E premte, 7 Gusht, 2026

Qymyri digjet e planet për gaz mbeten në ajër

Ndaj

Çdo debat që nis lidhur me energjinë në Kosovë kthehet te të njëjtat oxhaqe. Sa herë që një bllok del nga prodhimi, dimri e rrit konsumin ose energjia e importuar shtrenjtohet, e ardhmja energjetike e vendit matet sërish me gjendjen e termocentraleve “Kosova B” dhe “Kosova A”, të cilat kanë hyrë në dekadën e tyre të pestë, përkatësisht në të gjashtën, përtej jetëgjatësisë së projektuar. Kështu, ato vazhdojnë të jenë shtylla e sistemit energjetik.

Sipas raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2025, nga gjithë sasia e prodhuar e energjisë, rreth 88% vjen nga termocentralet, dhe vetëm 12% nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. Kosova importoi rreth 24% të energjisë ta mbuluar kërkesën në vitin 2025.

Andaj, nevoja për kapacitete të reja të energjisë është pothuajse aq e vjetër sa edhe vetë termocentralet.

Së fundmi, ky diskutim është kthyer sërish në qendër të vëmendjes, ku po diskutohen dy burime të energjisë që shpesh përmblidhen me të njëjtën fjalë, ndonëse janë projekte krejtësisht të ndryshme. Njëri është gazi sintetik, i prodhuar nga gazifikimi i qymyrit, tjetra është gazi natyror i lëngshëm (LNG), i cili planifikohet të sillet me anije nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për t’u rigazifikuar në një terminal bregdetar dhe më pas për t’u transportuar përmes gazsjellësit.

LNG është e përfshirë në partneritetin afatgjatë energjetik që iu kërkua Kosovës së fundmi nga SHBA. Për Ambasadën Amerikane në Kosovë, kjo çështjë nuk është vetëm tregtare. E ngarkuara me punë e SHBA në Kosovë, Anu Prattipati, e ka përkufizuar sigurinë energjetike si çështje të sigurisë kombëtare, duke theksuar nevojën për diversifikimin e miksit energjetik dhe uljen e varësisë nga importi.

Në një opinion të publikuar, Prattipati argumentoi se Kosova duhet të veprojë shpejt për t’u përfshirë në projektet rajonale të gazit, përndryshe rrezikon të mbetet vendi i vetëm në rajon pa qasje në LNG amerikane. Sipas saj, lidhja me gazsjellësin ndërmjet terminalit të Aleksandropolisit dhe Shkupit do t’i ulte kostot dhe do ta përshpejtonte procesin, me mbështetjen e mekanizmave amerikanë të financimit. Propozimi është pjesë e agjendës së administratës Trump për zvogëlimin e varësisë së Evropës nga energjia ruse dhe paraqitet si zgjedhje strategjike për sigurinë energjetike të Kosovës.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se nuk e kundërshton LNG amerikane, por nuk është zotuar për lidhjen e Kosovës me rrjetin rajonal të gazit, siç kërkon SHBA. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se prioritet mbeten burimet vendore, qymyri dhe energjia e ripërtëritshme, ndërsa LNG shihet vetëm si burim plotësues. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se kjo mundësi po shqyrtohet, por qeveria nuk ka paraqitur ende ndonjë hollësi shtesë. Paralelisht, ajo ka kërkuar mbështetje nga SHBA për mundësinë e gazifikimit të qymyrit në Kosovë përmes një centrali të ri.

Çfarë roli do të kishte gazi në Strategjinë e Energjisë së Kosovës?

Megjithatë, mundësia e lidhjes së Kosovës me rrjetin e gazsjellësit amerikan nuk lidhet vetëm me sigurinë energjetike, por përfaqëson edhe një zgjedhje gjeostrategjike për t’u pozicionuar përkrah SHBA, në një kohë kur rendi botëror po pëson ndryshime të thella. Debati ka nxitur shqetësime se Kosova po humb një mundësi të tillë, në kontekstin e kritikave të vazhdueshme për dobësimin e raporteve mes qeverisë së Kosovës dhe SHBA.

