Kompania e një biznesmeni të afërt me LDK-në, pronar i “Beni Dona”-s, ka gjetur sërish terren në Komunën e Prishtinës. Ajo ka marrë disa tenderë me vlera milionëshe gjatë qeverisjes së Përparim Ramës dhe LDK-së në kryeqytet.
Prokurimi i Komunës së Prishtinës ka shpallur fituesit e tenderit “Renovimi i shkollave dhe IEA-së – Gëlqerosja”. Vlera e kontratës është 290 mijë euro dhe është realizuar me poentim të çmimit.
Bazuar në “njoftimin për dhënie të kontratës”, kontrata pritet të nënshkruhet sot me grupin e operatorëve ekonomik Stars Invest L.L.C dhe Olti Trasing SH.P.K.. Vlera e përgjithshme e kontratës është llogaritur me çmim 39.44 euro për njësi (poentim).
Pronar i kompanisë Olti Trasing, që është pjesë e këtij konsorciumi, është Ragip Mustafa, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, dhe që në listën e këtij organi mban numrin 106.
Sipas të dhënave të ARBK-së, Stars Invest L.L.C është themeluar në vitin 2023.
Kohëzgjatja e kontratës është 60 muaj.
Për këtë tender kanë ofertuar gjithsej tre operatorë:
- Smart Eng Group sh.p.k; Bajram Ha Gashi B.I; Toni O.P me ofertë 15.81 euro për njësi.
- Stars Invest L.L.C; Olti Trasing SH.P.K me ofertë 39.44 euro për njësi.
- NIKA Pro-ING sh.p.k me ofertë 63.48 euro për njësi.
Fituesi është përcaktuar përmes metodës së poentimit, pasi kontrata përfshin rreth 30 pozicione të ndryshme. Kontrata do të ndalet kur të arrijë vlerën totale prej 290 mijë euro.
Një nga aspektet më problematike të këtij tenderi lidhet pikërisht me mënyrën e përzgjedhjes së fituesit – përmes një metode që shpesh favorizon çmime joreale dhe operatorë të caktuar: vlerësimi i ofertave përmes poentimit të çmimit.
Në këtë metodë, autoriteti kontraktues vendos sasinë “1” për secilin artikull, duke pretenduar se nuk e di paraprakisht se çfarë saktësisht do të porosisë për riparim. Kjo bën që oferta më “e lirë” në letër të ketë çmime minimaliste për artikuj të parëndësishëm, ndërsa çmime të fryra për pozicionet kryesore që në realitet do të porositen.
Kjo formulë shpesh hap rrugën për keqpërdorime të mëdha: nuk është konkurrenca reale ajo që vendos, por aftësia e operatorëve për të manipuluar çmimet. Pasojat janë serioze për buxhetin publik, pasi kontrata kornizë i jep të drejtë komunës të porosisë vetëm ato artikuj që i duhen realisht – zakonisht, ato me çmime të fryra.
Ragip Mustafa, nuk është i ri në listën e përfituesve të kontratave nga Komuna e Prishtinës. Gjatë mandatit të Përparim Ramës dhe qeverisjes së LDK-së në kryeqytet, ai dhe kompanitë e tij kanë siguruar disa kontrata me vlera të konsiderueshme, përfshirë projekte milionëshe në sektorin e renovimeve dhe furnizimeve komunale, raporton Demokracia.