Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se edhe këtë vit do të ketë subvencionim të faturave të energjisë elektrike të qytetarëve, nga Qeveria.
Gjatë një konference për media të mbajtur sot më 07.10.2025, Murati tha se në mbledhjen e Qeverisë është miratuar vendimi.
“Siç e dini, parvjet ka qenë pilotimi i programit. Vitin e kaluar ka qenë zbatimi i rregullt i programit për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet e cënueshme, ku kanë qenë mbi 80 mijë familje përfituese. Edhe këtë vit do të vazhdojë programi i njëjtë” – tha Murati para gazetarëve.
Ai tha se subvencionimi do të fillojë nga muaji tetor i këtij, e do të zgjasë deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.
“Siç e dini ose siç mund ta dini prej zbatimit të mëhershëm, programi zbatohet për muajt e stinës së dimrit. Pra fillon në muajin tetor dhe mbaron në muajin mars, kësisoj që të mbulohet apo koncentrimi i subvencionimi të bëhet në muajt kur edhe shpenzimi i faturave të energjisë elektrike mund të jetë më i lartë, në mënyrë që të ketë mbulueshmëri dhe të ketë lehtësi sa më të madhe për familjet” – tha Murati.
Ministri në detyrë Murati foli edhe për mbështetjen me bursa për studentët e universiteteve publike e kolegjeve private në Kosovë, të quajtur “bursa e mobilitetit”. Ai tha se një sesion informues i detajuar për mënyrën e përfitimit për studentët do të mbahet ditëve në vazhdim, por ai tregoi se si do të përcaktohet shuma e bursës.
“Gjithashtu përveç ndarjes së njëhershme kemi edhe masën e përhershme të mbështetjes së vazhdueshme, që është bursa e mobilitetit që gjithashtu ka qenë një premtim kyç i Qeverisë Kurti 3, pra përmes së cilës, mbështeteten të gjithë studentët që vijnë nga familje me kushte ekonomike nën mesatare. Përfitimi apo shuma e subvencionimit- shuma e bursës realisht- përcaktohet varësisht nga distanca e vendbanimit të tyre me universitetin. Pra nëse dikush nga Rahoveci studion në Prizren mund të përfitojë këtë bursë, por dikush që nga Deçani apo Peja studion në Prishtinë, e merr shumën më të lartë, sepse distanca është më e largët. Pra kësisoj bazuar në distancën e vendbanimit me universitetin ku studion studenti apo studentja, do të përcaktohet edhe shuma e bursës” – tha ai.
Murati po ashtu bëri të ditur, se Qeveria ka marrë vendim për të ndarë 1 milion euro për mbështetjen me pako ushqimore të familjeve në nevojë dhe asistencë sociale, si zbatim i pikës 3.4 të pakos së ringjalljes ekonomike.
Përveç “bursës së mobilitetit” Qeveria ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për gjithë studentët e sektorit publik e privat në Kosovë.