E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Presidenca ul pak luksin: Tenderi i ri për Rezidencën Presidenciale pa suitë e oborr privat

Ndaj

Presidenca e Kosovës ka shpallur tender të ri për hartimin e planit të fizibilitetit për objektin e ri presidencial në zonën “Prishtina e Re”. Ndryshe nga njoftimi i mëparshëm, objekti nuk do të ketë suitë gjumi, dhoma private për familjen, kopsht apo oborr privat.

Suita gjumi për presidentin\en, dhoma private për familjen, dhoma private për darka familjare, dhoma leximi, kopsht e oborr privat dhe pesë dhoma mysafirësh ishin disa prej hapësirave që janë kërkuar që t’i ketë rezidenca e Presidencës së Kosovës, në tenderin për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e këtij objekti, të shpallur në korrik të këtij viti.

Por, tani afro dy muaj më vonë gjerat kanë ndryshuar.

Presidenca e Kosovës ka shpallur tender të ri për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të ri për këtë institucion në zonën “Prishtina e re”.

Për dallim nga njoftimi i kaluar, ku parashihej luksi i madh brenda objektit Presidencial, në njoftimin e ri janë larguar këto specifika të luksit, shkruan Kujdestari.info.

Tani parashihet ndërtimi i një hapësire të punës për Presidenten, zyrë për takime zyrtare protokollare të Presidentes, zyrë për takime, hapësira për ceremonial, ku përfshihen salla e pritjes dhoma e kredencialeve.

Strukturimi i zonave funksionale, që parashihen të përfshihen:

–        Hapësira e punës së Presidentit/es;

–        Zyra për takime zyrtare protokollare e Presidentit/es;

–        Zyra për takime tête-à-tête;

–        Hapësirat për ceremonial (salla e pritjes, dhoma e kredencialeve, salla për media dhe konferenca shtypi, etj);

–        Hapësira të punës (zyra)  për stafin e kabinetit të Presidentit/es;

–        Sallë për takime pune të Kabinetit;

–        Hapësira të punës (zyra) për stafin e Administratës së Zyrës së Presidentit/es;

–        Sallë për takime pune të stafit administrativ;

–        Hapësira (sallë)  për organizimin e pritjeve shtetërore (Ceremoni të dekorimit, ceremoni të gradimit, ceremoni të betimit);

–        Hapësirë për Bibliotekën Presidenciale;

–        Hapësirat të dedikuara për shërbime mbështetëse (protokoll, siguri, logjistikë, transport dhe teknologji);

–        Zonë – hapësirë funksionale në ambient të jashtëm për pritje ceremoniale shtetërore dhe parakalime ushtarake me qasje për eskorta zyrtare të personaliteteve nga vendet mike;

–        Hapësirë e dedikuar për gjelbërim dhe mbjellje të drunjëve;

–        Qasje për hyrje-dalje dhe hapësirë parkingu për nevoja zyrtare.

Presidenca ka treguar pse ka shpallur këtë tender, që ka vlerën e 25 mijë eurove.

“Afati për dorëzim të ofertave mbyllet më 2 shtator, në orën 14:00. Hartimi i planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës së Republikës së Kosovës. Vlera e parashikuar e kontratës: 25,000.00 Qëllimi i këtij projekti është të analizojë aspektet teknike, ato të sigurisë, ekonomike, mjedisore dhe funksionale të realizueshmërisë së ndërtimit të objektit të Presidencës, në përputhje me nevojat institucionale, standardet moderne të ndërtimit dhe vizionin urbanistik të Prishtinës së Re”.

Pas njoftimit fillestar për kontratë, kishin shpërthyer kritika ndaj Presidentes.

Presidenca kishte dalë me një reagim ku kishte thënë se Osmani asnjëherë s’ka kërkuar ndërtim të ndonjë residence presidenciale, as me oborr privat, as me dhoma private e as ndonjë luks tjetër personal.

“Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e Presidentes dhe brenda suazave ligjore Presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës”.

Aty thuhet se Presidentja nuk ka autorizuar ndërtimin e suitave apo hapësirave private, por ka kërkuar vetëm hapësira pune dhe pritjeje zyrtare, përfshirë një suitë pritjeje për mysafirët ndërkombëtarë dhe homologët që vizitojnë Kosovën — praktikë standarde në çdo presidencë në botë.

“Presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikacionet aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial (e assesi ndonjë rezidencë private). Ndërtimi i një objekti të tillë për Presidencën (e jo për Presidenten Osmani) nuk është luks, por domosdoshmëri shtetërore, për të garantuar kushte dinjitoze pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për shtetin e Kosovës.”.

Në reagim ishte thënë se në sallat ku priten liderët botëror ndihet era e kanalizimit, për shkak se Kreu i Shtetit nuk e ka një objekt të posaçëm për realizimin e detyrave.

