Një procedurë prokurimi me vlerë të vogël, vetëm 30 mijë euro e nisur nga Komuna e Prizrenit, ka shpalosur gjithë anarkinë dhe mungesën e përgjegjësisë në menaxhimin e tenderëve publikë. Tenderi për “Inxhinizimin gjeodezik të infrastrukturës rrugore, parcelave bujqësore, hapjen e puseve e kanaleve kulluese, stallave e serrave” ka prodhuar një nga vendimet më të rënda të Panelit Shqyrtues të OSHP-së, duke hapur rast që t’i merret certifikata e prokurimit shefit të prokurimit të Komunës së Prizrenit, Isa Osmankaj, shkruan Kujdetari.info.
Kryetarët e Prizrenit kanë ndryshuar ndër vite, por Osmankaj ka mbetur në krye të prokurimit. Këtë herë, pas vendimeve të OSHP-së, po kërkohet përgjegjësi personale ndaj tij për shkeljet e konstatuara.
Paneli i OSHP-së ka nisur procedurë që t’i merret certifikata profesionale e prokurimit, Osmankajt për shkak se nuk ka zbatuar tri raste të Penalit në një tender. Procedura për tërheqje të licencës eshte iniciuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik- KRPP dhe gjithçka mbetet në dorë të këtij institucioni, i cili tashmë ka nisur hetimin për shqyrtimin e tërheqjes së certifikatës.
Shkurtimisht, historia është kjo:
Komuna e Prizrenit shpalli tenderin në nëntor 2024. Në garë mbetën dy operatorë ekonomikë: Gjeo-Projekt SHPK, me çmim 0.46 euro për njësi, dhe grupi i përbërë nga GeoMetri SHPK dhe ITEG SHPK, me një çmim absurdisht të ulët prej vetëm 0.20 euro.
Fitues fillimisht u shpall grupi GeoMetri-ITEG. Kundër këtij vendimi, Gjeo-Projekt parashtroi ankesë, e cila përfundimisht përmes OSHP-së çoi në anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Deri këtu gjithçka do të dukej një proces i zakonshëm me një ankues të pakënaqur, një shqyrtim nga OSHP, dhe një anulim. Por ajo që ndodhi më pas e ktheu këtë rast në shembull të pastër të manipulimit dhe moszbatimit të vendimeve ligjore nga ana e Autoritetit Kontraktues.
Shkelja e parë: Vendimi i anulimit i shndërruar në shpallje fituesi
Paneli i OSHP-së përmes vendimit 2025/0244 kishte konfirmuar anulimin e aktivitetit. Pra, tenderi duhej të mbyllej. Por më 22 maj 2025, vetëm pak ditë pas këtij vendimi, Komuna e Prizrenit publikoi sërish njoftim për fitues, duke rekomanduar po të njëjtin grup operatorësh GeoMetri dhe ITEG me çmimin prej 0.20 euro. Me një fjalë, ajo që OSHP kishte rrëzuar si të pavlefshme, Komuna e ringjalli. Kjo nuk është vetëm shkelje e procedurës, por sfidim i hapur ndaj një organi të drejtësisë administrative.
Shkelja e dytë: Manipulimi me certifikatat e dronit
Një nga kriteret thelbësore të tenderit ishte posedimi i një droni të certifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), me të drejtë përdorimi për menaxherin e projektit. Dokumentet e paraqitura nga GeoMetri-ITEG tregonin se droni ishte i regjistruar në emër të një personi tjetër z. Argjent Nela, dhe jo në emër të menaxherit të projektit, Luan Abazi. Pra, kriteri kryesor nuk ishte përmbushur. Në vend të kësaj, konsorciumi prodhoi një vërtetim të brendshëm, të lëshuar nga vetë kompania ITEG, ku “autorizohej” Abazi të përdorte dronin. Por, siç ka theksuar edhe vetë Aviacioni Civil, një kompani private nuk ka asnjë kompetencë të autorizojë dikë për përdorimin e dronit këtë e bën vetëm AAC sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Pra, kemi të bëjmë me një kamuflim të qëllimshëm të dokumentacionit, për të krijuar përshtypjen e përmbushjes së kriterit.
