Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka ngritur alarmin për rrezikun që Kosova të humbasë mjetet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, për shkak të krizës politike dhe vonesave në formimin e institucioneve të reja.
Sipas Rafunës, zvarritja e krijimit të institucioneve deri në vjeshtë mund ta lërë Kosovën jashtë vëmendjes së BE-së në një periudhë vendimtare për përfitimin e fondeve evropiane.
“Në skenarin më të keq, nëse Kosova nuk arrin t’i formojë shpejt institucionet ose zvarritet formimi i tyre deri në shtator apo tetor, atëherë hyjmë në kohën e fundvitit dhe askush nuk merret më me Kosovën”, deklaroi Rafuna për RTV21.
Ai theksoi se bllokada politike dhe ciklet e shpeshta zgjedhore po e dëmtojnë seriozisht agjendën evropiane të vendit dhe po rrezikojnë realizimin e projekteve të rëndësishme ekonomike.