Ndërkohë, diskutimi për LNG amerikane dhe gazifikimin e linjitit po zhvillohet në ajër. Ndonëse qeveria në detyrë i ka përmendur të dyja si mundësi, ajo nuk ka shpjeguar se çfarë roli do të kishte gazi në sistemin energjetik. Sa i përket gazifikimit të qymyrit, paqartësitë janë edhe më të thella a do të përdorej gazifikimi i qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, ngrohje apo industri; çfarë infrastrukture do të nevojitej; sa do të ishte kostoja dhe brenda cilit afat do të zbatohej; si dhe çfarë ndikimi do të kishte në mjedis.

Ky diskutim ka lënë nën hije edhe një pyetje thelbësore: çfarë roli do të kishte gazi në Strategjinë e Energjisë së Kosovës?

Sipas strategjisë, sektori energjetik në Kosovë orientohet drejt ngritjes së kapaciteteve të prodhimit nga dielli dhe era, baterive, efiçiencës, modernizimit të rrjetit dhe integrimit rajonal. Ndonëse strategjia lë hapësirë për shqyrtimin e lidhjeve rajonale dhe investimeve në kapacitete me gaz, nuk e përcakton gazin si projekt të miratuar apo si shtyllë të tranzicionit. Prandaj, mbetet e paqartë nëse gazi do të shërbente si burim kalimtar dhe plotësues apo do ta ndryshonte drejtimin dhe ritmin e strategjisë ekzistuese, zbatimi i së cilës tashmë po përballet me vonesa.

Gazifikim pa strategji të qartë

Strategjia e Energjisë 2022–2031 lë të hapur mundësinë e shqyrtimit të lidhjes së Kosovës me rrjetet rajonale të gazit përmes Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë. Në dokument përmendet edhe mundësia e bashkëinvestimit në kapacitete me gaz në Shqipëri, Maqedoni të Veriut apo Greqi, për prodhimin e energjisë bazë ose sigurimin e fleksibilitetit të sistemit. Megjithatë, këto paraqiten vetëm si opsione për shqyrtim, dhe jo si projekte konkrete me hollësi zbatimi.

Kosova ka edhe një kornizë ligjore për gazin natyror. Ligji për Gazin Natyror, i miratuar në vitin 2016, rregullon në letër transmetimin, shpërndarjen, furnizimin, ruajtjen dhe qasjen në treg. Megjithatë, në praktikë, vendi nuk ka operator të sistemit, treg funksional, rrjet transmetimi e shpërndarjeje, kapacitete depozitimi apo konsumatorë të lidhur me gaz. Me fjalë të tjera, korniza ligjore ekziston për një sektor që fizikisht ende nuk është ndërtuar. Para se gazi të mund të përdorej, do të duhej të plotësohej me kornizën mbështetëse ligjore, të krijoheshin institucione, të përcaktoheshin tarifat dhe kontratat.

Me gjithë këto, Kosova prej vitesh është orientuar në një drejtim tjetër. Në vitin 2021, qeveria Kurti vendosi që programi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), të përqëndrohej në ruajtjen e energjisë përmes baterive, në vend të zhvillimit të infrastrukturës së gazit.

Tani që në diskutim janë rikthyer lidhja me gazsjellësin amerikan dhe gazifikimi i qymyrit, qeveria nuk ka paraqitur ndonjë vlerësim të kostos për ndonjërin prej këtyre opsioneve. Një tregues për shkallën e investimit në infrastrukturën e gazit mund të gjendet në Masterplanin për Zhvillimin e Gazit dhe studimin e fizibilitetit për interkoneksionin Maqedoni e Veriut–Kosovë, të hartuar më 2022. Studimi i fizibilitetit i projektit mbështetej në krijimin e kërkesës për gaz nga zeroja dhe në ndërtimin e një centrali që do ta arsyetonte gazsjellësin. Ndërkaq, masterplani parashihte ndërtimin e rreth 280 kilometrave rrjet transmetimi, rrjete shpërndarëse dhe një termocentral prej 380 Mw, me kosto të përgjithshme prej rreth 543 milionë eurosh.

