Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebeza, ka njoftuar se pas kthimit nga udhëtimi zyrtar do ta lirojë nga detyra drejtorin e Pronës, Gëzim Zogianin, i cili është në mesin e pesë zyrtarëve të arrestuar të martën nga organet e drejtësisë, raporton Kujdestari.info.
Prebeza ka thënë se Zogiani do të lirohet nga detyra deri në sqarimin e plotë të çështjes nga organet e drejtësisë.
“Meqenëse që nga dita e martë ndodhem në udhëtim zyrtar, dua t’ju njoftoj se menjëherë pas kthimit tim do ta liroj nga detyra Drejtorin e Pronës, deri në sqarimin e plotë të kësaj çështjeje nga organet e drejtësisë”, ka shkruar Prebeza.
Ai ka deklaruar se nuk do të ketë, siç ka thënë, “mbrojtje politike për askënd” dhe se transparenca, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit do të jenë standarde të qeverisjes së tij.
Prebeza ka theksuar gjithashtu se nuk do të paragjykohet përgjegjësia e të arrestuarve, duke shtuar se atë e përcaktojnë organet e drejtësisë.
Sipas tij, hetimet për çështjen dhe pronën në fjalë kanë nisur më herët, ndërsa për të njëjtën çështje, sipas informacioneve që ai thotë se posedon, kishte pasur të arrestuar edhe gjatë vitit 2025.
“Koha kur politika mbyllte sytë përballë dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka përfunduar”, ka deklaruar Prebeza.
Ai ka thënë se Komuna e Fushë Kosovës do t’i ofrojë bashkëpunim të plotë Prokurorisë dhe çdo organi tjetër të drejtësisë gjatë hetimeve.
“Ne kemi marrë besimin e qytetarëve për ta ndryshuar mënyrën se si qeveriset Fushë Kosova. Dhe këtë besim nuk do ta negociojmë me askënd”, ka përfunduar Prebeza. /Kujdestari.info/