E martë, 19 Gusht, 2025

Premtimi i Uran Ismailit për hapjen e sheshit: Cilat janë implikimet ligjore për shkëputjen e kontratës

Ndaj

Një prej kandidatëve për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka paralajmëruar se, nëse fiton zgjedhjet, do ta hapë sheshin “Xhorxh Bush” dhe do ta ndërpresë kontratën aktuale për ndërtimin e tij. Por dokumentet e kontratës tregojnë se një vendim i tillë mund të ketë pasoja të mëdha financiare për komunën, përfshirë kompensime për punët e kryera dhe, në disa raste, edhe për punët e papërfunduara, shkruan Kujdestari.info.

Hapja e sheshit është premtimi i parë, i kandidatit të PDK-së për kryetar të Prishtinës. Premtimi i tij duket të jetë paksa “futuristik” në raport me pasojat që mund të prodhojë ndërprerja e kontratës, nëse ai do të emërohet kryetar.

Sipas nenit 39.1 të kontratës, nëse ajo ndërpritet para përfundimit të punimeve, autoriteti kontraktues është i detyruar të paguajë një përqindje që përfaqëson koston shtesë për përfundimin e punëve nga një kontraktues tjetër. Kjo përqindje llogaritet si vlera e punëve të pakryera minus shuma e dëmeve të likuiduara.

Në rastet kur ndërprerja ndodh pa fajin e operatorit ekonomik, pagesa bëhet për punët e kryera të pranueshme dhe mund të përfshijë edhe koston e punëve të mbetura. Por, nëse ndërprerja ndodh për faj të operatorit për shkak të vonesave, cilësisë së dobët apo shkeljes së specifikimeve, Komuna nuk i paguan vlerën e punëve të papërfunduara dhe ka të drejtë të konfiskojë sigurimin e ekzekutimit, që zakonisht është 10% e vlerës së kontratës.

Për çdo mosmarrëveshje, kontrata parashikon fillimisht ndërmjetësimin nga Komisioni për Ndërmjetësim pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe, nëse kjo nuk jep rezultat, palët mund t’i drejtohen Gjykatës Komerciale. Një proces i tillë gjyqësor, sipas përvojave të ngjashme, mund të zgjasë me vite dhe të shkaktojë vonesa të gjata në përfundimin e projektit.

Një vendim politik për ndërprerje duhet të mbështetet në prova të forta ligjore për fajin e operatorit. Përndryshe, rrezikohet që Komuna e Prishtinës të përballet me detyrime milionëshe, duke e futur në obligime të mëdha financiare.

Çfarë parasheh kontrata për ndërprerjen

Neni 39.1 i kontratës përcakton qartë se, nëse ajo ndërpritet para përfundimit të punimeve, duhet të bëhet një përllogaritje për vlerën e punëve të papërfunduara. Formula është:

Vlera e punëve të pakryera – shuma e dëmeve të likuiduara.

Në rastet kur ndërprerja ndodh pa fajin e operatorit ekonomik (OE), pagesa ndaj tij bëhet për punët e kryera të pranueshme, ndërsa për punët e mbetura llogaritet kostoja shtesë që do t’i duhej komunës për t’i përfunduar me një kontraktues tjetër.

Por, kur ndërprerja ndodh për faj të operatorit, kontrata parasheh penalitete të qarta:

  • Komuna nuk i paguan vlerën e punëve të pakryera.
  • Llogariten dhe zbriten dëmet e shkaktuara nga moskryerja në afat.
  • Operatorit i konfiskohet sigurimi i ekzekutimit (zakonisht 10% e vlerës totale të kontratës).

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

  • Fillimisht, çdo mosmarrëveshje tenton të zgjidhet nga Komisioni për Ndërmjetësim pranë Ministrisë së Drejtësisë (neni 42.2).
  • Nëse kjo nuk sjell rezultat, palët kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Komerciale (neni 43.1).

Në terma praktikë, një vendim politik për ndërprerjen e kontratës nuk është i mjaftueshëm. Për të shmangur barrën financiare ndaj qytetarëve, duhet një bazë e fortë ligjore që dëshmon fajin e operatorit. Përndryshe, Komuna e Prishtinës jo vetëm që do të paguajë për punët e kryera, por edhe mund të detyrohet të kompensojë operatorin për punët e mbetura, duke e rritur koston totale të projektit.

Tashmë, mësohet se Komuna ka paguar disa milionë euro si parapagim, në përputhje me kushtet e kontratës, ndonëse punët janë ende në fillimet e tyre dhe aktualisht të pezulluara me vendim të gjykatës, për shkak të kontestit që Komuna ka me Ministrinë e Kulturës.

Zgjidhja e marrëveshjes në mënyrë miqësore për shkëputjen e kontratës do të ishte shumë e vështirë, për faktin se fituesi i kontratës, Blerim Kuqi, tashmë ka kaluar zyrtarisht në LDK.

