Ekonomia

Qeveria shpenzoi 878 milionë euro për transfere sociale, gati katërfish më shumë se për investime kapitale

Nga Kujdestari Media

Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për transfere sociale kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, duke thelluar hendekun me investimet kapitale. Vetëm gjatë periudhës janar-shtator 2026, për transfere sociale janë shpenzuar 878 milionë euro, ndërsa për investime kapitale 226 milionë euro.

Këto të dhëna janë publikuar nga Instituti GAP, i cili ka analizuar shpenzimet e Qeverisë Qendrore për periudhën janar–shtator, nga viti 2019 deri në vitin 2026, bazuar në të dhënat e Thesarit të Ministrisë së Financave.

Sipas analizës, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, shpenzimet për transfere sociale janë rritur për 143 për qind, ndërsa ato për investime kapitale vetëm për 29 për qind.

Në vitin 2019, Qeveria kishte shpenzuar 361 milionë euro për transfere sociale dhe 175 milionë euro për investime kapitale. Shtatë vjet më vonë, shpenzimet për transfere sociale kanë arritur në 878 milionë euro, ndërsa investimet kapitale në 226 milionë euro.

Kjo nënkupton se, ndërsa shpenzimet për transfere sociale janë më shumë se dyfishuar, investimet kapitale kanë shënuar një rritje dukshëm më të ngadalshme.

Të dhënat tregojnë se hendeku mes këtyre dy kategorive të shpenzimeve është zgjeruar ndjeshëm. Në vitin 2019, për çdo një euro të shpenzuar për investime kapitale, Qeveria shpenzonte rreth dy euro për transfere sociale. Në vitin 2026, ky raport ka arritur në afro katër euro për transfere sociale për çdo një euro investime kapitale.

Një tjetër tregues është se, krahasuar me vitin 2025, shpenzimet për transfere sociale gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë rritur nga 649 milionë në 878 milionë euro, apo për 229 milionë euro. Në anën tjetër, shpenzimet për investime kapitale kanë rënë nga 234 milionë në 226 milionë euro, përkatësisht për tetë milionë euro.

Transferet sociale përfshijnë pagesat që Qeveria ua bën drejtpërdrejt qytetarëve, përfshirë pensionet, ndihmat sociale, pagesat për kategoritë e dala nga lufta dhe skemat e tjera të mbështetjes financiare.

Ndërkaq, investimet kapitale lidhen me financimin e projekteve infrastrukturore dhe zhvillimore, si ndërtimi i rrugëve, shkollave, spitaleve dhe objekteve të tjera publike. /Kujdestari.info/