Aktuale

Prokuroria konfirmon arrestimin e pesë personave për pronën 1.5 milionë euro, në mesin e të dyshuarve edhe drejtori i Pronës në Fushë Kosovë

Nga Kujdestari Media

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar për arrestimin e pesë personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me një pronë prej dy hektarësh në Fushë Kosovë, me vlerë të pretenduar prej 1.5 milionë eurosh, shkruan Kujdestari.info.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, personat e dyshuar, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë pajisur një person me inicialet M.S. me fletë poseduese për pronën.

Më pas, sipas Prokurorisë, M.S. ka tentuar që, në bashkëpunim me persona të tjerë, këtë pronë ta tjetërsojë përmes shitblerjes te dy persona me inicialet M.Z. dhe M.Z., duke përdorur dokumente të falsifikuara. Vlera e pronës, sipas njoftimit, është 1 milion e 500 mijë euro.

Prokuroria nuk ka bërë të ditur emrat e pesë personave të arrestuar, ndërsa në komunikatën zyrtare nuk përmendet as emri i drejtorit të Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, Gëzim Zogiani.

Megjithatë, Kujdestari.info ka raportuar më herët se në mesin e të arrestuarve dyshohet se është edhe drejtori komunal i Pronës, Gëzim Zogiani, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky informacion pritet të konfirmohet zyrtarisht nga organet e drejtësisë.

Të pesë të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 31.

Arrestimi është kryer nga Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se hetimet për rastin janë duke vazhduar. /Kujdestari.info/