E premte, 7 Gusht, 2026

Prishtina jep leje për transformimin e “Tulltores”: Kompleks me hotel, galeri, auditorium, restorante dhe hapësira teknologjike

Ndaj

Komuna e Prishtinës ka miratuar lejen ndërtimore për një nga projektet më të mëdha publike të planifikuara në zonën e njohur si “Tulltorja”. Dokumentet tregojnë se në këtë hapësirë synohet ndërtimi dhe rindërtimi i një kompleksi të gjerë administrativ, afarist, hotelier, kulturor dhe teknologjik. Megjithatë, në materialet e siguruara nuk paraqitet vlera financiare e investimit, burimi i plotë i financimit, afatet e realizimit të të gjitha fazave dhe as një prezantim i detajuar publik i projektit, shkruan Kujdestari.info.

Komuna e Prishtinës ka hapur rrugën administrative për transformimin e hapësirës së ish-Tulltores në një kompleks të madh me ndërtesa administrative, afariste, hoteliere, kulturore, rekreative dhe teknologjike.

Sipas vendimit për lejen e ndërtimit, të nxjerrë më 25 maj 2026 nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit, investitor i projektit është vetë Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave e Komunës së Prishtinës.

Leja e përshkruan projektin si ndërtim dhe rindërtim të një “kompleksi me ndërtesa administrative, afariste dhe hotelerike”, në kuadër të bllokut urban “A1” të Planit Rregullues të Hollësishëm “Kodra e Trimave 1”. (DOKUMENT)

Leja përfshin disa objekte të reja, të identifikuara me shenjat A1, A2, A3, A4, A5, B1, B2, C2 dhe C3, si dhe rindërtimin apo renovimin e ndërtesave D3, C1, D1 dhe D2. Kompleksi parashihet të ketë ndërtesa nga përdhesa deri në shtatë kate, përfshirë edhe nivele nëntokësore.

Në dokumente nuk paraqitet ndonjë emër përfundimtar zyrtar për kompleksin, përtej referimit si projekt në zonën e “Tulltores”. Në planin e situacionit ai paraqitet me emërtimin “Art-Tech Tulltorja”, çka lë të kuptohet se projekti synon të ndërthurë teknologjinë, artin, hotelerinë, biznesin dhe shërbimet publike.

Mbi 33 mijë metra katrorë ndërtim

Një nga të dhënat më të rëndësishme që del është madhësia e kompleksit.

Sipas përshkrimit teknik, sipërfaqja e përgjithshme e objekteve të planifikuara arrin në rreth 33 mijë e 192 metra katrorë. Prej tyre, rreth 22 mijë e 429 metra katrorë janë sipërfaqe mbi tokë, ndërsa rreth 10 mijë e 763 metra katrorë parashihen në nivelet nëntokësore.

Bëhet fjalë për një ndërhyrje ndërtimore të përmasave të mëdha, e cila do ta ndryshonte në mënyrë të konsiderueshme pamjen, funksionin dhe dendësinë e zonës.

Për nga përmbajtja, projekti nuk paraqitet si një objekt i vetëm, por si një lagje e vogël institucionale dhe afariste, e organizuar në disa ndërtesa me funksione të ndryshme.

Në hapësirën e kompleksit parashihen hotel, restorante, lokale afariste, galeri, auditorium, studio inovative, hapësira teknologjike, zyra, hapësira bashkëpunimi, ambiente ekspozuese, hapësira rekreative dhe parkingje nëntokësore.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se disa nga objektet e vjetra industriale të ish-Tulltores do të ruhen dhe restaurohen, ndërsa objekte të tjera do të ndërtohen nga fillimi.

Ndërtesa A1: Hotel, restorant dhe hapësira komerciale

Objekti A1 parashihet të jetë një nga ndërtesat kryesore të kompleksit.

Ai është projektuar me bodrum, përdhesë dhe pesë kate, me sipërfaqe të përgjithshme mbi tokë prej rreth 3 mijë e 902 metrash katrorë.

Në nivelin e bodrumit parashihen hapësira shërbyese, depo dhe zona që lidhen me funksionimin e garazheve.

Në përdhesë do të vendosen shërbimi për klientët, depo, hapësira për menaxhimin e garazheve, zyra të hotelit, hapësira komerciale, restorant, kuzhinë, depo të kuzhinës dhe nyje sanitare.