Në shkurt 2025, zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e sheshit Xhorxh Bush, i cili ndodhet në qendër të Prishtinës, mes Radio Kosovës dhe Katedrales, deri tek hoteli Grand, shkruan Kujdestari.info.

Njoftimi për nënshkrimin e kontratës është publikuar në platformën E-prokurim. Kontrata u nënshkrua më datë 5 shkurt, ndërsa afati i përfundimit të punimeve është 360 ditë pune.

Grupi i kompanive të përfshira në kontratë është përbërë nga SALILLARI, GJINI CONSTRUCTION SH.P.K. dhe Hidroterm SH.P.K. Në garë kanë qenë katër kompani, përfshirë të vetme dhe konzorciume, dhe nuk ka pasur ankesa gjatë procesit të rekomandimit të këtij grupi për kontratën.

“Salillari”- E themeluar në vitin 1994 në Berat, kjo kompani ndërtimi ka kryer punë të shumta në Shqipëri, por dhe në Kosovë. Administratori aktual është Bledar Starova, ndërsa pronar është Pëllumb Salillari. Së fundmi, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur Salillarin dhe Starovën për ndërtim pa leje të një pallati në zonën e Liqenit të Thatë, me vlerë 12 milionë euro.

“Gjini Construction” dhe “Hidroterm”. Të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, ish-kryetar i Suharekës nga AAK-ja, tash anëtar i LDK-së. Pronar i “Gjini Construction” sh.p.k  është kompania “Hidroterm Holding”.

“Hidroterm Holding” është regjistruar para pak javëve në ARBK, konkretisht më 6 nëntor 2024. Pronarë të saj janë familjarët e Blerim Kuçi. Konkretisht, pronarët janë djali i Blerimit, Genc Kuçi, me 71.97% të aksioneve, vajza e tij, Blerta Kuçi, me 22.73%, dhe dhëndri i Blerimit, Nol Paloka – bashkëshorti i Blertës – me 5.30%.

Gjithashtu, në konsorcium me kompaninë “Salillari” dhe “Gjini Construction” është kompania “Hidroterm” sh.p.k., e themeluar nga vetë Blerim Kuçi, e cila gjithashtu është në pronësi të “Hidroterm Holding”.

Më 19 korrik, Gjykata e Apelit i ka kërkuar Themelores të tregojë se kush ka të drejtë në kontestin për ndërtimet në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë: Komuna që synon ta çojë projektin përpara apo Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, që i ka ndalur punimet.

Themelorja nuk e pati trajtuar problemin, me arsyetimin se Komuna nuk kishte të drejtë ta bënte ankesën për pezullimin e punimeve. Por Apeli ka gjykuar ndryshe, dhe e ka urdhëruar Themeloren ta rishqyrtojë vendimin e të vendosë përmbajtësisht.

Por, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konstatuar se me vendim, Apeli ka vërtetuar se Komuna ka pasur të drejtë dhe se nisja e punimeve ka qenë në përputhje me interesin publik dhe me ligjin.

“E kemi thënë dhe do ta themi sërish: qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon këmbësorëve, jo makinave. Krejt kjo në përputhje me standardet e BE-së, paralel me praktikat më të mira evropiane dhe në harmoni të plotë me ligjin”, ka shkruar Rama.

Në fund të qershorit, Gjykata Themelore e la në fuqi vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për anulimin e punimeve, meqë ato nisën pa miratim të projekteve nga Instituti për Mbrojten e Monumenteve.

Komuna ende nuk i ka bërë plotësimet e kërkuara nga Instituti, dhe pa e përfillur Ligjin për Trashëgimi Kulturore, ka insistuar të realizohen punimet midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.

Kryetari Rama ka insistuar se projekti është në të mirë të kryeqytetit dhe qytetarëve të tij.

“Shndërrimi i një rruge në shesh publik nuk është vendim momental, por strategji afatgjatë për zhvillim urban, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës! Ne do të vazhdojmë me qetësi, vendosmëri dhe respekt të plotë për ligjin e interesin publik! Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do ta kuptojnë se koha e bllokadave të jashtligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon!”, ka thënë Rama.

Punimet në rrugën e kthyer në shesh, u ndaluan disa herë që nga muaji mars, për herë të fundit, pranë katedrales “Nëna Terezë”, kur fillimisht nisi gërmimi i rrugës në pjesën që nuk është nën mbrotje, e kur gërmimi filloi edhe në pjesën e mbrojtur, atëherë punimet u ndaluan nga Inspektorati.

Pavarësisht vërejtjeve nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, Komuna nuk i ka bërë ende ndryshimet në projekt, në mënyrë që të sigurojë leje për punimet në zonën e mbrojtur. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera