E shtunë, 14 Mars, 2026

Qeveria miraton ndarjen e 1 milion e 675 mijë eurove për pakon e ringjalljes ekonomike

Ndaj

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime me rëndësi në fushën e mbështetjes sociale, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në këtë mbledhje, ekzekutivi miratoi kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ndarjen e 500 mijë eurove, të cilat do të përdoren për mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës të prekur nga situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar ndarjen e 1 milion e 675 mijë eurove për zbatimin e Masave 3.6 dhe 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, që synojnë mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe rimëkëmbjen e sektorëve të ndryshëm.

Në kuadër të vendimeve të marra, është autorizuar edhe ministri përgjegjës që të miratojë transferet nga nënprogrami “Shpenzimet e Paparashikuara” në nënprograme të tjera, për shuma individuale deri në 40 mijë euro.

Gjithashtu, është miratuar ndarja e 370 mijë eurove për Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), si pjesë e angazhimeve ndërkombëtare të Kosovës.

Në mbledhje është aprovuar edhe propozimi i Ministrisë së Financave për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për ministrin e Financave që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë me KfW për programin në sektorin e energjisë dhe klimës për Kosovën.

Lexo më shumë

Të tjera