Vetë raporti paralajmëronte se rënia e pritshme e kërkesës për gaz pas vitit 2045, së bashku me afatet e dekarbonizimit, mund ta vështirësonin kthimin e investimit.

Në vend që ta ndërtojë këtë infrastrukturë në Kosovë, qeveria po shqyrton përdorimin e LNG amerikane për prodhimin e energjisë në kuadër të projektit “Vlora Energy Hub”, ndërsa energjia e prodhuar të transmetohej në Kosovë përmes linjës ekzistuese të interkoneksionit me Shqipërinë, pa ndërtuar infrastrukturë të re brenda vendit. Për këtë projekt, Shqipëria nënshkroi marrëveshje në prill 2026, ndërsa furnizimi afatgjatë me LNG parashihet të fillojë nga viti 2030. Kështu, “Vlora Energy Hub”, mbetet ende një projekt në zhvillim, jo burim funksional nga i cili Kosova mund të furnizohet në afat të shkurtër.

Gazi vjen edhe me kosto klimatike.

Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), që në fokus të punës e ka zhvillimin e qëndrueshëm përmes energjisë së ripërtëritshme, e sheh qasjen në një central rajonal ekonomikisht më racionale.

“Në parim, prodhimi i energjisë elektrike në Vlorë dhe transmetimi i saj përmes sistemit elektroenergjetik mund të jetë më racional sesa ndërtimi nga zero i një rrjeti të gazsjellësve dhe një termocentrali me gaz në Kosovë. Është dukshëm më racional për t’u analizuar sesa ndërtimi i një kompleksi për gazifikimin e linjitit”, thotë Abazi. Për këtë, ai përmend faktin se Kosova dhe Shqipëria tashmë janë të lidhura përmes linjës interkonektive 400 kV, operojnë në Bllokun Rregullues AK (Albania-Kosovo) dhe marrin pjesë në bursën energjetike shqiptare ALPEX.

“Por vizioni nuk duhet të kufizohet në atë që Shqipëria prodhon energji dhe Kosova e blen atë”, shton Abazi. Sipas tij, një marrëveshje eventuale do të duhej të përcaktonte pjesëmarrjen e Kosovës në investim, kapacitetin e rezervuar, çmimin, formulën e indeksimit, emetimet dhe kushtet e daljes.

Por gazi vjen edhe me kosto klimatike. Si përdorimi i LNG, ashtu edhe gazifikimi i linjitit mbështeten në lëndë fosile dhe mund të jenë në kundërshtim me orientimin e Strategjisë së Energjisë për rritjen e kapaciteteve dhe pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në kombinimin energjetik. Kontratat afatgjata ose ndërtimi i kapaciteteve të reja do të mund të krijonin varësi ekonomike për përdorimin e kësaj infrastrukture për dekada, në një kohë kur synimet e dekarbonizimit kërkojnë zvogëlimin e përdorimit të lëndëve fosile.

Gazi shpesh paraqitet si burim kalimtar gjatë tranzicionit energjetik. Arven Syla, hulumtues doktorant në Universitetin e Gjenevës, teksa pranon se termocentralet me gaz mund t’i ofrojnë sistemit fleksibilitet për periudha më të gjata, thotë se gazi nuk është burimi i vetëm që mund ta ofrojë këtë shërbim.

“Bateritë janë të përshtatshme për fleksibilitet dhe për integrimin e burimeve të ripërtëritshme. Ekzistojnë edhe burime të tjera, si hidrocentralet dhe bashkëpunimi me Shqipërinë, zhvillimi i interkoneksioneve apointegrimi në tregjet rajonale”, thotë Syla.

“Roli i gazit nuk duhet të përcaktohet nga debati politik, por nga nevojat reale të sistemit energjetik.”

Arven Syla

Sipas tij, ndonëse përparësitë e gazit janë se mund të ofrojë fleksibilitet për periudha më të gjata dhe njëkohësisht të prodhojë energjetike në krahasim me bateritë që ofrojnë fleksibilitet afatshkurtër, kjo nuk duhet ta ndryshojë drejtimin kryesor të tranzicionit.

