E shtunë, 14 Mars, 2026

Qindra pensionistë mbesin pa pension për shkak të moslajmërimit për të dëshmuar që janë gjallë

Ndaj

Qindra pensionistë kanë mbetur pa pensione për muaj të tërë, shkaku se nuk janë lajmëruar për të dëshmuar se janë gjallë brenda afatit të përcaktuar, me gjithë që Ligji në fuqi parasheh vetëm suspendim të përkohshëm dhe jo ndërprerje të pagesës. Për këtë, vetëm vitin e shkuar janë paraqitur 425 ankesa në Ministrinë e Financave, ndërsa ekspertë ligjorë i kanë udhëzuar pensionistët që t’i ndjekin rrugët ligjore

425 pensionistë paraqitën ankesa në Ministrinë e Financave vitin e shkuar shkaku i humbjes së pensionit, si pasojë e moslajmërimit në Zyra Pensionale brenda nëntë muajsh.

Por, numri i atyre që u është mohuar kjo e drejtë mund të jetë më i madh.

Që nga e premtja Ministria e Financave nuk ka dhënë përgjigje lidhur me numrin e pensionistëve që, në mënyrë të jashtëligjshme, kanë humbur pensionet për periudhën gjatë së cilës nuk janë lajmëruar.

Ky institucion nuk ka bërë të ditur as vlerën e pensioneve që nuk janë kthyer në mënyrë retroaktive.

Në përgjigje kjo ministri e tregoi vetëm numrin e ankesave.

“Numri i ankesave të pranuara nga pensionistët për moslajmërim pas nëntë (9) muajsh dhe riaplikim është 425 ankesa gjatë vitit 2025. Të gjithë përfituesit e skemave pensionale financohen nga buxheti publik dhe mjetet që nuk transferohen për shkak të kufizimeve ligjore mbesin në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Për ta realizuar të drejtën në pagesat e humbura, pensionistët janë udhëzuar t’i ndjekin rrugët ligjore.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, i tregoi procedurat administrative dhe ato ligjore që duhen ndjekur.

“Pensionistët që u janë ndalur ose suspenduar pagesat në mënyrë të paligjshme fillimisht duhet t’i drejtohen Departamentit të Pensioneve me kërkesë administrative për rifillimin e pagesës, duke u thirrur në aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Ligjin nr. 04/L-131. Nëse kërkesa refuzohet ose nuk trajtohet brenda afatit ligjor, ata kanë të drejtë të ndjekin ankesë administrative dhe më pas procedurë gjyqësore në konflikt administrativ për rikthimin e së drejtës”, tha Jakaj.

Ai u bëri thirrje pensionistëve që në mënyrë individuale ta kërkojnë kthimin e mjeteve që u janë ndalur, pa bazë ligjore. Por, për t’i rikthyer këto para nëpërmjet gjykatës, ata përballen me barrë financiare shtesë, përfshirë pagesën e avokatëve.

E avokati Zahir Hamza, që përfaqëson në gjykatë një numër pensionistësh, thotë se ndihmën juridike për ta e ofron falas.

“Besoj kostoja e një përfaqësimi nëpër gjykata është e lartë, nuk besoj që një pensionist mund t’i përballojë këto shpenzime…..Pensionistët shumica hezitojnë t’i procesojnë rastet nëpër gjykata me arsyetimin se a fitohet a nuk fitohet, mjetet mua më shkojnë dëm duke angazhuar avokatë të ndryshëm”, ka theksuar Hamza. /Koha.net

Lexo më shumë

Të tjera