E premte, 7 Gusht, 2026

Prodhuesit kosovarë rrisin fuqishëm shitjet në Serbi, eksportet në korrik gati dyfish më të larta se në qershor

Ndaj

Prodhuesit kosovarë kanë shënuar rritje të ndjeshme të shitjeve në tregun e Serbisë gjatë muajit korrik. Sipas të dhënave për eksportet në vendet e CEFTA-s, vlera e mallrave të eksportuara në Serbi gjatë korrikut arriti në 6 milionë e 344 mijë euro, nga 3 milionë e 353 mijë euro sa ishte në qershor, shkruan Kujdestari.info.

Kjo nënkupton se eksportet drejt Serbisë u rritën për rreth 2 milionë e 991 mijë euro brenda vetëm një muaji, apo 89.2 për qind. Pra, në korrik, bizneset kosovare shitën në tregun serb pothuajse dyfish më shumë mallra sesa një muaj më parë. (DOKUMENT)

Bazuar në dokumentet e Doganës së Kosovës që i ka parë Kujdestari.info, rritje është shënuar edhe në eksportin e përgjithshëm drejt vendeve të CEFTA-s. Në korrik, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 43 milionë e 846 mijë eurosh, ndërsa në qershor vlera ishte 38 milionë e 91 mijë euro.

Eksporti i përgjithshëm u rrit për rreth 5 milionë e 755 mijë euro, ose 15.1 për qind, krahasuar me muajin paraprak.

Gjatë periudhës janar–korrik 2026, vlera e përgjithshme e eksporteve të Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s arriti në 247 milionë e 720 mijë euro. Prej kësaj shume, rreth 37 milionë e 201 mijë euro ishin eksporte drejt Serbisë.

Tregu kryesor për prodhimet kosovare gjatë shtatë muajve të parë të vitit ishte Maqedonia e Veriut, me rreth 94.6 milionë euro eksporte. Pas saj renditet Shqipëria me 76 milionë euro, Serbia me 37.2 milionë euro dhe Mali i Zi me 30.3 milionë euro.

Të dhënat e korrikut tregojnë një rritje të konsiderueshme të pranisë së prodhimeve kosovare në tregjet rajonale. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera