Prindërit e nxënësve të shkollës “Asim Vokshi” në Prishtinë kanë mbajtur sot një protestë para shkollës “Zenel Hajdini”, me kërkesë për kthimin e fëmijëve të tyre në shkollën “Asim Vokshi”, ku kanë qenë më parë.
Protesta është mbajtur në orët e mëngjesit, gjersa sipas prindërve kjo për shkak të largësisë dhe rrezikut që i kanoset fëmijëve në rrugë, pasi sipas tyre një fëmijë para disa dite është shkelur me veturë.
Florim Zejnullahu, një nga prindërit pjesëmarrës në protestë, tha për Telegrafin se fëmijët detyrohen të kalojnë nëpër një rrugë shumë të ngarkuar me komunikacion për të arritur në shkollë – gjersa theksoi se para disa ditësh një fëmijë është përfshirë në një aksident, gjë që ka shtuar pasigurinë tek komuniteti.
“Shqetësimi ynë kryesor është distanca e madhe dhe siguria, pasi që rruga që përshkojnë fëmijët është e ndarë përmes magjistrales Prishtinë–Podujevë, që është rruga më e ngarkuar në Prishtinë” u shpreh ai.
“Është shqetësim shumë i madh për neve, andaj nëse nuk zgjidhet ky problem që të kthehen fëmijët tanë në shkollë ‘Asim Vokshi’, do të vazhdojnë shqetësimet tona, pasi para disa ditësh, një veturë ka shkelur një fëmijë duke ardhur në këtë shkollë”.
Prindërit në këtë protestë kërkuan që fëmijë të kthehen në shkollën “Asim Vokshi” ku kanë qenë më parë.

