Prishtina Mall, një prej investimeve më të mëdha private në sektorin e qendrave tregtare në Kosovë, ka vazhduar të rrisë të hyrat gjatë vitit 2025, por pavarësisht miliona eurove të gjeneruara nga qiratë dhe shërbimet, kompania e ka mbyllur edhe këtë vit financiar me humbje, shkruan Kujdestari.info.
Pasqyrat financiare të audituara të Prishtina Mall Sh.A., për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2025, tregojnë se kompania realizoi gjithsej 15.92 milionë euro të hyra, nga 14.92 milionë euro sa kishte realizuar një vit më parë. Megjithatë, rezultati përfundimtar ishte negativ, 136 mijë euro humbje për vitin 2025. Një vit më parë humbja kishte qenë dukshëm më e lartë, rreth 1.53 milion euro.
Pra, në krahasim me vitin 2024, kompania e ka zvogëluar humbjen për rreth 1.4 milion euro, ndërkohë që të hyrat janë rritur me rreth një milion euro. (DOKUMENT)
Mbi 10.5 milionë euro vetëm nga qiratë
Burimi kryesor i parave të Prishtina Mall gjatë vitit 2025 ka qenë qiraja.
Sipas raportit financiar, kompania realizoi 10,591,482 euro nga qiraja; 3,463,135 euro nga tarifat e shërbimeve; 1,867,683 euro të hyra të tjera të lidhura me aktivitetin kryesor.
Në total, këto të hyra arritën në 15 milionë e 922 mijë euro. Për krahasim, në vitin 2024 të hyrat nga qiraja ishin 9.78 milionë euro, ndërsa të hyrat totale 14.92 milionë euro.
Kjo nënkupton se vetëm nga qiratë Prishtina Mall ka gjeneruar mesatarisht rreth 882 mijë euro në muaj gjatë vitit 2025.
Nëse llogariten të gjitha të hyrat nga aktiviteti kryesor, mesatarja arrin në rreth 1.33 milion euro në muaj.
Afro 8 milionë euro EBITDA, por në fund del me humbje
Një prej pjesëve më interesante të raportit është dallimi ndërmjet performancës operative të qendrës dhe rezultatit përfundimtar financiar.
Prishtina Mall kishte EBITDA prej 7.996 milionë eurosh në vitin 2025, nga rreth 6.44 milionë euro në vitin 2024. Kjo tregon se aktiviteti bazë i kompanisë gjeneron një rezultat të konsiderueshëm para zhvlerësimit, amortizimit, interesave dhe tatimeve.
Mirëpo, vetëm shpenzimet e zhvlerësimit dhe amortizimit arritën në rreth 7.17 milionë euro. Pas tyre, fitimi operativ mbeti në rreth 787 mijë euro.
Pastaj vijnë shpenzimet financiare prej rreth 923 mijë eurosh, të cilat e çojnë rezultatin përfundimtar në 136 mijë euro humbje.
Mbi 200 milionë euro pasuri
Shifrat e bilancit tregojnë edhe përmasat e investimit. Më 31 dhjetor 2025, Prishtina Mall raportonte 203.2 milionë euro pasuri gjithsej. Një vit më parë, pasuritë ishin rreth 206.29 milionë euro.
Kapitali aksionar është jashtëzakonisht i lartë, rreth 163.89 milionë euro.
Megjithatë, kompania bart edhe humbje të akumuluara. Në fund të vitit 2025 ato kishin arritur në rreth 9.02 milionë euro, ndërsa kapitali i përgjithshëm ishte rreth 160.98 milionë euro. Kjo do të thotë se, pavarësisht të hyrave të konsiderueshme që tashmë po realizohen nga funksionimi i qendrës, vitet e para të investimit kanë lënë pas humbje të akumuluara në pasqyrat financiare.
Borxhi bankar mbi 12 milionë euro
Raporti tregon se Prishtina Mall kishte në fund të vitit 2025 rreth 12.43 milionë euro detyrime ndaj bankave, nga 15.58 milionë euro një vit më parë.
Nga kjo shumë, rreth 5.31 milionë euro klasifikoheshin si huazime afatshkurtra dhe rreth 7.12 milionë euro si huazime afatgjata.
Pra, borxhi bankar është zvogëluar për rreth 3.15 milionë euro brenda një viti.
Raporti zbulon edhe një zhvillim tjetër, më 17 tetor 2025, kompania kishte lidhur marrëveshje kredie me International Finance Corporation (IFC) dhe ProCredit Sh.A., e cila ishte e vlefshme në datën e raportimit financiar.
Shpenzimet operative kalojnë 8.1 milionë euro
Funksionimi i një kompleksi të këtyre përmasave bart edhe shpenzime të konsiderueshme.
Në vitin 2025, shpenzimet operative arritën në 8.11 milionë euro, krahasuar me 7.42 milionë euro në vitin 2024.
Vetëm shërbimet komunale i kushtuan kompanisë rreth 2.64 milionë euro. Shërbimet e konsulencës arritën në 1.57 milion euro, ndërsa mirëmbajtja dhe riparimet kushtuan rreth 1.45 milion euro. Për marketing u shpenzuan mbi 1 milion euro.
Ndërkohë, raporti tregon se më 31 dhjetor 2025 kompania kishte 65 punëtorë, krahasuar me 67 një vit më parë.
Pronarët – kapital prej 170 milionë eurosh
Një tjetër pjesë me interes është struktura aksionare.
Raporti financiar paraqet një kapital aksionar të regjistruar prej 170 milionë eurosh, ndërsa në bilanc kapitali aksionar i paraqitur është 163.89 milionë euro.
Në tabelën e aksionarëve paraqiten disa kompani me pjesëmarrje të ndryshme, ndër to Aurora Sh.P.K., Scan Color-Jysk Sh.P.K., Bageri Group Sh.P.K., Brickos Sh.P.K., Alfa Sh.P.K., Sport In Sh.P.K., Arjeta Group Sh.P.K., Forteza Sh.P.K., Oaza Company Sh.P.K., K.S. Besa Security Sh.P.K. dhe Driton Haxhiu B.I.
Nga humbja prej 1.5 milion eurosh në vetëm 136 mijë euro
Në fund, raporti financiar i vitit 2025 jep një pamje interesante për fazën në të cilën ndodhet Prishtina Mall.
Qendra tashmë gjeneron mbi 10.5 milionë euro në vit vetëm nga qiratë, ndërsa të hyrat totale i afrohen 16 milionë eurove. EBITDA ka arritur në afro 8 milionë euro dhe borxhi bankar është zvogëluar ndjeshëm.
Megjithatë, në pasqyrat financiare kompania ende nuk ka kaluar në fitim, pas zhvlerësimit, amortizimit dhe shpenzimeve financiare, viti 2025 është mbyllur me 136 mijë euro humbje. /Kujdestari.info/