Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ka hapur një procedurë të re prokurimi për shërbime të transportit ajror, përkatësisht për blerjen e biletave të aeroplanit për nevojat e Presidencës, raporton Kujdestari.info.
Sipas njoftimit për kontratë të përgatitur më 27 gusht 2026, procedura mban numrin e prokurimit 102-26-6887-2-1-1, ndërsa autoritet kontraktues është Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Rreth 700 bileta, vlera e parashikuar 400 mijë euro
Dokumentet e tenderit tregojnë se Presidenca parashikon blerjen e rreth 700 biletave të udhëtimit me aeroplan, ndërsa vlera e përgjithshme e parashikuar e kontratës është 400 mijë euro.
Kontrata është planifikuar si kontratë publike kornizë me një operator ekonomik, me kohëzgjatje prej 36 muajsh, apo tre vjetësh. Destinacionet e udhëtimeve nuk janë përcaktuar paraprakisht.
Nga formulari financiar i tenderit del se për qëllime të vlerësimit është vendosur një çmim i planifikuar prej 390 euro për një biletë. Për 700 bileta, kjo prodhon një vlerë kalkuluese prej 273 mijë eurosh. Megjithatë, vetë dokumenti sqaron se 390 euro nuk paraqet domosdoshmërisht çmimin real që do të paguhet për secilën biletë, por është vlerë që përdoret për kalkulimin dhe vlerësimin e ofertave.
Çmimet reale të biletave do të krijohen gjatë zbatimit të kontratës, sipas çmimeve që dalin nga sistemet kompjuterike të rezervimeve si Amadeus, Galileo, Sabre apo sisteme të tjera të barasvlershme.
Kërkohen kompani me të paktën 600 mijë euro qarkullim
Për t’u kualifikuar në tender, operatorët ekonomikë duhet të kenë realizuar në tri vitet e fundit, 2023, 2024 dhe 2025, qarkullim total prej së paku 600 mijë eurosh.
Po ashtu, kërkohet që kompania të dëshmojë se gjatë tri viteve të fundit ka përfunduar kontrata të ngjashme në vlerë totale prej së paku 600 mijë eurosh.
Operatori duhet të ketë licencë valide nga Asociacioni Ndërkombëtar i Transportit Ajror – IATA, ndërsa kërkohen së paku tre punëtorë të kualifikuar dhe qasje në sistemet kompjuterike të rezervimeve Amadeus, Galileo, Sabre apo sisteme të barasvlershme.
Procedura është e hapur, ndërsa kriteri për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 9 tetor 2026. /Kujdestari.info/