“Kosova është vendi i vetëm në Evropë – në mos edhe në botë – ku Kreu i Shtetit nuk ka një objekt të posaçëm për realizimin e funksionit të tij/saj zyrtar. Aktualisht, pritjet mbahen në salla të Kuvendit, ndërsa liderët e shteteve mike detyrohen të përballen me erën e kanalizimeve për shkak të kushteve të papërshtatshme në katin ku ndodhet zyra aktuale. Nuk ka as hapësirë për organizimin e pritjeve shtetërore (ato zhvillohen në hotele), as hapësira për akomodimin e mysafirëve të lartë, dhe as ambient për darka apo dreka zyrtare të nivelit të lartë, të cilat Kosova i organizon në restorante private — një praktikë krejtësisht e pazakontë për çdo shtet serioz. Është e turpshme që edhe 26 vite pas çlirimit, kjo çështje themelore nuk është zgjidhur”.

Çfarë luksi kishte kërkuar saktësisht Presidenca për ndërtesën e re?

Suita gjumi për presidentin\en, dhoma private për familjen, dhoma private për darka familjare, dhoma leximi, kopsht e oborr privat dhe pesë dhoma mysafirësh janë veç disa prej hapësirave që janë kërkuar që t’i ketë rezidenca e Presidencës së Kosovës, në dosjen e tenderit për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e këtij objekti, të shpallur në muajin korrik të këtij viti.

Bazuar në dosjen, e cila është publike në e-prokurimi dhe autoritet kontraktues i të cilit është Zyra e Presidentit të Kosovës, rezidenca parashihet që pos këtyre hapësirave të ketë edhe pjesën ceremoniale, në të cilën përfshihen një sallë e madhe pritjesh dhe ballosh, një holl ceremonial, dhoma e kredencialeve, dhoma për takime dypalëshe, salla për media, si dhe biblioteka presidenciale.

Këto specifika janë vetëm disa nga mesi i hapësirave që janë kërkuar të përfshihen në planin e fizibilitetit, tenderi për të cilin është mbyllur të enjten. Për realizimin e këtij studimi janë planifikuar që të shpenzohen 25 mijë euro, përderisa objekti është paraparë që të ndërtohet në lagjen “Prishtina e Re”.

Hapësira për sport e rekreacion dhe kuzhinë presidenciale

Sipas planit ideor, i gjithë kompleksi planifikohet që të përfshijë nëntë zona funksionale.

“Strukturimi i zonave funksionale, që parashihen të përfshihen: Hapësira e punës së presidentit/es; Hapësira për ceremonial (salla e pritjes, dhoma e kredencialeve, salla për media, etj.).; Hapësira të punës për stafin e kabinetit dhe administratës; Hapësira rezidenciale; Hapësirat të dedikuara për siguri, logjistikë, transport, protokoll dhe teknologji; Hapësira për mikpritje diplomatike, punë në distancë dhe multifunksionalitet; Hapësira për stafin mbështetës, administrativ dhe operativ; Hapësira të veçanta të punës që ndërlidhen me mbrojtje, siguri dhe aspekte të tjera; Hapësira për rekreacion, sport dhe kulturë”, thuhet në dosjen e tenderit, të publikuar më 17 korrik të sivjetmë në e-prokurimi.

Në planin për objektin presidencial, hapësira të veçanta janë kërkuar edhe për këshilltarë politikë të presidentit\es. Krahas zyrave, për ta është kërkuar të përfshihen, mes tjerash, edhe një dhomë koordinimi dhe dhomë për përkthim e interpretim.

Në dosje është kërkuar që rezidenca presidenciale të ketë edhe zyra për nëpunës civilë, për Këshillin Konsultativ për Komunitete, për presidentët të cilëve u ka përfunduar mandati, për Qendrën e Ekselencës, si dhe kuzhinë presidenciale.

Si opsionale në këtë dosje është vendosur që të jetë edhe një hapësirë multifunksionale, e cila do të përmbante dhoma për diasporën, dhoma për rini dhe kënd për fëmijë.

Në kuadër të hartimit të planit të fizibilitetit, operatorëve ekonomikë të interesuar u është kërkuar që t’i bëjnë analizë lokacionit dhe planifikimit hapësinor, si dhe analizë aspekteve teknike, të sigurisë, ekonomike, mjedisore dhe funksionale të realizueshmërisë së konceptit të organizimit funksional të objektit qendror dhe atyre përcjellës.

Hapësira për stafin mbështetës, administrativ dhe operativ. Hapësira të veçanta të punës që ndërlidhen me mbrojtje, siguri dhe aspekte të tjera; Hapësira për rekreacion, sport dhe kulturë. /Kujdestari.info/.

Lexo më shumë

Të tjera