“Prioriteti duhet të mbetet te burimet e ripërtëritshme, rrjeti, bateritë, efiçienca dhe elektrifikimi. Pozicionimi i Kosovës ndaj gazifikimit duhet të konsiderohet me kujdes dhe roli i gazit nuk duhet të përcaktohet nga debati politik, por nga nevojat reale të sistemit energjetik”, thotë Syla, duke shtuar se me një planifikim të mirëfilltë dhe afatgjatë, gazi mund të ketë rol mbështetës, pa e ngadalësuar tranzicionin drejt teknologjive inovative dhe elektrifikimit.

Megjithatë, qeveria në detyrë e ka përmendur gazifikimin e linjitit si alternativë kryesore ndaj kërkesës amerikane për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të LNG. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rizvanolli, ka kërkuar mbështetje nga SHBA për shqyrtimin e gazifikimit të linjitit, duke iu referuar rezervave vendore dhe politikave të reja amerikane më miqësore për qymyrin. Por ende nuk është e qartë nëse qeveria po e mendon përdorimin e gazifikimit të qymyrit për prodhim energjie, gaz për industri, plehra kimike, hidrogjen, karburante sintetike apo një kombinim të tyre. Pa një treg të përcaktuar, ekziston rreziku që një central i tillë të projektohet rreth një produkti që nuk ka blerës.

Christiaan van der Meijden, studiues holandez i cili prej vitesh hulumton teknologjitë e gazifikimit, thotë pikënisja nuk duhet të jetë vetë ndërtimi i centralit, por produkti që synohet të prodhohet. Sipas tij, teknologjia dhe dizajni i një projekti të tillë varen nga qëllimi përfundimtar.

“Energjia elektrike nuk do të ishte produkti më logjik” tha Van der Meijden për K2.0. Sipas tij, do të kishte më shumë kuptim nëse do të prodhoheshin amoniaku, metanoli ose hidrogjeni, që do të kishin përdorim të gjerë. “Energjia solare, e erës dhe baterisë kanë më shumë logjikë [për prodhim të energjisë]”.

Për Abazin, në anën tjetër, hendeku ndërmjet deklaratave politike dhe dokumenteve konkrete e bën të paqartë seriozitetin e propozimit.

“Në formën në të cilën është prezantuar deri tani, nuk e konsideroj gazifikimin e linjitit një projekt serioz. Nuk kemi një studim fizibiliteti të publikuar, analizë të kostos së plotë, vlerësim të kërkesës për gazin sintetik, model financimi, analizë të furnizimit me ujë, plan për menaxhimin e emetimeve dhe mbetjeve industriale apo identifikim të tregut për produktin përfundimtar. Pa këto elemente, kemi më shumë një ide politike sesa një alternativë të argumentuar për zhvillimin e sektorit”, thotë Abazi.

“Debati duhet të zhvendoset nga ‘a jemi për apo kundër gazit?’ në pyetjen se çfarë problemi të sistemit energjetik po synojmë ta zgjidhim dhe çfarë alternativa kemi përpara.”

Arven Syla

Syla e sheh të njëjtën mungesë analizash në të dyja drejtimet e debatit. Sipas tij, njësoj sikur me projektet e mëparshme energjetike, diskutimi po zhvillohet kryesisht përmes deklaratave politike, pa u përcaktuar fillimisht problemi që synohet të zgjidhet përmes gazit.

“Mungojnë analizat dhe planifikimi afatgjatë për implikimet që mund t’i ketë gazifikimi për sektorin e energjisë dhe për vendin. Prandaj, debati duhet të zhvendoset nga ‘a jemi për apo kundër gazit?’ në pyetjen se çfarë problemi të sistemit energjetik po synojmë ta zgjidhim dhe çfarë alternativa kemi përpara”, thotë Syla.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, ku Kosova është anëtare, nuk përcakton për Kosovën një kombinim të detyrueshëm të burimeve energjetike. Megjithatë, Hanna Claeson, zëdhënëse e Sekretariatit, tha për K2.0 se çdo zgjedhje e teknologjisë duhet të jetë në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm, Planin Kombëtar të Kosovës për Energji dhe Klimë (NECP), obligimet për energjinë e ripërtëritshme dhe efiçiencën, si dhe objektivat e dekarbonizimit për vitin 2030.

