Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë për Telegrafin se bizneset u detyruan të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike pa paralajmërim, duke u përballur me çmime shumëfish më të larta.
“Kishim njoftim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike që më 1 qershor të gjitha bizneset e mëdha të dalin në tregun e hapur”, tha Rafuna, duke theksuar se kjo i zuri kompanitë në befasi.
“Bizneset nuk ishin të përgatitura. Disa kishin nisur investime në zgjerim, e u detyruan t’i ndalin dhe t’i orientojnë drejt paneleve solare e baterive”.
Sipas tij, mungesa e konkurrencës në tregun e lirë krijoi hapësirë për monopole.
“Në atë kohë, KEK-u s’furnizonte, NOA refuzoi, dhe vetëm KEDS përmes KESCO-s mbeti furnizues. Çmimi i energjisë u rrit 200 deri në 400 për qind krahasuar me më herët”, ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Rafuna theksoi se Oda nuk është kundër tregut të lirë, por kundër mënyrës si u zbatua.
“Nuk jemi kundër daljes në treg të lirë, por kemi kërkuar shtyrje proces transparent dhe dialog publik-privat që të mos dëmtohen bizneset”, ka thënë Rafuna në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Ai shtoi se Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të dorëzohet, duke kujtuar se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme për padinë e ngritur kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Ai ka shtuar se çmimi i rrymës po e mbyt prodhimin vendor dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së prodhimit dhe në konkurrueshmërinë e bizneseve vendore.
“Çmim i energjisë elektrike është kosto operative për biznesin dhe ajo kalkulohet në çmimin final të produktit. Me automatizëm, produkti ynë del më i shtrenjtë se ai i importuar”, tha Rafuna.
Ai paralajmëroi se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët dhe konsumatorët.
“Qytetari ka mundësi me zgjedhë produkt më të lirë me kualitet të ngjashëm – dhe çka ndodh? Ai e merr produktin e importuar. Kjo e mbyt prodhimin vendor”.
Sipas Rafunës, pasojat janë të dukshme.
“Prodhuesit vendor janë shumë të shqetësuar, sepse jo vetëm që nuk mund ta rrisin prodhimin, por po e kanë të vështirë edhe ta mbajnë sasinë aktuale në treg”.
Në fund, ai theksoi se shpresa e bizneseve është në vendimin e Gjykatës Supreme dhe në dialogun institucional për përcaktimin e një periudhe të re për tranzicionin në tregun e lirë të energjisë.