditësh ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë “Beni Dona Plast” SH.P.K.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 242 mijë euro për tre vjet, ndërsa çmimi për njësi është 15.5 euro. Pra, për rreth 20 produkte kompania ka vendosur këtë çmim të përgjithshëm, që, bazuar në çmimet e tregut, konsiderohet jashtëzakonisht i ulët.

Kompania “Beni Dona” është në pronësi të anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Ragip Mustafa. Eksponentë të partisë në pushtet kanë pasur telashe të vazhdueshme me këtë kompani, sidomos në vitet e fundit kur bëhej fjalë për furnizimin me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në garë për këtë tender kishin qenë edhe Grupi i Operatorëve Ekonomikë: ISUF MUSLIU B.I.; Safet Igrishta B.I.; Muhamet Rashica, nga Vushtrria, me ofertë prej 16.44 euro.

Lexo më shumë

Të tjera