Gazi figuron si opsion për t’u shqyrtuar, por jo si pjesë e planifikuar e tranzicionit energjetik.

Pikërisht NECP, me të cilin, sipas Claeson duhet të përputhet çdo zgjedhje energjetike, nuk e ka gazin të planifikuar si projekt energjetik e as përmendet gazifikimi i linjitit.

Ndërkaq, sa i përket gazit natyror, në dokument konstatohet se Kosova nuk ka rrjet transmetimi, ndërsa përmendet vetëm mundësia që të shqyrtohen lidhje me gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) ose terminalet LNG përmes Maqedonisë së Veriut apo Shqipërisë. NEPC vlerëson se planifikimi dhe ndërtimi i një lidhjeje të tillë do të kërkonte së paku shtatë deri në nëntë vjet, por nuk përcakton projektin, kapacitetin, lokacionin, financimin apo afatin e zbatimit. Pra, gazi figuron si opsion për t’u shqyrtuar, por jo si pjesë e planifikuar e tranzicionit energjetik.

Sipas Claeson, deri tash nuk ekziston “asnjë propozim specifik, plan zbatimi apo projekt konkret” për futjen e gazifikimit të linjitit ose LNG në Kosovë, bazuar në të cilin Sekretariati do të mund të bënte një vlerësim të plotë.

K2.0 ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës lidhur me këto çështje, përfshirë planet konkrete, kostot dhe fazën e zhvillimit të këtyre ideve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Abazi nga INDEP paralajmëron se kostoja e investimit në gaz nuk do të kufizohej te paratë për realizimin e impiantit, por do të kishte edhe kosto të tjera indirekte, përfshirë ndikimin e mundshëm tek investitorët në energji të ripërtëritshme.

“Një projekt i tillë do të konkurronte për garanci shtetërore, financim publik, tokë, ujë, kapacitete të rrjetit, personel teknik dhe vëmendje institucionale. Në një administratë me kapacitete të kufizuara, orientimi drejt një projekti shumë kompleks dhe afatgjatë mund t’i vonojë edhe më shumë ankandet diellore dhe të erës, sistemet e baterive, zgjerimin e rrjetit, programet e efiçiencës dhe projektet e ngrohjes qendrore”, thotë Abazi. “Nëse një mega-projekti fosil i jepet përparësi ndaj këtyre investimeve, ai do ta ngadalësonte transformimin e të gjithë sistemit”.

Komplikimet mjedisore e infrastrukturore

Në parim, procesi i gazifikimit të qymyrit nuk përfshinë djegien e plotë të qymyrit në ajër, siç ndodh në një termocentral. Fillimisht, qymyri thahet dhe përgatitet, pastaj futet në një reaktor ku, nën temperatura të larta dhe me sasi të kontrolluara të oksigjenit dhe avullit, shndërrohet në një përzierje gazesh, kryesisht monoksid karboni dhe hidrogjen, me metan dhe përbërës të tjerë. Kjo përzierje njihet si “syngas” apo gaz sintetik. Para se të përdoret për prodhimin e energjisë apo metanolit, amoniakut, hidrogjenit apo karburanteve sintetike, gazi duhet të ftohet dhe të pastrohet nga squfuri, grimcat, katrani dhe ndotës të tjerë.

Kjo e bën projektin e gazifikimit të qymyrit shumë më tepër sesa vetëm ndërtimin e një centrali. Ai përfshin një kompleks të tërë industrial: përgatitjen e linjitit, prodhimin e oksigjenit, reaktorët, pastrimin e gazit, trajtimin e ujërave industriale, menaxhimin e mbetjeve të ngurta industriale dhe nënprodukteve tjera, si dhe, nëse synohet reduktim i ndjeshëm i emetimeve, kapjen, transportin dhe depozitimin e karbonit.