Shkelja e tretë: Përsëritja e mashtrimit me pajisjen multispektrale
Në dokumentacionin e tenderit kërkohej që droni të posedonte kamera multispektrale për matje bujqësore. Konsorciumi GeoMetri-ITEG paraqiti faturë për blerjen e një pajisjeje të tillë, por fatura ishte e datës 10 maj 2024, ndërkohë që certifikata e Aviacionit Civil për pilotin Nela ishte lëshuar dy vjet më herët, më 29 mars 2022. Me fjalë të tjera, në kohën e certifikimit droni nuk ekzistonte në pronësi të tij, pra nuk mund të ishte pjesë e certifikimit. Eksperti i OSHP-së konstatoi se edhe ky element ishte një formë tjetër e shtrembërimit të kritereve të tenderit, e përsëritur për të dytën herë.
Një cikël i përsëritur tre herë
Ky rast nuk është një lapsus i vetëm. Në fakt, është përsëritur tri herë e njëjta logjikë:
- Fillimisht, shpallja e fituesit me dokumentacion të mangët.
- Pastaj, pas ankesës, konfirmimi i anulimit nga OSHP.
- Më pas, shpallja sërish e fituesit të të njëjtit grup, me të njëjtat dokumente të kontestuara.
Në secilën prej këtyre hallkave, roli i shefit të prokurimit të Komunës së Prizrenit ka qenë thelbësor. Ai ka pasur për detyrë të zbatojë vendimet e OSHP-së dhe të garantojë integritetin e procedurës. Në vend të kësaj, ka toleruar, nëse jo stimuluar, rishfaqjen e të njëjtave dokumente të pavlefshme dhe shpalljen e të njëjtëve fitues.
Çfarë thotë OSHP-ja?
Eksperti i angazhuar nga OSHP e tha qartë se aktiviteti duhej të kishte përfunduar me anulim, dhe çdo publikim tjetër i vendimit për shpallje fituesi pas 21 marsit 2025 ishte i paligjshëm. Paneli Shqyrtues e konfirmoi këtë në raportet 2025/0055 dhe 2025/0244, duke e bërë të qartë se Komuna e Prizrenit nuk ka zbatuar vendimet e mëparshme dhe ka vazhduar të ndjekë një rrugë të kundërligjshme.
A duhet të merret certifikata e prokurimit?
Në këtë rast, pyetja më e madhe nuk është vetëm se kush do ta fitojë tenderin e dronëve me 30 mijë euro, por se a duhet të lejohet që shefi i prokurimit të Komunës së Prizrenit të vazhdojë të ushtrojë këtë funksion?
Ligji për Prokurimin Publik dhe aktet nënligjore parashehin që në rast të përsëritjes së shkeljeve dhe të moszbatimit të vendimeve të OSHP-së, individët përgjegjës mund të penalizohen deri në heqjen e certifikatës së prokurimit.
Në këtë rast, kemi një model të përsëritur tri herë të shkeljeve që nga shpallja e fituesit në kundërshtim me kriteret, te manipulimi i certifikatave dhe moszbatimi i vendimeve të OSHP-së, raporton Kujdestari.info.
“Paneli shqyrtues duke u bazuar në shkresat e kësaj lënde shihet qartë se AK Komuna e Prizrenit ka bërë shkelje serioze të dispozitave ligjore të LPP. Andaj, Panelimori vendim: -Të Inicohet procedura për revokimin e certefikatës së prokurimit kundër zyrtarit përgjegjës të prokurimit të AK Komuna e Prizrenit, konform nenit 25, paragrafi 8, të LPP, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore të lartcekura si dhe nenit 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurimin Publik”, thuhet në vendimin e Panelit të OSHP-së.
Tash, mbetet në dorën e KRPP-së nëse do ta tërheqë ose jo licencën e shefit të prokurimit në komunën e udhëhequr nga PDK-ja. Tërheqja e licencës nënkupton se ai nuk mund të vazhdojë më të jetë shef i zyrës së prokurimit dhe nuk do të ketë të drejtë të nënshkruajë tenderë. Në atë rast, ai do të mbetej vetëm një zyrtar i thjeshtë, që do të ndihmonte zyrën në përgatitjen e procedurave në aspektin teknik.
Kujdestari.info ka kërkuar një përgjigje nga Komuna e Prizrenit lidhur me atë se a ka marrë masa ndaj zyrtarit për këtë shkelje të rëndë, por deri në publikimin e këtij teksti ky institucion nuk e ka kthyer përgjigje.
Megjithëkëtë, me datë 4 gusht, komuna ka anuluar në tersi aktivitetin e prokurimit. /Kujdestari.info/
Vendimi i OSHP
….
Lexo edhe:
Prizreni i Totajt kampion i ankesave në tendera – lë prapa edhe KEK-un