E martë, 16 Dhjetor, 2025

Prishtina e mbuluar me beton: Kush e la gjurmën më të madhe, Ahmeti apo Rama?

Ndaj

Kryeqyteti i Kosovës po e humb çdo copë hapësire të lirë nën hijen e pallateve shumëkatëshe. Në atë që dikur shihej si përjashtim, sot është shndërruar në praktikë të zakonshme – ndërtimi pa ndalesë. Vitet e fundit, Komuna e Prishtinës ka lëshuar leje ndërtimi në shifra marramendëse, duke e mbytur debatin për planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm, shkruan Kujdestari.info

Procesi nisi fuqishëm gjatë udhëheqjes së Shpend Ahmetit, i cili për më shumë se një mandat qeverisi qytetin me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe po vazhdon me Përparim Ramën e LDK-së. Në të dy periudhat, betonizimi është trajtuar si strategji kryesore e zhvillimit të kryeqytetit.

Në kohën e Ahmetit (2013–2021) u dhanë leje për mbi 7 milionë m² ndërtim, ndërsa vetëm në vitin 2021 – vitin e fundit të tij në detyrë – u lëshuan 1.44 milionë m², shifra më e lartë e dhjetëvjetëshit. Pandemia solli një rënie në vitin 2020 (815 mijë m²), por ritmi u rikthye shpejt në vitin pasues. Për periudhën 2018–2019, lejet varionin nga 870 mijë m² deri në 1.06 milionë m², duke treguar një trend rritjeje pa ndonjë kufizim urbanistik të dukshëm.

Me ardhjen e Përparim Ramës në vitin 2022, i cili premtoi një “Prishtinë moderne e të gjelbër”, shifrat e lejeve nuk kanë qenë më të ulëta. Për tre vjet të para në pushtet, administrata e tij ka miratuar mbi 2.8 milionë m² ndërtim:

  • 2022: 1,008,703.85 m²

  • 2023: 847,995.30 m²

  • 2024: 948,659.14 m²

Ndërsa vetëm për katër muajt e parë të këtij viti janë dhënë leje për 182,193.39 m².

Edhe pse nuk e ka kaluar ende Ahmetin në përmasa vjetore, Rama është shumë afër. Nëse ruan të njëjtin ritëm, deri në fund të mandatit të parë ai mund të tejkalojë shifrat e mandatit të dytë të pararendësit.

Grafiku i përgatitur nga Kujdestari.info e pasqyron qartë këtë trend, duke treguar ngritjen e madhe të vitit 2021 dhe vijimin e intensitetit të lartë të ndërtimit edhe gjatë qeverisjes së Përparim Ramës.

Lejet e ndërtimit në Prishtinë në m2 (2013–2024)

Viti m² ndërtimi
2013 313,892
2014 473,362
2015 741,242
2016 826,875
2017 814,964
2018 875,685
2019 1,063,307
2020 815,063
2021 1,442,482
2022 1,008,703.85
2023 847,995.30
2024 (jan–prill) 182,193.39

Në total: mbi 9.4 milionë m² leje ndërtimi të lëshuara për këtë periudhë.

Përtej shifrave, ajo që bie në sy është mungesa e balancës midis zhvillimit dhe cilësisë së jetesës. Sheshet e betonit po zëvendësojnë lagjet me hapësira të gjelbra. Lejet po përqendrohen kryesisht në zonat urbane, aty ku çdo parcelë po shndërrohet në një kullë të re.

Krahasimi midis dy kryetarëve tregon më shumë ngjashmëri se ndryshim, pasi të dy kanë ndjekur politika të ngjashme në raport me ndërtimet, duke i hapur rrugën investimeve të mëdha në ndërtim, shpeshherë pa transparencë të mjaftueshme, pa konsultim publik e as analizë të ndikimit në infrastrukturë.

Ndërtuesit dhe zhvilluesit urbanë duket se janë përfituesit e vërtetë të këtij modeli të “zhvillimit”, ndërsa qytetarët janë ata që përballen me pasojat si mungesë të parkingjeve, shkollave, kopshteve, trafik të rënduar dhe ajër gjithnjë e më të ndotur.

Në fund, qyteti mund të duket më “modern” nga jashtë, por nga brenda po bëhet gjithnjë e më i pabanueshëm.

Sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të publikuara në kuadër të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024, komuna e Prishtinës ka gjithsej 61,336 njësi banimi.

Ndër këto, 25,195 banesa janë të pabanuara, që përbën mbi 41% të totalit të banesave në kryeqytet . Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja kombëtare, ku rreth 33% e banesave në të gjithë Kosovën janë të pabanuara .

Ky fenomen tregon për një prani të theksuar të banesave të pashfrytëzuara në Prishtinë, duke ngritur shqetësime për efektivitetin e planifikimit urban dhe ndikimin e mundshëm në tregun e pasurive të paluajtshme. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera