Edhe pse vetëm pak muaj i kanë mbetur në pozitën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani kishte nisur një proces që synonte të zgjaste përtej mandatit të saj. Bëhet fjalë për ndërtimin e një godine të re presidenciale në lagjen “Prishtina e Re” (Veternik).
Zyra e Presidencës ka vendosur ta anulojë aktivitetin e prokurimit për hartimin e fizibilitetit të këtij objekti, pa ofruar ndonjë arsye konkrete për këtë vendim. Në njoftimin zyrtar të publikuar në KRPP, thuhet vetëm se “janë krijuar rrethana të reja të cilat na pamundësojnë të procedojmë tutje me këtë aktivitet”.
Ky aktivitet prokurimi kishte të bënte me hartimin e fizibilitetit për ndërtimin e një godine të re të Presidencës dhe përfshinte analiza teknike, mjedisore dhe arkitektonike, si dhe planifikim funksional dhe të sigurisë për objektin e ri.
Për këtë projekt, Zyra e Prokurimit të Presidencës kishte pranuar tri oferta:
-
FST Engineering Sh.P.K, AL Engineering SH.P.K dhe GJEO -PROJEKT SH.P.K (grup operatorësh) – ofertë prej 16,697.00 €
-
IPE – PROING Sh.P.K – ofertë prej 17,500.00 €
-
ALB-Architect Sh.P.K – ofertë prej 19,900.00 €
Demokracia.com kishte kërkuar më herët informacione nga Zyra e Presidentes lidhur me buxhetin e paraparë për këtë projekt, por nuk kishte marrë përgjigje.
Aktualisht, Presidenca e Kosovës funksionon në një hapësirë të përbashkët me Kuvendin e Kosovës, në ndërtesën qendrore institucionale në zemër të Prishtinës.
Anulimi i këtij tenderi ngre sërish pyetje mbi qëndrueshmërinë dhe transparencën e planeve për ndërtimin e një objekti të ri presidencial, si dhe mbi arsyet reale që kanë çuar në këtë vendim. /Demokracia.com