Në katin e parë parashihet një hapësirë komerciale e tipit “loft”, holl dhe bar.

Kati i dytë do të përmbajë hapësira relaksuese dhe zyra të hotelit, ndërsa në katet tjera parashihen recepsion, ambiente të mirëmbajtjes dhe hapësira të tjera hoteliere.

Kati i katërt parashihet të ketë hapësirë pritjeje, holl, bar dhe tarracë, ndërsa kati i pestë do të shfrytëzohet si tarracë e hapur.

Kjo tregon se objekti A1 nuk është menduar vetëm si hotel klasik, por si ndërtesë me funksione të kombinuara hoteliere, afariste, gastronomike dhe publike.

Ndërtesa A2: Menaxhim, siguri, hoteleri dhe dyqan arti

Objekti A2 parashihet me bodrum, përdhesë dhe katër nivele mbi tokë.

Sipërfaqja e përgjithshme mbi tokë e kësaj ndërtese është përcaktuar në rreth 2 mijë e 42 metra katrorë.

Në përdhesë parashihen zyra të sigurisë dhe menaxhimit, hapësira komerciale, ambiente për stafin, dhomë mekanike, nyje sanitare, dyqan arti dhe depo për mirëmbajtjen e gjelbërimit.

Në katin e parë parashihen hapësira komerciale të tipit “loft” dhe dhomë mekanike.

Katet e dyta dhe të treta do të kenë holle dhe dhoma hoteli, ndërsa kati i katërt është paraparë si tarracë e hapur.

Përfshirja e një dyqani arti dhe e hapësirave për menaxhimin e gjelbërimit e përforcon idenë se projekti është menduar si kompleks i integruar, me funksione që nuk kufizohen vetëm në administratë apo akomodim.

Galeri arti në objektin A3

Ndërtesa A3 është dukshëm më e vogël se objektet tjera.

Ajo parashihet vetëm me përdhesë dhe sipërfaqe prej rreth 187 metrash katrorë.

Destinimi i saj është galeri.

Ndonëse bëhet fjalë për një sipërfaqe relativisht të vogël, galeria pritet të jetë një nga elementet kulturore të projektit dhe të lidhet me konceptin “Art-Tech” të paraqitur në planin e situacionit.

Ndërtesat A4 dhe A5: Kapacitetet më të mëdha hoteliere

Dokumentacioni parasheh që objekti A4 të ketë bodrum, përdhesë dhe disa kate hoteliere, ndërsa ndërtesa A5 është projektuar deri në shtatë kate mbi përdhesë.

Në këto objekte parashihen dhoma hoteli, ambiente pritjeje, hapësira të mirëmbajtjes, holle, korridore dhe funksione të tjera shërbyese.

Në katet e larta të njërës prej ndërtesave përmenden në mënyrë të përsëritur hapësira pritjeje, dhoma hoteli dhe dhoma të mirëmbajtjes.

Dokumentet, megjithatë, nuk shpjegojnë se për çfarë kategorie hoteli bëhet fjalë, sa dhoma do të ketë, kush do ta menaxhojë hotelin, nëse do të funksionojë si ndërmarrje publike apo do t’i jepet në shfrytëzim një operatori privat.

Nuk bëhet e ditur as nëse hoteleria është menduar për turistë, për delegacione zyrtare, për artistë dhe profesionistë që do të angazhohen në kompleks apo për shfrytëzim të përzier.

Restorant dhe “Studio Inovative” në B1

Objekti B1 është projektuar me bodrum, përdhesë dhe një kat, me sipërfaqe mbi tokë prej rreth 1 mijë e 115 metrash katrorë.

Në përdhesë parashihen hyrja, restoranti, “Studio Inovative” dhe nyjet sanitare.

Në katin e parë parashihen hapësira relaksuese, depo, studio inovative, korridore, dhomë mekanike dhe ambiente të tjera përcjellëse.

B2: Hapësira teknologjike dhe zona bashkëpunimi

Edhe më i qartë në funksionin teknologjik është objekti B2.

Ai parashihet me përdhesë dhe një kat, me sipërfaqe të përgjithshme mbi tokë prej rreth 1 mijë e 821 metrash katrorë.

Në përdhesë janë planifikuar hapësira relaksuese, një hapësirë e përshkruar si “Teknologjis. Studio Pune x5”, si dhe dhoma mekanike.

