Komuna e Prishtinës ka paraparë një buxhet prej 161 milionë e 95 mijë e 638 eurosh për vitin 2027, sipas dokumentit të buxhetit fillestar të kryeqytetit, shkruan Kujdestari.info.
Në mesin e dhjetëra projekteve dhe shpenzimeve të planifikuara, nw sy bije edhe mjetet financiare të ndara për Policinë e Kryeqytetit, përfshirë blerjen e pajisjeve për testimin e alkoolit, dronëve dhe trecikletave.
Sipas dokumentit buxhetor, Komuna ka paraparë 75 mijë euro për blerjen e 10 trecikletave dhe 30 mijë euro të tjera për furnizimin me dronë për Policinë e Kryeqytetit.
Po ashtu, janë planifikuar 3 mijë e 500 euro për blerjen e 10 pajisjeve për testimin e alkoolit, të destinuara për njësitë e trafikut, si dhe 4 mijë euro për katër matës akustikë.
Një tjetër zë që bie në sy është ai i emërtuar “Policia sekondare”, për të cilin Drejtoria e Inspeksionit ka paraparë 250 mijë euro.
Ndërkohë, në kuadër të Drejtorisë së Sigurisë, janë planifikuar edhe 95 mijë euro për ushqimin ditor të personelit të Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve dhe Policisë së Kryeqytetit.
Në total, këta gjashtë zëra buxhetorë arrijnë vlerën prej 457 mijë e 500 eurosh, ndonëse një pjesë e mjeteve janë të përbashkëta me zjarrfikësit.
Por financimi i pajisjeve për policinë nga buxheti komunal ngre edhe çështjen e bazës ligjore dhe të marrëveshjeve ndërinstitucionale mbi të cilat planifikohen këto shpenzime.
Policia e Kosovës është institucion i nivelit qendror, ndërsa Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit funksionon brenda strukturës së saj dhe jo si polici e pavarur komunale.
Dokumenti buxhetor nuk sqaron nëse për furnizimet e planifikuara ekzistojnë marrëveshje të veçanta ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Policisë së Kosovës, si dhe kujt do t’i kalojë pronësia dhe përgjegjësia për mirëmbajtjen e pajisjeve.
Gjithashtu, nga dokumenti nuk bëhet e qartë se çfarë përfshin konkretisht shpenzimi prej 250 mijë eurosh i emërtuar “Policia sekondare”.
Sa i përket buxhetit të përgjithshëm për vitin 2027, prej mbi 161 milionë eurosh, rreth 105 milionë euro janë planifikuar për administratën komunale, ndërsa pjesa tjetër për sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.
Në dokument parashihen edhe investime në infrastrukturë rrugore, transport publik, ndriçim, siguri, kulturë dhe shërbime të tjera komunale.
Mbetet të sqarohet se mbi cilën bazë ligjore dhe përmes cilit mekanizëm do të realizohen furnizimet e planifikuara për Policinë e Kryeqytetit./Kujdestari.info/