Sipas të dhënave të reviduara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), stoku i mbitërheqjeve bankare (overdraftet) në Kosovë ka arritur në 654.5 milionë euro në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 11.4% krahasuar me vitin 2024. Ky trend rritës sinjalizon një varësi gjithnjë e më të madhe të ekonomisë nga kreditë afatshkurtra, me kosto të lartë interesi.
Pjesën dërrmuese të kësaj shume e përbëjnë overdraftet e bizneseve, të cilat gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën 538.6 milionë euro, rreth 49 milionë euro më shumë sesa një vit më parë, apo një rritje prej 10%. Norma mesatare efektive e interesit e aplikuar për këto overdrafte ishte 7%, çka tregon se bizneset po e përdorin këtë instrument financiar si zgjidhje të shpejtë për likuiditet, por jo domosdoshmërisht të lirë.
Paralelisht, rritje edhe më e theksuar vërehet te ekonomitë familjare. Overdraftet e qytetarëve kanë arritur në 115.9 milionë euro, një rritje prej rreth 18 milionë euro apo 19% krahasuar me vitin 2024. Ajo që e bën këtë prirje më shqetësuese është norma mesatare e interesit, e cila gjatë vitit 2025 ishte 12.3%, dukshëm më e lartë sesa ajo për bizneset.
Të dhënat shumëvjeçare tregojnë se nga viti 2015 deri në 2025, stoku total i overdrafteve është gati dyfishuar, duke kaluar nga rreth 349 milionë euro në mbi 654 milionë euro. Kjo rritje e vazhdueshme sugjeron presion financiar mbi bizneset dhe familjet, por edhe mungesë alternativash më të favorshme financimi në treg.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se overdrafti, megjithëse i dobishëm për menaxhim afatshkurtër të parasë, shndërrohet në barrë të rëndë financiare kur përdoret në mënyrë të vazhdueshme. Me norma interesi dyshifrore për qytetarët, rreziku i ciklit të borxhit mbetet real dhe në rritje.
Në një ekonomi ku kostoja e jetesës po rritet dhe qasja në kredi afatgjata mbetet e kufizuar për shumë familje, shifrat e BQK-së ngrenë pikëpyetje serioze mbi qëndrueshmërinë financiare dhe politikat bankare në vend./Kujdestari.info