Në katin e parë parashihen hapësira relaksuese, hapësira bashkëpunimi dhe hapësira pune.

Hapësira ekspozuese në C2

Objekti C2 parashihet me përdhesë dhe një kat, me sipërfaqe mbi tokë prej rreth 950 metrash katrorë.

Në përdhesë planifikohen hyrja dhe hapësira ekspozuese, ndërsa edhe kati i parë do të shfrytëzohet për ekspozita.

Ky objekt duket se do ta ketë një rol kryesisht kulturor dhe prezantues.

Hapësira të tilla mund të përdoren për ekspozita arti, dizajni, teknologjie, arkitekture, trashëgimie industriale apo aktivitete të tjera publike.

Auditorium me skenë fleksibile në C3

Ndër objektet më të rëndësishme kulturore të kompleksit është C3.

Ndërtesa parashihet me bodrum, përdhesë dhe dy kate, me sipërfaqe të përgjithshme mbi tokë prej rreth 1 mijë e 404 metrash katrorë.

Në bodrum parashihen hapësira përcjellëse për auditoriumin.

Në përdhesë do të vendosen hyrja, paradhoma, depo, salla e auditoriumit, skena fleksibile, prapaskena, nyjet sanitare dhe hapësira për garderobë.

Në katin e parë parashihen dhoma e pritjes, dhoma e kontrollit, dhoma për solistë, hapësira për parapërgatitje, dhoma të mirëmbajtjes, dhoma teknike, dhomë mekanike dhe nyje sanitare.

Kati i dytë do të përmbajë hapësira teknike dhe pasarela.

Objektet industriale ekzistuese nuk do të rrënohen të gjitha

Projekti nuk parasheh vetëm ndërtime të reja.

Leja përfshin edhe renovimin e objekteve ekzistuese C1, D1 dhe D2, ndërsa D3 përfshihet si objekt për rindërtim.

Në dokumentacionin e lejes renditet një listë e gjatë e punëve që do të kryhen në këto ndërtesa.

Parashihet demolimi i pjesëve të dëmtuara të mureve, largimi dhe menaxhimi i mbeturinave ndërtimore, heqja e materialeve të dëmtuara nga lagështia dhe myku, rindërtimi i mureve me materiale të reja dhe renovimi i mureve ekzistuese stabile.

Po ashtu, parashihet përforcimi i strukturave ekzistuese të betonit dhe çelikut, demolimi dhe rindërtimi i kateve apo elementeve jostabile dhe renovimi i hapësirave të brendshme.

Dokumenti përmend riciklimin dhe ripërdorimin e tullave dhe materialeve të përshtatshme, hapjen e dritareve të reja, modifikimin e fasadave, sanimin e zonave të dëmtuara pranë dyerve dhe hapjeve dhe zëvendësimin e elementeve të dëmtuara të xhamit.

Kush e ka projektuar kompleksin?

Sipas vendimit, projektin kryesor për ndërtesat e reja e ka hartuar kompania projektuese O.U.D Architecture.

Në dokument përmendet se kompania është e regjistruar me numër biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës dhe se përfaqësues i saj është Bekim Ramku nga Prishtina.

Si pjesë e ekipit profesional përmenden edhe Rafi Segal A+U dhe ORG Urbanism & Architecture.

Në dokumentacion gjenden certifikata të regjistrimit të bizneseve për kompanitë projektuese, autorizime dhe dokumente të tjera që lidhen me ekipin profesional.

Përfshirja e disa kompanive të arkitekturës dhe urbanizmit tregon se bëhet fjalë për një projekt kompleks, i cili ka kërkuar ekspertizë ndërdisiplinore.

Megjithatë, në dosjen e lejes nuk është përfshirë një prezantim i plotë narrativ i konceptit arkitektonik, i vizionit të projektit, i kostos dhe i mënyrës së menaxhimit të kompleksit pas përfundimit.

Komuna është edhe investitor edhe autoritet lejues

Gjëja më më rëndësi është fakti se investitori i shënuar në leje është një drejtori e Komunës së Prishtinës.

Kërkues i lejes është Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, ndërsa leja është lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit e së njëjtës komunë.

Procedura për hartimin e kushteve ndërtimore ishte iniciuar më herët.