Përvoja e mëparshme e Kosovës me gazifikimin e qymyrit e dëshmon këtë.

Në Obiliq, impianti i njohur si “Gazifikimi”, pjesë e ish-Kombinatit Xehtaro-Energjetiko-Kimik, hyri në operim komercial në vitin 1971 dhe operoi deri në fund të viteve ’80-a. Ai përdorte teknologjinë gjermane “Lurgi” dhe prodhonte gaz sintetik prej qymyrit për industri dhe ngrohje, duke furnizuar konsumatorë në Kosovë e deri në Shkup përmes një rrjeti të gjerë tubacionesh.

Një punim shkencor i vitit 1987, që trajtonte punën e këtij impianti dhe efektet shëndetësore, vlerësonte ai mund të furnizonte deri në 480 milionë metra kub normalë gaz në vit. Të dhënat teknike të ruajtura nga ish-kompleksi flasin për pesë gazifikues “Lurgi” që mund të prodhonin rreth 60.000 metra kub gaz të pastruar në orë. Për ta realizuar këtë proces nevojiteshin rreth 80 tonë qymyr i tharë në orë, oksigjen, avull teknologjik dhe afërsisht 28 Mw energji elektrike. Përveç gazit, impianti prodhonte edhe produkte tjera industriale, përfshirë katranin, vajrat, fenolin, ujë e amoniakut dhe produkte të tjera kimike.

Ndotja e shkaktuar nga ky impiant kishte alarmuar edhe Institutin Jugosllav të Shëndetit, i cili kishte kërkuar ndërmarrjen e masave për kontrollin e ndotjes, ose mbylljen e tërësishme të tij.

Por, kjo përvojë e gazifikimit të qymyrit dëshmon edhe për anën e dëmshme të procesit. Një vlerësim i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), i publikuar më 1981 pas testimeve në impiantin e Obiliqit, erdhi në përfundimin se procesi kishte potencial të konsiderueshëm ndotës. Raporti identifikonte gazin e mbetur të pasur me sulfur hidrogjeni, ujërat fenolike dhe katranin e rëndë si rrjedhat kryesore që kërkonin kontroll prioritar. Ndërkaq, një punim i vitit 1987 e klasifikonte impiantin dhe minierën e linjitit si vende pune me rrezik potencial për frymëmarrjen, çka kishte nxitur kontrolle të posaçme shëndetësore të punëtorëve.

Megjithatë, në kohën kur ky impiant ishte në funksion për prodhimin e gazit, kishte ngjallur shumë pritje e synime të reja për zhvillimin industrial në Kosovë. Në arkivat e gazetës “Rilindja” gjejmë se menjëherë në mes të viteve të ‘70-a ishte menduar që të ndërtohej një impiant i dytë. Ndërkohë, industria e gomës “Ballkan”, kishte nënshkruar marrëveshje që të lidhej gazsjellësi nga Ferizaj në Suharekë, ndërsa ishin hartuar edhe shumë plane të tjera të cilat nuk u realizuan. Por, ndotja e shkaktuar nga ky impiant kishte alarmuar edhe Institutin Jugosllav të Shëndetit, i cili kishte kërkuar ndërmarrjen e masave për kontrollin e ndotjes, ose mbylljen e tërësishme të tij. Impanti doli nga përdorimi në fund të vitit 1989.

Sipas Van der Mejiden, ekzistojnë disa teknologji të ndryshme të gazifikimit, disa prej të cilave janë më të përshtatshme se të tjerat. “Gazifikimi me rrjedhë të bartur (Entrained Flow) përdoret tashmë gjerësisht për gazifikimin e qymyrit në Kinë, por mund të mos jetë zgjidhja më e mirë për linjitin e cilësisë së ulët”, thotë ai duke iu referuar cilësisë së dobët të qymyrit në Kosovë.

