E mërkurë, 4 Mars, 2026

Presidenca hap tender 30 mijë euro për performanca artistike

Ndaj

Në Presidencën e Kosovës, protokolli nuk mjaftohet vetëm me fjalime dhe flamuj. Për dy vitet e ardhshme, institucionit që drejtohet nga presidentja Vjosa Osmani i duhet edhe pak art, pak skenë, e ndoshta edhe pak duartrokitje.

Sipas të dhënave të tenderit të publikuar, Presidenca ka realizuar një kontratë kornizë 24-mujore për “shërbime për performancë artistike për nevojat protokollare”, me vlerë të parashikuar deri në 30 mijë euro.

Kontrata i është dhënë kompanisë VM3 SH.P.K., e cila ka rezultuar operatori i përgjegjshëm me çmimin më të ulët 7,280.60 euro për njësi. Kjo do të thotë se pagesat do të realizohen gradualisht, deri në momentin kur të arrihet tavani prej 30 mijë eurosh, e jo domosdoshmërisht në një pagesë të vetme.

Por çfarë përfshin “arti protokollar” i Presidencës?

Lista e shërbimeve është e gjerë dhe lë hapësirë për çdo skenar ceremonial, qe nga moderimi i ngjarjeve nga moderatorë me përvojë të dëshmuar në komunikim publik, te grupe artistike profesionale me 5, 10 apo deri në 20 persona, angazhime individuale të këngëtarëve, e deri te ansamble VIP me solistë dhe orkestër, të destinuara për evente me mbi 300 pjesëmarrës.

Me fjalë të tjera, Presidenca po përgatitet për çdo lloj atmosfere nga tingujt intimë protokollarë deri te skena më madhështore për vizita e ngjarje të mëdha shtetërore.

Nuk dihet se sa shpesh do të aktivizohen këto shërbime dhe për cilat evente konkrete, por një gjë është e sigurt se në presidencën e Vjosa Osmanit, protokolli nuk do të mbetet pa muzikë as pa moderator.

Lexo më shumë

Të tjera