Në vendim përmendet se Drejtoria e Investimeve Kapitale kishte paraqitur kërkesë për kushte ndërtimore në nëntor të vitit 2024, ndërsa kushtet ndërtimore ishin caktuar me vendim të datës 2 mars 2026.

Pas hartimit të projektit kryesor dhe plotësimit të dokumentacionit, kërkesa për leje ndërtimore ishte parashtruar më 21 prill 2026.

Leja është miratuar më 25 maj 2026.

Kjo tregon se procedurat formale për projektin kanë nisur së paku në vitin 2024, ndërsa leja përfundimtare është dhënë rreth një vit e gjysmë më vonë.

Pëlqimi i fqinjit me kusht që punimet të përfundojnë brenda 19 muajve

Një pjesë interesante e dokumentacionit lidhet me kompaninë “Ted Residence”.

Sipas vendimit, ndërtesa e planifikuar ndodhet në kufi të parcelës fqinje, me distancë të shënuar 0.00 metra.

Për këtë arsye është kërkuar pëlqimi i kompanisë fqinje.

Në dokument thuhet se pëlqimi i është dhënë Komunës së Prishtinës me kusht që punimet të përfundojnë brenda 19 muajve, duke filluar nga 18 maji 2026.

Megjithatë, nuk është plotësisht e qartë nëse ky afat prej 19 muajsh vlen për gjithë kompleksin, për një ndërtesë të caktuar apo vetëm për punimet që prekin kufirin me parcelën fqinje.

Duke marrë parasysh madhësinë e projektit, numrin e objekteve dhe punët e restaurimit, afati prej 19 muajsh do të ishte jashtëzakonisht ambicioz nëse do të vlente për tërë kompleksin.

KEDS-i dhe Ujësjellësi nuk janë përgjigjur, pëlqimi është konsideruar i dhënë

Gjatë shqyrtimit të kërkesës, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit u është drejtuar Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Nga këto kompani janë kërkuar kushtet teknike për lokacionin.

Sipas vendimit, KEDS-i dhe Ujësjellësi nuk i janë përgjigjur kërkesës së Komunës.

Bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, KEDS-it dhe Ujësjellësit, mungesa e përgjigjes është interpretuar si pëlqim i dhënë.

Ky është një detaj i rëndësishëm, duke marrë parasysh përmasat e kompleksit dhe nevojat që një projekt i tillë pritet të ketë për energji elektrike, ujë, kanalizim, sistem kundër zjarrit dhe infrastrukturë tjetër teknike.

Punimet duhet të nisin brenda një viti

Sipas kushteve të lejes, poseduesi i saj është i obliguar që punimet ndërtimore t’i fillojë brenda një viti nga data e pranimit të vendimit.

Në rast se punimet nuk nisin brenda këtij afati, investitori duhet t’i drejtohet organit kompetent me kërkesë për vazhdimin e vlefshmërisë së lejes edhe për një vit tjetër.

Hapësira të gjelbra dhe zona publike

Plani i situacionit tregon se mes objekteve parashihen edhe sipërfaqe të gjelbra, korridore publike, sheshe, zona rekreative dhe hapësira të jashtme për aktivitete.

Në legjendën e planit përmenden fusha sportive, park për fëmijë, shesh kryesor, treg i hapur, market, restorante dhe dyqane, hapësirë për ngjarje dhe zonë për performanca në ambient të hapur.

Në hartë paraqiten edhe objekte të renovuara, ndërtesa të reja, gjelbërim, gardhe të reja dhe kufiri i kompleksit.

Përmes organizimit të objekteve, zona qendrore e kompleksit duket se synon të funksionojë si hapësirë publike dhe jo vetëm si korridor ndërmjet ndërtesave.

Megjithatë, mbetet e paqartë se sa prej hapësirës do të jetë e hapur për qytetarët dhe sa do të kontrollohet apo kufizohet për shkak të funksioneve hoteliere, administrative dhe komerciale.

Parkingje të mëdha nëntokësore

Diferenca ndërmjet sipërfaqes së përgjithshme të ndërtimit dhe sipërfaqes mbi tokë tregon se më shumë se 10 mijë metra katrorë parashihen në nëntokë.

Një pjesë e madhe e kësaj sipërfaqeje pritet të përdoret për parkingje, depo, dhoma teknike dhe infrastrukturë përcjellëse.

Plani identifikon zona për parking dhe hyrje në garazhe. /Kujdestari.info/

 

Lexo më shumë

Të tjera