Sipas tij, gazifikimi me shtresë të fluidizuar është ndoshta më i përshtatshëm për linjitin me cilësi të ulët. Ndryshe nga djegia klasike e qymyrit, kjo teknologji nuk e djeg drejtpërdrejt linjitin. Ai futet në një reaktor ku, nën temperatura të larta dhe në prani të një sasie të kufizuar oksigjeni ose avulli, shndërrohet në gaz sintetik. Më pas ky gaz mund të pastrohet dhe të përdoret për prodhimin e hidrogjenit, lëndëve kimike ose energjisë elektrike. Megjithatë, realizimi mund të paraqesë problem.

“Nuk e di nëse në treg vazhdojnë të operojnë furnizues të kësaj teknologjie me përvojë të dëshmuar”, thotë Van der Meijden.

Pa kapjen dhe depozitimin e karbonit, emetimet sërish përfundojnë në atmosferë dhe projekti rrezikon ta zgjasë varësinë nga qymyri për dekada.

Teknologjitë moderne të gazifikimit mund t’i kontrollojnë më mirë disa ndotës lokalë dhe të mundësojnë ndarjen e dioksidit të karbonit (CO₂) më lehtë sesa djegia klasike e qymyrit. Por kjo nuk e shndërron linjitin burim pa karbon. CO₂ e ndarë gjatë procesit duhet të kapet, të kompresohet, të transportohet dhe të depozitohet në një formacion të përshtatshëm gjeologjik. Kosova aktualisht nuk ka infrastrukturë apo lokacion të miratuar për këtë proces. Pa kapjen dhe depozitimin e karbonit, emetimet sërish përfundojnë në atmosferë dhe projekti rrezikon ta zgjasë varësinë nga qymyri për dekada.

Për më tepër, me këtë teknologji, kostoja dhe kompleksiteti i tij rriten ndjeshëm. Përkundër kësaj, Van der Meijden thotë se teknologjia për kapjen e karbonit është e domosdoshme për një projekt të tillë dhe jo vetëm opsion.

“Nëse gazifikimi me rrjedhë të bartur është provuar me një lloj të ngjashëm qymyri, për shembull në Kinë, atëherë projekti mund të realizohet brenda pesë vjetësh, nëse gjithçka shkon mirë. Investimi do të ishte shumë më i lartë se një miliard euro”, tha ai. “Gjithashtu, do të duhej të realizohej edhe depozitimi i CO₂-shit. Prandaj, një afat prej 10 vjetësh do të ishte ndoshta më realist”.

Ndërkaq, më shumë se një dekadë më parë, në vitin 2013, Kosovës iu ofrua edhe një mundësi për shfrytëzimin e rezervave të saj të mëdha të qymyrit. Kompania kanadeze Envidity Energy, e drejtuar nga gjenerali amerikan në pension Wesley Clark, kërkoi të zhvillonte gazifikimin nëntokësor të linjitit dhe prodhimin e karburanteve sintetike, duke synuar që qymyri të mos nxirrej në sipërfaqe, por të gazifikohej nën tokë përmes puseve.

Teknologjia nëntokësore ndryshon nga impianti sipërfaqësor i gazifikimit që po diskutohet sot. Megjithatë, ajo u përball me kundërshtime për transparencën e dhënies së të drejtave minerare dhe me shqetësime për ndotjen e ujërave nëntokësore dhe fundosjen e tokës, duke bërë që projekti i Envidity të mos realizohej.

SHBA paralajmëroi se Kosova rrezikon të mbetet jashtë infrastrukturës rajonale që po ndërtohet për LNG amerikane.

Me gjithë mungesën e të dhënave lidhur me alternativën e gazifikimit të qymyrit që po propozohet nga qeveria në detyrë, në një përgjigje për K2.0, Ambasada Amerikane tha se SHBA është e gatshme të punojë me industrinë amerikane të energjisë dhe qeverinë e Kosovës për diversifikimin e furnizimit, përfshirë gazin natyror. Nga ambasada thanë se i mbështesin diskutimet për teknologji që mund ta rrisin vlerën e burimeve vendore të Kosovës dhe se ka kontaktuar kompani amerikane për të kuptuar se cilat zgjidhje janë teknikisht dhe komercialisht të realizueshme.

Micah Savidge, zyrtar për çështje ekonomike në Ambasadë, sqaroi për agjencinë e lajmeve “KosovaPress” se gazifikimi i linjitit dhe lidhja me infrastrukturën rajonale të LNG janë projekte të ndara, dhe SHBA i mbështetë të dyjat. Sipas tij, një kontratë afatgjatë me furnizues amerikanë mund t’i bëjë kostot më të parashikueshme. Ai paralajmëroi se Kosova rrezikon të mbetet jashtë infrastrukturës rajonale që po ndërtohet për LNG amerikane, ndërkohë që vendet fqinje po rezervojnë kapacitete për furnizim në të ardhmen.

Ky paralajmërim e vendos çështjen edhe në planin gjeostrategjik, përtej kostove dhe nevojave të sistemit energjetik. Për Abazin, ky dimension nuk mund të përjashtohet nga vlerësimi, por duhet të peshohet dhe të artikulohet nga qeveria.

“A është siguria kombëtare dhe partneriteti strategjik me SHBA interes i rëndësishëm shtetëror për Kosovën? Këtë duhet ta vlerësojë dhe ta artikulojë qeveria”, thotë ai. “Ne mund dhe duhet t’i vlerësojmë kostot, emetimet, ndikimin mjedisor, përputhshmërinë me Strategjinë dhe alternativat teknologjike. Por përgjegjësinë për ta peshuar sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe partneritetin me aleatin kryesor të Kosovës e ka qeveria”.

Ndërkaq, qeveria në detyrë ende nuk i është përgjigjur pyetjes kryesore: çfarë roli do të kishte gazi në strategjinë energjetike të Kosovës?

Megjithatë, pesha gjeostrategjike e partneritetit nuk duhet ta zbeh nevojën për vlerësimin e pasojave ekonomike dhe mjedisore. CEE Bankwatch Network dhe organizata mjedisore “Eco-Z”, përmes një letre dërguar ambasadës Amerikane, paralajmëruan se Kosova, e cila nuk ka qenë e varur nga gazi rus, rrezikon të krijojë varësi të re nga një lëndë fosile e importuar. Sipas tyre, investimet në infrastrukturën e gazit mund ta ekspozojnë vendin ndaj luhatjeve të çmimit ndërkombëtar të LNG, të shndërrohen në asete të bllokuara dhe t’i devijojnë fondet dhe kapacitetet institucionale nga burimet e ripërtëritshme, bateritë, efiçienca dhe elektrifikimi.

Van der Meijden është po ashtu i rezervuar ndaj pretendimit se gazifikimi është dukshëm më i pastër sesa djegia tradicionale e qymyrit. Sipas tij, termocentralet moderne me qymyr tashmë përdorin sisteme shumë të avancuara të pastrimit të gazrave dhe, në praktikë, përfitimet mjedisore të gazifikimit nuk janë domosdoshmërisht më të mëdha në krahasim me termocentralet.

Ndërkaq, qeveria në detyrë ende nuk i është përgjigjur pyetjes kryesore: çfarë roli do të kishte gazi në strategjinë energjetike të Kosovës?

Nuk është e qartë nëse LNG apo gazi i prodhuar nga linjiti do të përdoreshin për prodhim bazë, për mbulimin e kërkesës në periudhat e pikut apo si kapacitete rezervë për ta balancuar prodhimin nga burimet e ripërtëritshme. Nuk mjafton të argumentohet se Kosova duhet t’i përdorë rezervat e mëdha të linjitit apo LNG sepse e ofron SHBA. Për secilën alternativë duhet të përcaktohet qartë se cilën nevojë e mbulon, sa kushton, kur mund të hyjë në funksion, sa gjatë do të përdoret, cilat janë implikimet mjedisore dhe cilat investime të tjera mund t’i lë nën hije.

Pa këto përgjigje, Kosova rrezikon t’i humbasë edhe disa vjet duke debatuar për centralin e radhës, ndërsa pret që njësitë e ndërtuara në vitet e ’70-a e ’80-a të vazhdojnë ta mbajnë barrën kryesore të furnizimit me energji. /K2.0

Lexo më shumë

Të tjera